Kulturë

BAFTA – hapësirë për kinemanë autoriale dhe zërat e rinj

Trofeu BAFTA

Çmimet BAFTA janë ekuivalenti britanik i shpërblimeve nga Akademia e Filmit në Hollywood, “Oscars”

Foto: Associated Press

Filmi i regjisorit Paul Thomas Anderson kryeson listën e nominimeve për çmimet BAFTA, me 14 sosh, derisa horrori i Ryan Cooglerit e ndjek pas me gjithsej 13 nominime. E befasia e këtij edicioni është filmi britanik që trajton sindromën Tourette, “I Swear”, i cili ka marrë gjithsej pesë nominime

“Sinners” mund të ketë bërë histori javën e kaluar kur u bë filmi i parë ndonjëherë që siguroi 16 nominime për “Oscar”, por ishte rivali i tij në sezonin e shpërblimeve “One Battle After Another”, ai që doli fitues në shpalljen e nominimeve për çmimet BAFTA, të martën.

Komedia e Paul Thomas Andersonin hyn në garë me 14 nominime, ndërsa trileri me vampirë i Ryan Coogler ka gjithsej 13 nominime. Ndërkohë filmat “Marty Supreme” dhe “Hamnet” janë shumë pranë me nga 11 nominime secili, ndërsa “Frankenstein” i Guillermo del Toros dhe “Sentimental Value”, nën regji të danezit Joachim Trier kanë nga tetë nominime.

Komedia britanike që trajton sindromën Tourette “I Swear”, ishte befasia e mbrëmjes duke arritur të nominohet në gjithsej pesë kategori, përfshirë një nominim për “Aktorin më të mirë”, për protagonistin Robert Aramayo. Me nga tri nominime në garë hyjnë filmat: “The Ballad of Wallis Island” dhe “Pillion”. 
Gjatë shpalljes së nominimeve nuk pati anashkalime tronditëse këtë vit, pjesërisht për shkak se listat e kategorive për aktrim përfshijnë gjashtë emra, ndryshe nga “Oscars” që nominon pesë aktorë, duke lënë hapësirë për emra si, Paul Mescal, i nominuar për rolin në filmin “Hamnet”. 

Madje as filmi me buxhet të lartë, “Wicked: For Good”, që u injorua plotësisht nga votuesit për “Oscars”, nuk mbeti jashtë listës së nominimeve për BAFTA, duke i kryesuar kategoritë për dizajn kostumesh, flokësh dhe grim. Megjithëkëtë yjet e filmit Cynthia Erivo dhe Ariana Grande nuk arritën të nominoheshin për “Aktoren më të mirë”. 

Të tjerë yje të mëdhenj që nuk u përfshinë në këtë kategori janë: Jennifer Lawrence për rolin në filmin “Die My Love”, Sydney Sweeney për “Christy” dhe Julia Roberts për performancën e shkëlqyer në filmin “After the Hunt”.

Leonardo DiCaprio mbetet favoriti i dytë për t’u shpallur “Aktori më i mirë”, pas Timothée Chalamet, i cili është nominuar me filmin “Marty Supreme”. Ky është nominimi i shtatë për aktorin, që do të thotë se tani e ndan një rekord historik të BAFTA-s me yje si: Michael Caine, Daniel Day-Lewis, Peter Finch, Dustin Hoffman, Jack Lemmon dhe Laurence Olivier. Duke pasur parasysh moshën dhe ritmin e punës, DiCaprio duket të jetë aktori i radhës për ta thyer këtë rekord. 

Dominimi i vazhdueshëm i “Sinners” dhe “One Battle After Another” në secilën kategori të filmave sugjeron se njerëzit janë të etur ta gjejnë veten në një botë të fragmentuar dhe plot habi

Robert Aramayo është emër i ri në listën e të nominuarve për çmimin “Aktori më i mirë”, por ky sukses do të rrisë ndjeshëm profilin e 33-vjeçarit, i njohur më parë për portretizimin e personazhit Ned Stark në serialin e popullarizuar, “Game of Thrones”. Në filmin biografik “I Swear”, ai luan rolin e John Davidson, një aktivist i sindromës Tourette, i cili u rrit me këtë gjendje në Skocinë e viteve ‘80, në një kohë kur ajo ishte pak e njohur dhe tejet e keqkuptuar. Biografia regjisorit dhe skenaristit Kirk Jones, e vlerësuar lart nga kritikët, pati gjithashtu sukses në arkat filmike, si dhe garon për çmim BAFTA edhe në kategori të tjera si: “Filmi më i mirë britanik”, “Skenari më i mirë origjinal”, “Aktori më i mirë në rol dytësor”, ku është nominuar Peter Mullan dhe “Kasta më e mirë në film”. 

Sipas kryetares së Akademisë Britanike të Filmit dhe Televizionit, Sara Putt, suksesi i këtij filmi është dëshmi e oreksit të publikut për “histori prekëse dhe autentike të përvojave të jetës reale”. 
Ndërkohë dominimi i vazhdueshëm i “Sinners” dhe “One Battle After Another” në secilën kategori të filmave sugjeron se njerëzit janë të etur ta gjejnë veten në një botë të fragmentuar dhe plot habi.
“Këta dy filma janë gjithashtu një triumf për kinemanë”, ka thënë Putt për “The Guardian”. 

Nominimet e këtij viti anojnë paksa në favor të filmave vendas, edhe jashtë kategorive të filmit më të mirë britanik. Aktoret Emily Watson dhe Carey Mulligan arritën të nominoheshin për çmimin “Aktorja më e mirë në rol dytësor”, kurse filmat “Pillion” dhe “The Ballad of Wallis Island” morën nominime në kategorinë e skenarit më të mirë të adaptuar.

Por në kategorinë për aktorin më të mirë, përveç Aramayos, asnjë nga të nominuarit këtë vit nuk është britanik dhe po ashtu asnjë nga gjashtë regjisorët e nominuar. Vetëm dy prej tyre – Coogler dhe Chloé Zhao nuk janë të bardhë dhe Zhao është e vetmja grua e nominuar, siç ndodhi edhe në “Oscars”.

“Ky rezultat tregon se ka ende rrugë të gjatë për t’u bërë, për regjisoret”, ka thënë Putt, derisa nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së ndërhyrjes në fazën e listës së gjatë. Si pjesë e reformës së madhe përbrenda Akademisë Britanike të Filmit dhe Televizionit, në vitin 2020 organizata prezantoi masa, përfshirë kuota, për të siguruar barazi gjinore për regjisorët në përzgjedhjen fillestare. 

Ceremonia e ndarjes së çmimeve sivjet mbahet më 22 shkurt dhe do të drejtohet nga komediani Alan Cumming. Ai e pranon këtë rol nga prezantuesi i edicionit të kaluar, David Tennant. Çmimet BAFTA janë ekuivalenti britanik i shpërblimeve nga Akademia e Filmit në Hollywood, “Oscars”.