Kitara e saj ka një muaj që qëndron e papërdorur në cep të dhomës. “Nuk kam dëshirë”, thotë muzikantja dhe kompozitorja gjeorgjiane 35-vjeçare Natuka Natsvlishvili. “Jam në depresion dhe nuk mendoj se kam të drejtë të rri në shtëpi e të merrem me muzikën time”.
Natsvlishvili është muzikante që prej moshës 15-vjeçare dhe ka regjistruar një album. Por, tani fokusi i saj ka ndryshuar.
“Ndjesia ime është se tani thjesht duhet të luftojmë”, thotë ajo duke shpjeguar se beson se qeveria e Gjeorgjisë kërcënon jo vetëm lirinë e saj si artiste, por edhe lirinë e vetë vendit.
Gjatë një viti e gjysmë së fundmi, vendi buzë Detit të Zi ka përjetuar valë protestash, që nisën në maj 2024 kundër të ashtuquajturit ligj për “agjentët e huaj”, i cili u jep autoriteteve të drejtën të ndërmarrin masa ndaj fondacioneve, organizatave të pavarura dhe mediave.
Kjo u pasua nga zemërimi publik ndaj fitores së kontestuar të partisë gjithnjë e më autoritare në pushtet. Ëndrra Gjeorgjiane, në zgjedhjet parlamentare të tetorit 2024, si dhe nga vendimi i qeverisë së re për të pezulluar bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian vetëm disa javë më vonë.
Qeveria populiste dhe konservatore u është përgjigjur protestuesve me dhunë, arrestime dhe burgosje. Organizata për të drejtat e njeriut “Amnesty International” e përshkruan këtë qasje si “abuzim sistematik të sistemit të drejtësisë për të heshtur kundërshtimin dhe për të ruajtur një klimë pandëshkueshmërie për shkeljet e të drejtave të njeriut”.
Në shtator, për shembull, aktori i njohur Andro Chichnadze dhe 18 persona të tjerë u dënuan për “prishje masive të rendit në grup” për pjesëmarrjen në demonstratat proevropiane dhe u dënuan me dy vjet burg.
Muzikantja Natsvlishvili merr shpesh pjesë në protestat para ndërtesës së parlamentit në Tbilisi. Ajo thotë se ka ndjesinë sikur qeveria po miraton vazhdimisht ligje të reja represive.
“Na fusin në burg edhe vetëm pse qëndrojmë në trotuar”, thotë Natsvlishvili, duke shtuar se frika dhe lufta e përditshme për të drejtat bazë po e mbytin krijimtarinë. “Në një të ardhme të afërt, nuk do të ketë më vend për art në këtë vend. Shprehja e lirë nuk është më e mirëpritur”.
David Apakidze, një artist pamor nga Tbilisi, thotë: “Arti tani ka kaluar në plan të dytë”. 27-vjeçari i referohet edhe presionit financiar që po ndiejnë artistët gjeorgjianë.
Shumë prej tyre varen nga mbështetja nga jashtë, por që prej hyrjes në fuqi të ligjit për agjentët e huaj, ka pasur pasiguri të madhe si për donatorët, ashtu edhe për përfituesit. Ligji kërkon që të gjitha mediat dhe OJQ-të që marrin më shumë se 20 për qind të financimit nga jashtë të regjistrohen dhe të identifikohen si “përfaqësuese të interesave të fuqive të huaja”.
“Është bërë e vështirë të ndjekësh punën si artist dhe njëkohësisht të mbijetosh financiarisht”, thotë Apakidze.
Ai krijon edhe objekte prej xhami shumëngjyrësh që kombinojnë elemente të krishterimit ortodoks me identitetin “queer” dhe për këtë arsye gjendet dyfish në shënjestër të qeverisë gjeorgjiane, e cila prej kohësh është e përkushtuar në luftën kundër asaj që e quan “propagandë LGBTQ”.
Në vitin 2024, u miratua një ligj që kufizon rëndë të drejtat e pakicave seksuale dhe synon t’i japë fund “propagandës së marrëdhënieve të të njëjtit seks”. Për Apakidzen, kjo do të thoshte që “Project Fungus”, një kolektiv artistësh “queer” që ai bashkëthemeloi në vitin 2020, duhej të mbyllej.
“Me gjithë këto ligje të reja, ishte shumë e rrezikshme të vazhdonim, si për ne, ashtu edhe për mbështetësit tanë financiarë”, thotë ai.
Apakidze ka qenë gjithashtu shënjestër e parlamentarëve armiqësorë. Njëri prej tyre e përshkroi librin që ai shkroi për “Project Fungus”, i cili hedh një vështrim mbi 100 vjet art “queer” në Gjeorgji, si “dezinformim dhe propagandë LGBTQ+”.
Pak më vonë, Apakidze dhe kolegët e tij u njoftuan se ambienti ku ishte planifikuar prezantimi i librit ishte ndaluar. “Ishte një situatë shumë frikësuese”, kujton Apakidze. “Por gjithsesi e zhvilluam prezantimin e librit në një vend tjetër, sepse e dinim që nëse nuk e bënim atëherë, nuk do ta bënim kurrë”.
Mariam Megvinyte ka gjithashtu përvojë të drejtpërdrejtë me këtë ngushtim të hapësirës publike të debatit. Skenaristja drejton një kolektiv teatri në Tbilisi së bashku me kolegë të saj. Një foto nga një shfaqje, ku dy gra të veshura pak si mace luftonin me njëra-tjetrën, shkaktoi komente plot urrejtje ndaj teatrit në rrjetet sociale.
“Ka pasur fyerje shumë të rënda. Një tjetër postim thoshte se nuk ishim gjeorgjianë të vërtetë, se ishim të ndikuar nga Perëndimi. Tani nuk postoj më asgjë në rrjetet sociale që mund të konsiderohet provokuese. Por as nuk e di më se çfarë është provokuese. Sot mund të jetë gjithçka”, thotë ajo.
Megvinyte përshkruan gjithashtu se si burra të panjohur kanë ardhur në teatër për të parë rreth e rrotull. Që prej asaj kohe, thotë ajo, në çdo shfaqje pyet veten nëse në publik ka njerëz që janë aty për të monitoruar çfarë ndodh në teatër.
Së fundmi, Megvinyte kaloi një periudhë në “Rezidenztheater” të Munihut dhe tani po kthehet në Gjeorgji. Teatri i saj në Tbilisi është ende i hapur, por ajo dyshon se autoritetet do t’ia vështirësojnë jetën asaj dhe kolegëve të saj.
A mund ta imagjinojë emigrimin? Është një mundësi, thotë ajo, sepse nuk mund ta përfytyrojë përmirësimin e situatës në Gjeorgji në të ardhmen e afërt. “Nga ana tjetër, do të ishte e çuditshme të largohesha”, thotë Megvinyte. “Kemi gjithë këta të burgosur politikë. Nuk mund t’i braktisësh aq thjesht. Ata janë në burg krejt rastësisht, por po aq rastësisht mund të kisha qenë unë”.