Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë: tri arsye për brengë për shëndetin e demokracisë

•    Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, në vetvete, nuk janë problem. Përkundrazi, fakti që ato përdoren për të zgjidhur kundërthëniet politike dhe mbahen brenda një rendi institucional është tregues i një niveli të avancuar të demokracisë.

•    Por problemi fillon kur zgjedhjet përsëriten brenda një kohe shumë të shkurtër. Kur mbahen zgjedhje disa muaj pas të mëparshmeve, pa ndryshuar asgjë thelbësore—në arsim, shëndetësi, ekonomi, siguri apo politikë të jashtme—atëherë ato nuk janë më instrument për zgjidhje të problemeve shoqërore. Ofertat politike mbeten të njëjta, dhe bashkë me to edhe mungesa e zgjidhjeve të reja.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

•    Në vend të kësaj, vendi hyn në zgjedhje për të zgjidhur kundërshtitë e prodhuara nga interesat partiake. Kjo është legjitime—partitë kanë të drejtë të mbrojnë interesat e tyre. Por duhet thënë qartë: nuk ka pasur pengesa procedurale apo kushtetuese që e kanë pamundësuar zgjedhjen e presidentit/presidentes. Pengesa kryesore ka qenë mungesa e vullnetit politik.

•    Në këto rrethana, zgjedhjet e ardhshme rrezikojnë të jenë më shumë garë për fajësimin e tjetrit sesa për ofrimin e zgjidhjeve. Dhe kjo ka një rezultat të parashikueshëm: më shumë polarizim, më pak hapësirë për interes të përbashkët.

Ndonëse lista e arsyeve për brengë është, siç shihet më e gjatë, po i shënoj tri prej tyre që marrin hapësirë madhore, që janë prodhuar në këta katër muajt e vitit dhe për të cilat mungon një konstatim i përbashkët në hapësirën publike:

1. Mungesa e konsensusit në një moment kritik global

Jetojmë në një botë që po përjeton ndryshimet më dramatike prej rënies së Murit të Berlinit. Në një moment të tillë, partitë politike do të duhej të zgjidhnin konsensusin në vend të garës. Ka munguar vullneti për konsensus; ka fituar vullneti për garë zgjedhore.

Qytetari i Kosovës ka arsye të jetë i brengosur kur gara partiake vihet mbi interesin e vendit.

2. Relativizimi i Kushtetutës në procesin e ndryshimit të saj

Më 5 mars 2026, Kuvendi i Kosovës diskutoi amendamentet kushtetuese në bazë të propozimit të presidentes. Nisma mund të ketë pasur shtytje politike apo emocionale, por nuk kishte mbështetje të mjaftueshme procedurale dhe as konsensus politik. Megjithatë, Kuvendi e legjitimoi këtë proces, duke ulur pragun e seriozitetit për një çështje të rëndësisë parësore siç është ndryshimi i Kushtetutës.

Qytetari i Kosovës ka arsye të jetë i brengosur kur institucionet më të larta i qasen me joseriozitet aktit themelor të shtetit.

3. Normalizimi politik i shkeljes kushtetuese

Më 6 mars, presidentja e vendit shpërndau Kuvendin, duke bërë shkeljen më të rëndë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës deri më tani. Ky akt u vlerësua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës si i pambështetur në Kushtetutë, pra pa efekt juridik, por kjo nuk evitoi efektin politik, ngase një veprim i këtillë nuk mori dënimin unanim të sferës publike e të partive politike në veçanti.

Qytetari i Kosovës ka arsye të jetë i brengosur me lehtësinë me të cilën një shkelje kaq e rëndë u legjitimua politikisht nga një pjesë e spektrit politik dhe nuk mori një dënim të qartë dhe të përbashkët.

Nëse këto tri zhvillime  mbeten pa një reflektim të përbashkët dhe pa një vijë të qartë ndarëse mes të pranueshmes dhe të papranueshmes, atëherë zgjedhjet nuk do të jenë zgjidhje, por vazhdim i krizës me mjete të tjera. Demokracia nuk matet vetëm me faktin që votohet, por me respektimin e rregullave mbi të cilat votohet. Dhe pa një konsensus minimal mbi këto rregulla, pra mbi kufijtë e pushtetit, mbi rolin e Kushtetutës dhe mbi seriozitetin e institucioneve çdo cikël zgjedhor rrezikon të prodhojë të njëjtën që kemi sot.