“Antologjia e poezisë moderne shqipe” si përmbledhje me poezi të përkthyera nga Naim Kryeziu dhe e botuar nga “Xanthippe Verlag” në Cyrih të Zvicrës. Për përkthyesin e studiuesin, vepra kërkon më shumë se njohje gjuhësore, ndjeshmëri e dashuri ndaj poezisë. Shkrimtarë e studiues konsiderojnë se përkthimi i veprës shqipe në gjuhë të tjera është i paktë dhe se një gjë e tillë është e domosdoshme. Si hap më shumë drejt njohjes së poezisë shqipe në arenën ndërkombëtare është përmbledhja e nga tri poezive të gjithsej 50 krijuesve shqiptarë nga të gjitha trevat
Jo rrallë poezia shqipe flet në gjuhë të huaja. Veçmas në atë gjermane krijimtaria letrare e Kosovës ka gjetur botime kohë pas kohe. Por kësaj here në formën e një antologjie. “Antologjia e poezisë moderne shqipe” si përmbledhje me poezi të përkthyera nga Naim Kryeziu, i cili edhe ka përgatitur librin, është botuar nga “Xanthippe Verlag” në Cyrih të Zvicrës. Për përkthyesin e studiuesin, vepra kërkon më shumë se njohje gjuhësore, ndjeshmëri e dashuri ndaj poezisë.
Shkrimtarë e studiues konsiderojnë se përkthimi i veprës shqipe në gjuhë të tjera është i paktë dhe se një gjë e tillë është e domosdoshme. Si hap më shumë drejt njohjes së poezisë shqipe në arenën ndërkombëtare është përmbledhja e nga tri poezive të gjithsej 50 krijuesve shqiptarë nga gjithë trevat.
Autorët janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, diaspora dhe arbëreshët e Italisë. Siç ka bërë me dije Kryeziu, kjo përmbledhje në kuptimin kohor shtrihet që nga Esad Mekuli e deri tek Ag Apolloni.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në këtë antologji që është përkthyer nga shqipja në gjermanisht, pra janë përzgjedhur pesëdhjetë autorë, prej Esad Mekulit e deri tek Ag Apolloni. Natyrisht që motivet janë të ndryshme, që të jetë një larmi e këtyre poezive. Qëllimi kryesor ka qenë që t'ia prezantojmë publikut evropian një kulturë, një traditë të poezisë shqipe”, ka bërë me dije ai për KOHËN.
Për të, ky projekt përfaqëson më shumë se përkthime poezish. Është edhe një akt i dashurisë ndaj poezisë e gjuhës dhe ky është kushti i tij për të përkthyer një vepër.
“Si kusht kryesor për përkthimin e autorëve tuaj ose të ndonjë romani, drame apo edhe lirikë, edhe poezi, së pari duhet t'u pëlqejë. Përkthyesi duhet të admirojë edhe shkrimtarin, poetin, po edhe poezinë.
Për shembull, nëse një poezi nuk i pëlqen përkthyesit, e ka vështirë ta përkthejë me pasion. Do të thotë, poezia, krijimtaria letrare e autorit duhet t'i pëlqejë përkthyesit. Ky është kushti i parë”, është shprehur ai.
Përzgjedhja e autorëve, sipas tij, është bërë mbi bazën e vlerave artistike të poezisë dhe mbi atë të emrave të shkrimtarëve e titujve të veprave.
“Ka pasur edhe shkrimtarë të tjerë të cilët nuk janë përfshirë këtu, edhe nga pamundësia për t'i futur të gjithë, mirëpo si kriter kryesor ka qenë poezia. Për shembull, kemi edhe akademikë që shkruajnë poezi, por mua poezia e tyre, e disave, nuk më ka pëlqyer edhe pastaj edhe nuk e kam përkthyer. Do të thotë, kriteri kryesor është vlera e poezisë. Çfarë vlera ka, çfarë mesazhi ka, çfarë realiteti shoqëror ajo na formëson por, prapë mbetem aty se kriteri kryesor ka qenë vlera e poezisë”, është shprehur Naim Kryeziu, i cili hapat e parë drejt gjuhës gjermane i mori në qytetin e Baselit duke ndjekur kurs katër vjeçar.
Më pas vazhdoi studimet për Gjuhë dhe Letërsi Gjermane në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare në shkencat e letërsisë. Në vitin 2012, me udhëheqës shkencor akademikun austriak Karl Wagner, mbron temën e disertacionit me titull ”Vepra letrare e Hajnrih Hajnes dhe recepcioni i saj te shqiptarët“ dhe emërohet si profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës, në departamentin për Gjuhë e Letërsi Gjermane.
Sipas tij, përkthimi i poezisë është sfidë më e madhe se ajo e prozës.
“Poezia në krahasim me prozën është natyrisht më e vështirë të përkthehet sepse është më e ngjeshur në krahasim me prozën, se në prozë kemi paragrafë të gjatë, ndërsa në poezi me vargje mund të shprehesh shumë, mirëpo duhet të shprehesh me pak fjalë. Kështu që është një sfidë më e madhe. Duhet të koncentrohesh më shumë për ta përkthyer stilin, kuptimin, mesazhin dhe simbolikën e vargut”, ka konsideruar Kryeziu, përkthyes i shumë veprave të rëndësishme nga gjuha gjermane në atë shqipe dhe anasjelltas.
Në fushën e përkthimit letrar ka përkthyer nga shqipja në gjermanisht vëllimet me poezi “Ndiz dritën magjike”, “Zogj të plagosur” dhe “Atëherë poeti tha” të poetëve të ndryshëm kosovarë. Ndërkaq, nga gjermanishtja në shqip ka përkthyer librin e autores zvicerane Yvonne-Denise Köchli me titull “Frauen, wollt ihr noch 962 Jahre warten?”, më pas romanin “Dyshimi” të shkrimtarit të shquar zviceran, Friedrich Dürrenmatt, veprën eseistike me titull “Das Gewissen der Worte” të nobelistit Elias Canetti dhe në vitin 2022 ka përkthyer edhe veprën madhore “Shtatë legjendat” të shkrimtarit zviceran Gotfrid Kelerit.
Për përkthimin e veprës së nobelistit Elias Canetti, i është dhënë çmimi i dytë nga Kancelaria Federale e Austrisë. Ndër të tjera, është marrë dhe merret vazhdimisht edhe me botimin e punimeve shkencore në fushën e letërsisë e të përkthimit letrar.
Në antologji, secili nga autorët përfaqësohet me nga tri poezi, që sipas Kryeziut, përbëjnë një mozaik të gjerë tematikash.
“Tematikat kryesore fillojnë, si në çdo krijimtari letrare, dashuria, pastaj dihet historia jonë shqiptare, sidomos kosovare, është e përshkruar me dhimbje, me trysni. Ne e dimë se kemi qenë nën sundim, së pari të turqve, pastaj edhe kemi pasur telashe me serbët, kështu që motivet kryesore janë dashuria, dhimbja për atdhe, shpresa, por edhe patriotizmi”, ka bërë me dije Kryeziu duke thënë se antologjinë e ka përkthyer me shumë kënaqësi. Kjo punë i ka marrë kohë më shumë se një vit.
Libri është botuar nga shtëpia botuese “Xanthippe Verlag” në Cyrih të Zvicër, e njohur për traditën e saj në fushën e letërsisë evropiane. Është shtëpi e pavarur botuese e themeluar në vitin 2003 gazetarja dhe botuesja Yvonne-Denise Köchli. Vepra e saj “Diplomate e palëkundur-Micheline Calmy-Rey” ishte përkthyer në shqip nga vetë Kryeziu. Kjo shtëpi botuese pati përkthyer romanin “Një fije shprese, një fije shkrepse” të Ag Apollonit.
Sipas prezantimit të shtëpisë botuese, ajo është e specializuar në libra jofiksion të nivelit të lartë duke trajtuar tema shoqërore dhe politike me një stil investigativ. Aty shkruhet se pikat kryesore të tyre janë çështjet gjinore, historitë bashkëkohore dhe analiza.
“Antologjia e poezisë moderne shqipe” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, por puna krijuese dhe përzgjedhja kanë qenë plotësisht në dorë të përkthyesit.
“Unë bëj përkthime nga pasioni, po jo përkthime komerciale. Nëse më thotë ndonjë autor, ndonjë shkrimtar ta përkthejë një vepër të tij, nëse nuk më pëlqen vepra e tij, atëherë nuk e përkthej. Mundohem t'i përkthej vetëm ato krijime letrare që kanë vlera vërtet artistike”, është shprehur përkthyesi Kryeziu.
Aty janë poezi të autorëve si: Esad Mekuli, Vorea Ujko, Zef Zorba, Martin Camaj, Enver Gjerçeku, Fatos Arapi, Din Mehmeti, Mihal Hanxhari, Dritëro Agolli, Dhori Qirjazi, Muhamet Kërveshi, Ismail Kadare, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Frederik Reshpja, Ali Podrimja, Zef Skiro Si Maxhi, Musa Ramadani, Xhevahir Spahiu, Beqir Musliu, Ibrahim Kadriu, Agim Vinca, Bardhyl Londo, Natasha Lako, Demë Topalli e Flora Brovina.
Gjithashtu janë edhe poezitë e krijuesve Moikom Zeqos, Edi Shkuriut, Visar Zhitit, Skënder Rusit, Adem Gashit, Ibrahim Berishës, Milazim Krasniqit, Mario Bellizit, Qibrije Demirit-Frangut, Sali Bashotës, Basri Çapriqit, Osman Gashit, Mimoza Ahmetit, Arian Lekajt, Agron Tufës, Naime Beqirajt, Luljeta Lleshanakut, Lulzim Tafës, Salajdin Salihut, Ervin Hatibit, Entela Kasit, Ledia Dushit e Ag Apollonit.
Ekzemplarë të kësaj vepre është bërë me dije se janë bërë pjesë e bibliotekës së kryeqytetit “Hivzi Sulejmani”. Kështu ka njoftuar poetja Naime Beqiraj, udhëheqëse e institucionit.
“Përkthimi i poezive në gjuhën gjermane e vendos poezinë shqipe në dialog me traditat evropiane dhe e afirmon atë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar ajo.
Poezitë e akademik Sabri Hamitit janë gjithashtu aty. Hamiti, në një postim, e ka konsideruar këtë vepër si “panoramë të poezisë bashkëkohore shqipe”. Ka bërë me dije se në këtë përmbledhje janë poezitë e tyre “Çamëria”, “Dhjata” dhe “Fantazia”.
Nëpërmjet zërit të përkthyesit të veprës, poezia shqipe shkon përtej kufijve politikë e gjuhësorë.