I shumëpritur ishte cilësuar implementimi i projektit gati 2.3 milionë eurosh në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut por ankesa e grupit të kompanive punëkryese në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, i ka hapur rrugë zvarritjes së nisjes së punimeve. Arkeologu i Institutit Arkeologjik të Prishtinës, Elvis Shala, i cili u prin punimeve në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut ka thënë se vonesat s’shkojnë në favor të lokalitetit
Lokaliteti arkeologjik i Dresnikut të Klinës është prej atyre me më potencial në vend. Pas hapjes për vizitorë të Parkut Arkeologjik të Ulpianës dhe ndërhyrjes në Kalanë e Prizrenit, “Konservimi dhe Zhvillimi i Lokalitetit Arkeologjik të Dresnikut – Klinë” mund të konsiderohet prej ndërmarrjeve më të mëdha të shtetit në raport me trashëgiminë arkeologjike. Me afro 2.3 milionë euro Ministria e Kulturës synon që lokalitetin me mozaikë unikë në dysheme ta bëjë të vizitueshëm. Por pas zgjedhjes së grupit të kompanive punëkryese, një grup i operatorëve ekonomikë ka bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Në përvojat e Ministrisë së Kulturës ankesat e tilla nganjëherë i kanë prolonguar proceset e ndërhyrjes deri në një vit. Ankesa aktuale mund të ndikojë në mosnisjen e punimeve të paktën disa muaj. Për ata që merren në mënyrë sistematike me këtë lokalitet, ankesat në OSHP, s’janë aspak lajm i mirë.
Në mars të këtij viti institucioni më i lartë kulturor në vend qe përcaktuar që implementimin e projektit me potencial shumë të madh për arkeologjinë, ta bëjë grupi i operatorëve ekonomikë “N.N. 100% Design” dhe “Termoizolimi” për dy milionë e 276 mijë euro. Një kompani nga Shqipëria me ofertë prej 1.8 milionë eurosh qe eliminuar gjatë procedurës së prokurimit pasi sipas vlerësimit s’i plotësonte kriteret. Kurse grupi i operatorëve ekonomikë “Limit Project Sh.P.K, Rinesa Sh.P.K dhe Delta – CCD Sh.P.K” me ofertë prej dy milionë e 399 qe shpallur i pasuksesshëm. Pikërisht ky grup operatorësh pas një ankese në Ministrinë e Kulturës, e cila s’është miratuar, i është drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNëpërmjet ankesës pretendohet se operatori ekonomik fitues s’plotëson kriterin e qarkullimit të 4.9 milionë eurove në tre vjetët e fundit. Ankesa pretendon se përfituesit e tenderit s’e kanë krejt stafin profesional të kërkuar. Bëhet fjalë për arkeolog me licencë të nivelit A4. Pastaj ka pretendime se grupi i operatorëve i shpallur fitues mund të ketë më shumë se tri kontrata aktive me MKRS-në duke e përdorur stafin e njëjtë. Pretendohet se operatori fitues s’ka paraqitur listën e së paku 20 punëtorëve profesionalë e po ashtu listën e pajisjeve të kërkuara. Ankuesit pretendojnë se MKRS-ja ka shkelur disa nene të Ligjit të prokurimit publik.
Arkeologu i Institutit Arkeologjik të Prishtinës, Elvis Shala, i cili u prin punimeve në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut ka thënë se vonesat në nisjen e punimeve s’shkojnë në favor të lokalitetit.
“Sa më herët që nis implementimi është më mirë për ne, pra për qytetarët që duan ta vizitojnë lokalitetin. Projektet si shpronësimi, konservimi e hapja për vizitorë janë në të mirë të publikut. Jo vetëm për atë komunë dhe vendet përreth por për mbarë vendin e vizitorët e jashtëm”, ka thënë ai.
Projekti i hartuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Fondacioni për Trashëgimi Kulturore pa Kufij (CHwB Kosova) e shndërron këtë lokalitet në Dresnik të Klinës në alamet hapësire. Bëhet fjalë për punimet rrethanore e infrastrukturore, ku përfshihet edhe mbuloja e mozaikëve unikë në këto anë. Konstruksioni metalik pritet t’u bëjë strehë mozaikëve në mënyrë që të kenë mbrojtje nga kushtet atmosferike. Bëhet fjalë për mbetjet e pallatit kryesor të lokalitetit. Pjesët e tjera të kompleksit, që mendohet të ketë qenë vilë perandorake, do të jenë të hapura ndaj ambientit. Është ai që tashmë njihet si pallati i dytë bashkë me ndërtesën e tretë. Mbetjet e një pjese të murit rrethues e të kullës vrojtuese do të jenë në dispozicion të publikut po ashtu. Sipas projektit, ndërtesa multifunksionale do të ketë hapësira për stafin, një lloj galerie, një tip kafeneje e hapësira të tjera. Kurse amfiteatri i hapur do të shërbejë për aktivitete të ndryshme kulturore. Krejt kjo afër një hapësire me gjelbërim e vendparkingje. Nëse projekti realizohet siç është paraparë, Dresniku mund të shndërrohet në një atraksion më vete.
Arkeologu Shala kishte thënë se qëllimi është të krijohet një destinacion atraktiv, ku përveç aktiviteteve kulturore, Dresniku dhe hapësirat përreth të shfrytëzohen edhe për trajnime të ndryshme, si dhe të shndërrohen në një qendër rrjetëzimi për shkencëtarët.
“Kjo qendër do të ofrojë mundësi që studiuesit të takohen dhe të përdorin hapësirat për hulumtime në rajon. Përveç hapësirave për vizitorët, do të ketë edhe ambiente të posaçme që mund të shfrytëzohen si laboratorë”, kishte thënë ai. E arkitekti Nol Binakaj nga “CHwB Kosova”, që bashkë me udhëheqësin e gërmimeve në Dresnik, arkeologun Shala, kanë çuar përpara projektin, kur ishte hapur tenderi kishte thënë se plani i ndërhyrjes bashkë me masterplanin janë finalizuar dhe implementimi është një lajm tejet i mirë.
“Në bazë të propozimit tonë tenderi e parasheh vetëm ndërtimin e strukturave të reja. Qasja jonë ka qenë që të bëhet lokaliteti i vizitueshëm. Është paraparë ndërtim konvencional që bëhet në Kosovë nga operatorët ekonomikë në vend. Konservimin e strukturave ekzistuese dhe mozaikëve, sipas të gjitha gjasave, do ta bëjë stafi i Institutit Arkeologjik të Kosovës”, kishte thënë ai. Financimi i hartimit të projektit qe bërë nga Fondi i Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Realisht qenë fondet e SHBA-së që kishin rikthyer vëmendjen te Dresniku i harruar qysh prej vitit 2019. Memorandumi i bashkëfinancimit për të përkrahur projektin “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik të Dresnikut” midis Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministrisë së Kulturës siguronte 150 mijë dollarë (141 mijë e 849 euro) në kuadër të Fondit të Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore. Në anën tjetër, Ministria e Kulturës kishte ndarë 51 mijë e 830 euro.
Projekti që nisi në shtatorin e vitit 2023 zgjati deri në qershorin e vitit 2025.
Lokaliteti i shekujve të parë të erës sonë, që gjendet afër Klinës, u shpronësua në fund të vitit 2023, gjë që u kishte hapur rrugë edhe më shumë investimeve. Sipas hapave që janë ndërmarrë deri më tani, pritet që kjo hapësirë të jetë prej më tërheqëseve sa i përket trashëgimisë kulturore.
Vendimi i Qeverisë për shpronësim ishte parë tejet i rëndësishëm për lokalitetin arkeologjik, i cili që prej vitit 2016 është futur në listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme me perimetër 16.72 hektarë. Zonë e mbrojtur llogariten 64 hektarë. Por, shtetëzimi kap pak më shumë sesa dhjetë për qind të kësaj hapësire. Shpronësimi ishte vlerësuar si investimi kryesor në lokalitet nga arkeologu që u prin punimeve, Elvis Shala.
Shpronësimi në Dresnik, që shtrihej në prona private, ka qenë një temë prejse doli në pah mozaiku unik më 2013, kur punimeve u printe arkeologu tash i pensionuar, Masar Valla.
Lokalitetin arkeologjik të Dresnikut rreth 1.5 kilometra në lindje të qytetit të Klinës, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore e cilëson si një prej lokaliteteve arkeologjike më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Në gërmimet e viteve 2012-2015 janë identifikuar disa monumente arkitekturore, prej të cilave veçohet Aula me përmasa të mëdha.