Kulturë

Akademia bashkon muzikantët në festën me veprat e Dhomit

Prishtinë, 18 dhjetor – Një dashuri në kohërat më të vështira: Trimori dhe Pafika lidhen me njëri-tjetrin mu atëherë kur Kaçaniku dridhej nga kryengritja shqiptare kundër pushtuesve osmanë.

Me këtë syzhe, opera e parë në Kosovë “Goca e Kaçanikut”, e kompozitorit Rauf Dhomi, është ripërjetuar edhe dyzet vjet më vonë. Të shoqëruar nga anëtaret e asamblit “Zanat”, sopranoja Mariana Leka, tenori Armaldo Kllogjeri dhe pianistja Lule Elezi kanë interpretuar aktin e parë të “Gocës së Kaçanikut” në sallën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

E kjo ishte vetëm një nga pjesët e përzgjedhura në koncertin festiv të organizuar të hënën në mbrëmje nga Seksioni i Arteve të ASHAK-ut për nder të veprimtarisë së kompozitorit Rauf Dhomi.

Në sallën e mbushur përplot, e stolisur me dekorimet festive të fundvitit, solistë e instrumentistë nga Prishtina, Tirana, Prizreni, Vjena, Berlini e Parisi kanë interpretuar për dy orë pjesë të përzgjedhura nga krijimtaria e kompozitorit 74-vjeçar. Me përshëndetjen për ta e ka nisur fjalën e tij gjatë ceremonisë hapëse akademik Luan Mulliqi.

“Ne krenohemi me arritjet tuaja kudo në metropolet evropiane. Edhe ASHAK-u ka pasur sivjet arritje të shumta e njëra prej tyre ka qenë edhe projekti i ‘Fjalorit Enciklopedik’ si një vepër me rëndësi për identitetin tonë kombëtar”, ka thënë Mulliqi.

E në radhët e para të rezervuara për akademikë ishin të ulur edhe mysafirët nga Tirana, Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe dirigjenti Zhani Ciko. Ky i fundit, si kurator i koncertit, e ka vlerësuar si “ngjarje shumë të rëndësishme” për dy akademitë shqiptare.

E dirigjenti nga Tirana ka përmendur edhe marshin “Bashkimi i Shqipërisë” që ishte kompozuar nga dirigjenti shkodran Palokë Kurti.

Rauf Dhomi, ka vijuar më tej Ciko, shquhet me krijimet e tij patriotike me frymëzime nga shkrimtarët e Rilindjes e ata arbëreshë.

Sipari i koncertit festiv është hapur me një duo për kitarë nga Xhulian dhe Elvis Bytyqi. Më vonë, Xhuliani interpretoi me kitarë edhe “Serenata blue” e interpretuar premierë botërore.

Nën shoqërimin e pianistit Menan Berveniku, sopronoja Lorika Ismajli ka drithëruar të pranishmit me interpretimin e saj virtuoz të “Aria e Marlules”, që ishte akti i dytë nga opera “Dasma arbëreshe”.

Pianistja Lule Elezi ka shoqëruar sopranon Adelina Paloja në interpretimin e “La Mia Vita” të Randellit dhe “Kopshti i dashurisë” me tekst të Çajupit, kompozuar nga Dhomi më 1984. Pjesa në vazhdim ishte e rezervuar për aktin e parë nga “Dasma arbëreshe”. Shkodrania virtuoze, Mariana Leka, tenori Armaldo Kllogjeri, baritonët Armando Likaj e Denik Prizreni kanë interpretuar operën që rikrijon një pjesë të historisë së shqiptarëve të mërguar në Itali pas vdekjes së Skënderbeut.

E kumbi i “Dasmës arbëreshe” ka marrë një ngjyrim emocional edhe nga shoqërimi i anëtarëve të ansamblit vokal “Zanat”, “Kori i Burrave” dhe “Kori i fëmijëve”.

Momentet në vazhdim i ka plotësuar violinisti durrësak Daniel Vlashi, i cili ka interpretuar disa variacione për violinë solo.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)