Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Adem Demaçi – zëri i popullit që s’i dha llogari asnjë tabori politik

Tryeza njëditore shkencore “Trashëgimia demaçiane – vlerë unike kombëtare”

Tryeza njëditore shkencore “Trashëgimia demaçiane – vlerë unike kombëtare” në 90-vjetorin e lindjes së disidentit e shkrimtarit të shquar, organizuar të mërkurën në Prishtinë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”

Tryeza shkencore në 90-vjetorin e lindjes së Adem Demaçit, ka risjellë figurën shumëdimensionale të njërit prej personaliteteve më të rëndësishme të historisë bashkëkohore shqiptare, me të cilin “shqiptarët mund të krenohen para botës”. Prej veprimtarisë së tij për çështjen kombëtare, tek ajo letrare e gjuhësore, tryeza ka prekur edhe një tjetër aspekt: atë të vendimit të tij që “të mbetej një përfaqësues sui generis i zërit të popullit” që nuk “i dha llogari asnjë lideri dhe asnjë tarafi politik”. Për këtë në tryezë është thënë se “elitat politike kanë hezituar ta kenë afër”

Janë shkruar mijëra faqe për të, janë botuar qindra libra e janë mbajtur dhjetëra tryeza a tubime përkujtimore, por përherë, për Adem Demaçin mbetet diçka pa u thënë. Sepse për të përherë ka çfarë të thuhet. Figura e tij është e tillë, shumëdimensionale që vazhdon të shëmbëllejë edhe sot.

Me këso synimesh, të mërkurën është mbajtur tryeza njëditore shkencore “Trashëgimia demaçiane – vlerë unike kombëtare”, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”. Ani pse jo pikërisht në ditëlindje, tryeza ka shënuar 90-vjetorin e lindjes së Demaçit, të cilin Teuta Peli, drejtoreshë e Institutit të Historisë, në fjalën hyrëse tok me Fadil Grajçevcin, ushtrues detyre i drejtorit të Institutit Albanologjik, e ka cilësuar “një prej figurave më të rëndësishme të historisë bashkëkohore shqiptare”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Figura e Adem Demaçit zë një vend të veçantë të historisë politike, shoqërore, e kulturore jo vetëm në Kosovë por në tërë hapësirat shqiptare. Ai ishte një intelektual i përkushtuar, shkrimtar me vizion, një veprimtar i palodhur për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve”, ka thënë shkurtazi ajo.

Seanca e kumtesave ka sjellë këndvështrime nga shumë dimensione të figurës së Demaçit (26 shkurt 1936 – 26 korrik 2018).

Studiuesi Hysen Matoshi ka thënë se me profilin e Adem Demaçit “shqiptarët mund të dalin para botës dhe të krenohen me arritjet të cilave u parapriu si ideolog dhe si intelektual i angazhuar, arritje që ndryshuan statusin e tyre në rajon dhe më gjerë”.

Por Matoshi, ka pasur edhe një kritikë. Adresa – elitat politike. Sipas tij, në një perceptim të përgjithshëm, ka thënë se ka bindjen që vepra e tij e sidomos veprimtaria e tij shumëplanëshe “nuk është prezantuar në nivelin e duhur të vlerave dhe jo sidomos sa i përket ndikimit që patën në rrjedhojat e përgjithshme të zhvillimit historik”.

“Kjo për bindjen time ka ndodhur për shkak të një mendësie mbizotëruese në jetën tonë shoqërore që njëjtëson personalitetin e shquar historik me autoritetin e veshur, me autoritetin e ushtruar për një kohë të caktuar”, ka thënë ai. “Trashëgimia kombëtare e Adem Demaçit” ka qenë titulli i kumtesës së tij. Ndër të tjera, sipas Matoshit, ai “nuk mori përgjegjësi si të mbrohet pushteti”. Ka dhënë edhe shembuj konkretë.

“Hiq faktin se për një kohë të shkurtër ishte drejtor i Bordit të RTK-së nga i cili post, ndonëse një përgjegjësi minore, shumë shpejt u tërhoq.   Ndryshe nga disidentët e tjerë të bllokut socialist – të cilët qoftë edhe duke trilluar njëfarë disidence latente, shijuan ëmbëlsinë pushtetore – Adem Demaçi vendosi të mbetej një përfaqësues sui generis i zërit të popullit,  deshi të mbetet zëri politik e korrektues i shoqërisë dhe i kombit në disa raste, i cili për veprimet dhe pikëpamjet e tij krejtësisht unike, nuk i dha llogari asnjë lideri dhe asnjë tarafi politik”, ka thënë Matoshi.

Për këtë sipas tij “elitat politike kanë hezituar ta kenë afër”. E Demaçin më shumë e kanë nderuar të huajt.

Historiani Arbër Hadri, ka zbërthyer “Rolin e Adem Demaçit në përfaqësimin politik dhe masivizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1998-1999)”. Ka thënë se veprimtaria e tij tejkalon dimensionin e rezistencës individuale.

“Ajo shtrihet në organizimin e një lëvizjeje politike kombëtare e cila synonte jo vetëm mobilizimin e popullit shqiptar kundër okupimit jugosllav dhe më pas aparteidit serb, por ndërtimin e një vetëdijeje kolektive për të drejtën e vetëvendosjes si parakusht për realizimin e barazisë dhe lirisë”, ka thënë Hadri duke shtuar se Demaçi kontribuoi në masivizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ndërtimin e një diskursi që e bënte luftën e UÇK-së, të kuptueshme dhe të pranueshme për një audiencë më të gjerë ndërkombëtare duke e lidhur atë me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtën për vetëvendosje.

“Kontributi i Adem Demaçit në masovizimin e luftës së UÇK-së, ishte i jashtëzakonshëm dhe shumëdimensional. Roli i tij ilustron mënyrën se si një figurë me autoritet të lartë moral mund të ndikojë në transformimin e një lëvizjeje të fshehtë në një subjekt me legjitimitet të gjerë shoqëror duke lënë trashëgimi më të çmueshme në historinë e Kosovës – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Në biografinë zyrtare të tij, shkruhet se me prejardhje nga fshati Lupç i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera. Pak pas botimit të romanit të tij të parë “Gjarpijtë e gjakut”, Demaçi në nëntor të vitit 1958 do të arrestohej. Pas një procesi të shpejtë gjyqësor, Gjyqi Suprem i Serbisë ia vërtetoi dënimin në tre vjet, të cilat i vuajti në kazamatin e Mitrovicës së Sremit në Vojvodinë. Ai do të burgosej sërish në vitet 1964-1974 dhe 1975-1990, sa në vitet ‘80 konsiderohej si më i shquari disident politik në Jugosllavi. Pas lirimit nga burgu më 28 prill 1990, Demaçi do të angazhohej në fushën e të drejtave të njeriut dhe, më 1991 u bë kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Më 1991, ai do të nderohej me çmimin “Sakharov” për Lirinë e Mendimit nga Parlamenti Evropian në Strasburg. Udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Si shkrimtar i njohur e veprimtar për të drejtat e njeriut, Demaçi vazhdimisht ka bërë edhe thirrje që njerëzit të pajisen me dije.

Te letërsia e Adem Demaçit është përqendruar Fadil Grajçevci në tryezën e së mërkurës. Ka thënë se vepra letrare e Adem Demaçit, “sidomos ajo e krijuar në vitet ’50, para burgosjes së tij, duke pasur parasysh kontekstin e krijimit të saj, ka një rëndësi të veçantë historiko-letrare”.

“Vepra e tij letrare djaloshare, me vlerën e saj artistike, kulturore, historike e dokumentare, Adem Demaçin e bën një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqipe që u krijua jashtë kufijve politikë të Shqipërisë në dy dekadat e para të pasluftës së Dytë Botërore. Si e tillë, letërsia e paraburgut e Adem Demaçit, kurdo që flitet për letërsinë shqipe në njërin krah të saj, atë të dy dhjetëvjetëshave të parë të pasluftës së Dytë Botërore, zë njërin nga vendet më të rëndësishme”, ka thënë ai.

Studiuesit Fatmir Arifi e Allbulenë Halili, kanë sjellë kumtesën “Filozofia politike e Adem Demaçit: koncepti i alamgamës ideologjike shqiptare” e historiani Nuridin Ahmeti ka risjellë një intervistë të Zekeria Canës për personalitetin e Demaçit.

Gjuhëtari Faton Krasniqi, ka shpalosur një analizë të thukët për fjalëformimin në krijimtarinë letrare të Demaçit. Sipas tij, në letërsinë shqipe, ai është një nga autorët që e dëshmon më qartë potencialin krijues të gjuhës.

“Krijimtaria e tij karakterizohet nga një gjuhë e pasur, e gjallë dhe e larmishme, e cila mbështetet fuqishëm në mundësitë e shumta të fjalëformimit. Përmes përdorimit të parashtesave, prapashtesave, kompozimit, përngjitjes, nyjëzimit dhe konversionit, Demaçi arrin të krijojë një leksik të dendur dhe të ngarkuar me kuptime, duke i dhënë prozës së tij një intensitet të veçantë artistik dhe emocional”, ka thënë ai duke shtuar se krijimtaria letrare e Demaçit paraqet një fushë shumë të pasur studimi.

“Në veprat e tij gjuha nuk shërben vetëm si mjet komunikimi, por edhe si mjet krijimi artistik. Autori shfrytëzon në mënyrë të ndërgjegjshme potencialin e fjalëformimit për të ndërtuar forma të reja shprehjeje dhe për të krijuar një ligjërim të gjallë dhe të fuqishëm”, ka thënë Krasniqi.

Për veprimtarinë e tij Demaçi kaherë është krahasuar me Nelson Mandelan e në letërsi me shkrimtarin e intelektualin e shquar izraelit Amos Oz.

Te krahasimi me nobelistin e paqes është ndalur Haxhi Ademi, në kumtesën “Nga disident në simbol kombëtar: trajektoret e përbashkëta të Demaçit dhe Mandelës”. Ka thënë se Demaçi, i njohur si “Mandela i Evropës”, vuajti 28 vjet në burgjet jugosllave, ndërsa Mandela 27 vjet në Afrikën e Jugut.

“Për Mandelën dhe Demaçin, lumturia e popullit të tyre vjen nga liria dhe liria vjen nga guximi – sipas idealit të tyre, nuk mund ta kesh njërën pa tjetrën. Veprimtaria e Demaçit dhe Mandelës përbën një nga shembujt më domethënës të rezistencës kundër shtypjes në historinë moderne”, ka thënë Ademi duke shtuar se Demaçi nuk ishte vetëm vetëmohues, por vetëmohues me paramendim.

“Ai e dinte se populli i shtypur mund të qëndronte vetëm duke rezistuar.

Nuk kishte asnjë mospërputhje midis fjalës dhe veprimit të tij. Të gjithë veprimtarët e lëvizjeve ilegale janë frymëzuar nga ai. Ai ishte një figurë e papërsëritshme”, ka thënë Ademi.

Ka kohë që figura e Adem Demaçit cilësohet e papërsëritshme e për të cilin veprat e fjalët nuk sosen dot. Sepse për të përherë ka çfarë të thuhet e vepra e tij vazhdon të flasë edhe sot. Si zë i popullit.