Si epokë më vete është cilësuar ajo në të cilën jetoi e veproi Adem Demaçi, zëri i ndërgjegjes kombëtare, simbolit të rezistencës paqësore, i sakrificës dhe i përkushtimit të palëkundur për liri. Me veprën trivëllimëshe “Rrugëtimi me Adem Demaçin” të Selatin Novosellës është shënuar 90-vjetori i lindjes së figurës unike të kombit e pikërisht në përurim është ngritur alarmi se shtëpia e tij monument, po rrënohet e tok me të edhe rrëfimi që mund të ruhet aty
Epokë më vete është ajo në të cilën ka jetuar Adem Demaçi. Ishin ideali e sakrifica e tij për t’u shndërruar në dritë për brezat më pas. Dritë që shndrit përherë. Data 26 shkurt e vitit 1936 është e përjetësuar në kalendarin shqiptar, si ditëlindja e simbolit të rezistencës paqësore, i sakrificës dhe i përkushtimit të palëkundur ndaj lirisë dhe të drejtave kombëtare. Të enjten, kur janë mbushur 90 vjet nga lindja e Adem Demaçit, nderimi për të është përkthyer edhe në vepra që përvitshëm flasin për qëndresën, sakrificën dhe besimin e tij të palëkundur në liri. Por është ngritur edhe një alarm: trashëgimia e tij po rrënohet.
Selatin Novosella ka përuruar veprën e tij të radhës, “Rrugëtimi me Adem Demaçin” në tri vëllime. Autori i veprës që pati rastin të takohej me Demaçin prapa grilave të burgut, ka thënë se ishte me fat që ka qenë pranë tij. Ish-i burgosuri politik ka thënë se është hera e parë në një libër të tij ku Demaçi shfaqet më ndryshe nga ai i burgut dhe shqetësimeve. Është autor i më shumë se 20 veprave për Demaçin. Është dokumentuesi më besnik i veprimtarisë së tij e pikërisht Novosella ka ngritur edhe shqetësimin për qasjen institucionale.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ministria e Kulturës e ka shpallur shtëpinë e Adem Demaçit monument të historisë kulturore. Ajo shtëpi po rrënohet. Shtëpia ku takonte diplomatë, ambasadorë, gazetarë e sot ajo shtëpi po rrëzohet. Sot librat, të cilët me shumë dëshirë dhe me shumë punë kam arritur t’i sjell në formë elektronike, 30 vëllime presin vetëm ditën e shtypit dhe mbesin të pashtypura. Në tërë rrugën time, që do të përcaktohet me libra 24, ia kam kushtuar Adem Demaçit. I lexoj, jo si libra të mi, por si libra që i shoh me kënaqësi. Se nuk është ai i burgjeve e shqetësimeve, por një Adem pak më ndryshe”, ka thënë Novosella.
Akademiku Arsim Bajrami ka thënë se tri vëllimet e promovuara mesditën e së enjtes në Institutin Albanologjik të Prishtinës përmbajnë histori, analizë politike dhe akt të kujtesës kombëtare. Vetë ngjarja, sipas tij, është nderim i një epoke të ndërgjegjes shqiptare.
“Sot jemi mbledhur për të nderuar një epokë të ndërgjegjes shqiptare. Në qendër të këtij promovimi qëndron figura e Adem Demaçit, figura e rezistencës politike. Ato përbëjnë histori, një analizë politike dhe një akt të kujtesës kombëtare. Vëllimi i tretë pasqyron vitet e fundit të Demaçit. Këto tri vëllime tregojnë një biografi morale të një kombi. Nderojmë figurën e Adem Demaçit dhe figurën intelektuale të Novosellës”, ka thënë akademik Bajrami.
Për veprën e Novosellës ka folur edhe profesori universitar, Begzat Baliu, i cili ka vlerësuar fatin e autorit që ishte pranë Demaçit. Ka thënë se të dy, edhe Demaçi, edhe Novosella, në vepër bëhen dëshmitarë të historisë.
“Çfarë fati i autorit të jetojë pranë familjes së Adem Demaçit. Ky ishte fati i Novosellës të jetojë me Demaçin edhe në burg. Periudha e parë e krijimeve fillon në mënyrë simbolike me një anekdotë për Demaçin. Rrugëtimi i autorit plotësohet me lëvizjen e tij në mënyrë ilegale me Adem Demaçin, me arrestimin e dytë të Demaçit dhe fatin e lëvizjes kombëtare. Të dy njëkohësisht bëhen dëshmitarë të historisë. Bisedat për aktivitetet kombëtare në të gjitha fushat, bashkimin kombëtar, Kongresin e Drejtshkrimit... Vëllimet lexohen me një frymë, si një histori e roman”, ka thënë Baliu.
Gjatë ditës, figura e Demaçit është kujtuar si simbol i rezistencës dhe përpjekjeve për liri e drejtësi. Të tillë e ka kujtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim ku përfshihet edhe Astrit Dehari, ish-aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Adem Demaçi është emri më i shquar i përpjekjes së gjatë të popullit shqiptar rreth organizimit të gjerë për liri e bashkim kombëtar, për drejtësi dhe Kosovën Republikë. Astrit Dehari është emri më i dalluar ndër aktivistët e rinj të vazhdimit të së njëjtës përpjekje për Republikën e Kosovës, për emancipim e shqiptari, për barazi e përkujdesje për të gjithë. Ditëlindja e tyre nuk është veç një numër kalendarik (26 shkurt), por shifër domethëniesh të thella që vijojnë të na frymëzojnë dhe tregojnë me bindje rrugën tonë përpara”, shkruhet në postimin e Kurtit.
Akademiku e shkrimtari Rexhep Qosja e ka kujtuar Demaçin me fjalën që e kishte mbajtur në ceremoninë me rastin e 80-vjetorit të lindjes së veprimtarit.
Aty shkruan se brezi i tij ka pasur fat të jashtëzakonshëm që ka takuar Demaçin, se emri i tij ka autoritet të madh e të pakrahasuar me askënd tjetër në vend. Se ky autoritet është bërë autoritet gjithëkombëtar.
“Shikimet e tij dhe shpjegimet e tij të fatit historik, politik, shoqëror, kombëtar të Kosovës dhe të të gjithë shqiptarëve kurrë dhe kurrkund s’do të shprehen me mënjanëri mendore e ndjenjore, por me mospajtim të theksuar me gjendjen e përtashme dhe me padrejtësitë historike që u ishin bërë atyre, me mospajtime me pasojat që populli shqiptar po përjetonte për shkak të atyre padrejtësive të kryehershme, me mospajtime që do të ndërtojnë dhe frymëzojnë vetëdijen e re të rinisë sonë”, thuhej në fjalimin e Qosjes.
Aty ai përmend edhe krahasimet e Demaçit me Nelson Mandelën. Përmend se nderimet politike që iu bënë të fundit, nuk iu bënë atij që i referohet si “Mandela kosovar”.
“As gjashtëmbëdhjetë vjet pas çlirimit, çmimi shtetëror i Kosovës për krijimtari mendore, që i është dhënë shumë kujt, kujt e meriton dhe kujt s’e meriton, nuk i është dhënë Adem Demaçit! As gjashtëmbëdhjetë vjet pas çlirimit të Kosovës, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, anëtarë të së cilës janë bërë edhe vetje pa rëndësi as politike, as shkencore, as artistike për Kosovën, nuk e nderoi veten e saj duke e pranuar Adem Demaçin!”, thuhej midis tjerash në fjalimin e dhjetë vjetëve më parë të Qosjes, me të cilin e ka kujtuar Demaçin të enjten, në ditën kur do të mbushte 90 vjet.
Demaçi njihej si simboli i rezistencës kombëtare, i quajtur edhe si Mandela i Ballkanit. Studioi për letërsi, juridik në Prishtinë, Beograd dhe Shkup.
Në vitet 1950, ai botoi një numër tregimesh të shkurtra me komentime sociale në revistën “Jeta e Re”, si dhe romanin emblematik të tij të vitit 1958 me titull “Gjarpijt e gjakut”, që flet për gjakmarrjen në Kosovë dhe Shqipëri. Krijimtaria letrare i solli famë.
Demaçi u arrestua fillimisht për kundërshtimin e tij ndaj qeverisë autoritare të Josip Broz Titos në vitin 1958, duke mbajtur tre vjet burg. Ai u burgos përsëri më 1964-1974 dhe më pas 1975-1990. U lirua nga burgu në vitin 1990, duke shënuar në total 28 vjet burg.
Pas lirimit të tij, ai ishte kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ) nga viti 1991 deri në 1995. Ai gjithashtu shërbeu si kryeredaktor i “Zërit”, një revistë me seli në Prishtinë, nga viti 1991 deri më 1993. Në vitin 1991, ai u nderua me çmimin “Sakharov” të Parlamentit Evropian për Lirinë e Mendimit. Në vitin 1996, Demaçi u rikthye në jetën politike, duke marrë kreun e Partisë Parlamentare të Kosovës.
Dy vjet më vonë, ai u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shërbyer si krahu i saj politik. Në vitin 2010 ai u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”. Vdiq më 26 korrik në moshën 82-vjeçare.