Kulturë

“a.y.l.a.n” për dramën e vazhdueshme të refugjatëve

Prishtinë, 17 dhjetor – Një fëmijë i veshur me fanellë të kuqe e pantallona të kaltër duke bërë surf, është në qendër të posterit të shfaqjes “a.y.l.a.n” nën regji nga Blerta Neziraj. Po i jepet dora e fundit për premierën këtë të premte në Teatrin e Qytetit të Gjilanit.

Fëmija asocon me trevjeçarin Aylan Kurdi, i fotografuar i pajetë në vitin 2015, në brigjet e Turqisë, pasi varka ku udhëtonin si emigrantë bashkë me prindërit u përmbyt. Rreth tij sillet një peshkaqen. Që nga titulli e posteri tregohet se performaca teatrale shtjellohet rreth refugjatëve. Regjisorja por edhe aktorët janë duke mbajtur prova intensive për ta sjellë në versionin më të mirë këtë dramë të shkruar në vitin 2018 nga dramaturgu Jeton Neziraj, e që reflekton mjaft mirë situatën e refugjatëve sot, por edhe në të kaluarën.

Drama, e cila ka pasur një lexim skenik në Sicili dhe është botuar në gjermanisht vitin e kaluar, vjen si premierë botërore në Teatrin e Gjilanit. Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se është kureshtar ta shohë se si e ka trajtuar këtë temë regjisorja e cila, siç ka thënë ai, kësaj here ishte në kërkim të një drame pa shumë tekst, sepse dëshironte të eksperimentonte me hapësirën skenike. “Këtë gjë publiku do ta kuptojë kur ta shohë shfaqjen”, ka thënë Neziraj.

Performanca teatore “a.y.l.a.n” në mënyrë ironike shpërfaq dramën aktuale të refugjatëve në Evropë dhe përpjekjen e paskrupullt të shumë njerëzve për të përfituar nga tragjedia e tyre.

Aktorja Aurita Agushi, në vrullin e provave intensive që është duke bërë ekipi i shfaqjes, ka thënë për gazetën se është kënaqur me rrjedhën e shfaqjes dhe punën që po bën regjisorja.

Edhe aktori Kushtrim Qerimi ka thënë se është duke u bërë një punë e madhe në mënyrë që gjithçka të jetë gati për premierën e së premtes.

Përveç aktores Aurita Agushi dhe aktorit Kushtrim Qerimi, në shfaqje luajnë edhe Ernest Zymberi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani dhe Alban Shahiqi. Skenografinë dhe kostumet i ka bërë Mentor Berisha, koreografinë Gjergj Prevazi, muzikën Tomor Kuçi, asistent regjisor është Avni Shkodra.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)