Kulturë

“50 vjet Universiteti i Prishtinës 1970-2020” si kronikë momentesh kryesore

Në demonstratat e të rinjve në vitin 1968 në Prishtinë, “Dum Universitet” ishte një nga kërkesat që gjente më së shumti shprehje në parulla. Në po të njëjtin vit, autoritetet jugosllave u detyruan të zëvendësonin termin “shiptar” me atë “albanac”, shkruan sot Koha Ditore.

Gjatë viteve në vijim, shqiptarët do të përbënin 73.7 për qind të popullatës në Kosovë. Por, megjithatë, gjendja në këto vite cilësohej alarmante: rreth 36 për qind e shqiptarëve ishin ende analfabetë. Këto janë vetëm disa nga të dhënat e paraqitura në librin “50 vjet Universiteti i Prishtinës”, që u përurua të premten në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në kryeqytet.

Në mbi 90 faqe në shqip dhe po aq në anglisht, përmbledhja paraqet një kronikë të Universitetit të Prishtinës prej themelimit të tij e deri te gjendja e tij e sotme. Si sfond historik me të cilin hapet libri, redaktorë të të cilit janë Dashamir Bërxulli dhe Faton Berisha, është periudha e përpjekjeve për hapjen e shkollave shqipe në vitet e Rilindjes Kombëtare.

Në kohën kur autoritetet perandorake osmane nuk lejonin përdorimin e gjuhës shqipe në shkollat publike të vilajetit të Kosovës, pas Reformave të Tanzimatit, administrata do të lejonte botimin e gazetave lokale në serbisht, si dhe hapjen e shkollave serbe.

“Kështu, në vitet ’80 të shekullit XIX shkolla fillore me mësim në gjuhën serbe kishte në Prizren, Zhupë e Hoçë të Madhe, pastaj në Gjakovë, Deçan, Pejë (ku punonin dy shkolla fillore, njëra për djem dhe tjetra për vajza), Prishtinë, Graçanicë, Lipjan, Nerodime, Gushtericë, Prilluzhë, Dobrotin, Gjilan, Vuçitërnë dhe Mitrovicë”.

Sipas autorëve të librit, kjo gjendje do të përmbysej vetëm në Luftën e Dytë Botërore, kur Kosova dhe një rrip i Maqedonisë së sotme Perëndimore hynë nën juridiksionin e Mbretërisë shqiptare. Me vendim të Ministrisë së Arsimit, mbi 400 mësues dhe profesorë erdhën nga Shqipëria, të cilët kishin të kryer kryesisht Normalen e Elbasanit, Gjimnazin e Tiranës, të Shkodrës etj. Por në vitet ’50, autoritetet jugosllave, në përpjekjen e tyre për të nxitur largimin e shqiptarëve drejt Turqisë, kishin nisur t’i shndërronin shkollat shqipe në ato turke.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën "Koha Ditore")