Një veturë është përfshirë nga zjarri në mbrëmjen e së premtes në fshatin Mirenë të Komunës së Lipjanit.
Pronari i veturës, Gëzim Qollaku, ka thënë për KOHËN se vetura ka marrë zjarr derisa po lëvizte në drejtim të Magurës. Ai ka bërë të ditur se zjarri ka dalë nga motori. Ka thënë se të gjithë anëtarët e familjes kanë arritur të dalin shpejt nga vetura dhe se s’ka pasur të lënduar si pasojë e zjarrit.
“Unë gjatë vozitjes e pash nën veturë flakën dhe kur e kaploi mezi kemi dalë të gjithë jashtë dhe jemi kthyer prapa”, ka shpjeguar ai duke thënë se zjarri e ka kapluar shumë shpejt veturën.
Në vendin e ngjarjes janë parë zjarrfikësit që kanë fikur zjarrin dhe njësitet policore. Rasti ka ndodhur rreth orës 21:00. Bëhet fjalë për një veturë të tipit “Opel Corsa”.