(Tekst i përditësuar) - Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij Liridona Ademaj, ka thënë se armën me të cilën Prokuroria thotë se është kryer vrasja e kanë blerë bashkë me të akuzuarin tjetër Granit Plava, me qëllim që të fitojnë nga rishitja e saj.
“Në mbrojtjen e juaj në këtë gjykatë keni deklaruar se ju me të akuzuarin Granit Plava, spontanisht e keni blerë armën dhe çmimin e keni paguar ju. A është e vërtetë”, e ka pyetur Murselin kryetarja e Trupit Gjykues Fatime Dermaku.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Po. Sepse ai tha që e shet dyfish të nesërmën, kjo ishte arsyeja. Me atë qellim e kam blerë”, është përgjigjur Murseli.
Gjyqtarja e ka pyetur se cili ka qenë përfitimi i tij nëse Plava do ta shiste revolen.
Murseli ka thënë se nuk do të kishte asnjë përfitim, vetëm se do t’i ndihmonte Plavës pasi e kishte bashkëfshatar dhe ishte shok i të akuzuarit tjetër, Kushtrim Kokalla të cilin Murseli e ka djalë të hallës dhe të dajës.
Ai ka thënë se më vonë e ka kuptuar që me atë revole ishte vrarë bashkëshortja e tij.
Gjyqtarja e ka ballafaquar Murselin edhe me disa fotografi ku shihet Ademaj e vrarë.
Ai ka thënë se nuk mund t’i shohë ato fotografi.
Dermaku e ka pyetur Murselin edhe për deklaratën e tij se natën kritike kanë qenë pre e grabitjes.
Ai ka thënë se po kanë qenë pre e një grabitje të armatosur.
Dermaku e ka pyetur Murselin edhe pse ai ka qëndruar në Prishtinë natën që ka ndodhur vrasja dhe fëmijët i ka lënë larg.
“Kur dolëm nga stacioni i policisë, mua më tha policia me qëndru në Prishtinë. E fëmijët i ka marrë familja e Liridonës”, ka deklaruar Murseli duke shtuar se fëmijët ishin dakord që të shkonin.
Murseli ka deklaruar se nuk e ka parë Liridonën të vrarë në veturë dhe se e ka parë të nesërmen në morg.
"Kur ka ndodh krisma nuk e kam kthy kokën mbrapa, kam vazhdu me vrapu".
Gjyqtari Gent Beka e ka pyetur Murselin nëse me Granit Plavën kishte udhëtuar për në Prishtinë natën kritike dhe se ai ishte i planifikuar takimi. Murseli është përgjigjur: “Jo, spontanisht”.
Gjyqtari më pas e pyeti për armën që e kishte blerë.
“Thatë që armën ja keni ble me qëllim që ta shes me dyfishin e çmimit dhe thatë se ai nuk kishte para. A bëtë ndonjë bisedë se po ja dhuron atë armë meqë nuk i kishte paratë, apo ndonjë bisedë se po ia paguan dhe i njëjti t’ua kthej ato para?”
E, Murseli është përgjigjur se i kishin thënë se armën të nesërmen do ta shiste me dyfish të çmimit.
“Kur na tregoi shitësi armen dhe na caktoi çmimin, unë e pyeta a po i pëlqen arma dhe ai tha po, tha nesër këta e shes dyfish”, tha Murseli.
Gjyqtari Alban Ajvazi e ka pyetur Murselin për shenjat në dorë që i janë vërejtur viktimës pas ekzaminimit.
“Sipas raportit mjeko ligjor, si edhe fotove shihet se e ndjera e ka plumbin në pjesën e djathtë të kokës, kurse në anën e majtë Liridona ka pasë disa shenja në dorë. Si ka mujtë me ndodh shkaku që grabitësi ka qenë në anën e djathtë?”
Por, Murseli i është përgjigjur se nuk ka përgjigje. “Unë e kam sqaru me ekspertin mjeko ligjor dhe nuk kam përgjigje”.
“Sa i përket shkuarjes në morg, mu kanë konfisku 1350 euro, ato para mi ka dhanë 2000 euro Valon Lluka. Jemi shku afër aty ku blihen sanak e ato që shkojnë. Pra 1350euro janë kusuri që mu kanë kthy nga 2000euro”, shtoi Murseli.
Vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, sot e vazhdon mbrojtjen Naim Murseli
Sot në Gjykatën themelore në Prishtinë është duke vazhduar gjykimi i ndaj Naim Murselit, Granit Plavës e Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.
Në këtë seancë mbrojtjen do ta vazhdojë i akuzuari Naim Murseli. Të pandehurit do t’i parashtrojë pyetje trupi gjykues.
Sipas aktakuzës, Murseli e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për përfitim financiar, duke i premtuar Plavës 30 mijë euro nëse e kryen atë. E Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën “Vrasje e rëndë”. I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, i cili ua shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro, ka pranuar fajësinë. Themelorja e dënoi me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia uli në tre vjet.
Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.






