Kronikë

Suspendohet një zyrtar policor për kontrabandim me mallra

Inspektorati Policor i Kosovës IPK

Inspektorati Policor i Kosovës

Foto: Driton Paçarada

Një zyrtar policor është suspenduar dhe është rekomanduar edhe suspendimi i një zyrtari në pikën kufitare Qafë-Prush për kontrabandë me mallra.

Dy ditë më parë hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë pranuar informacione nga Policia për një rast të dyshuar për kontrabandë të mallit ku dyshohej se ishte përfshirë një zyrtar policor.

Hetuesit e IPK-së kanë gjetur se zyrtari policor (me detyrë në Njësitin Rajonal të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë)  ka kontrabanduar mall përmes pikës kufitare Qafë-Prush në vlerë prej mbi 4000 euro - kamera, alarme dhe mjete tjera për internet - duke vozitur dhe përdorur një veturë private.

Hetuesit kanë intervistuar disa dëshmitarë dhe të dyshuarin dhe në konsultim me Prokurorinë kanë iniciuar rastin “Kontrabandim me mallra”.

“Në kuadër te hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor  të dyshuar në këtë rast si dhe rekomandimin për suspendim edhe të udhëheqësit të ndërrimit në pikën kufitare Qafë Prushi në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale”, thuhet në komunikatën e IPK-së.