Policia e Kosovës ka reaguar me masa të shtuara ditëve të fundit ndaj një sërë incidentesh me zjarr në zona të ndryshme të vendit, përfshirë pyjet, zonat rurale, periferitë e banimit dhe brenda qyteteve, duke shtuar se ka identifikuar disa persona që dyshohen se kanë ndezur qëllimisht zjarre.
Në një njoftim zyrtar të martën, Policia e Kosovës bën të ditur se ka ndërhyrë me shpejtësi në zonat e prekura, duke ndihmuar në evakuime, kontrollin e trafikut dhe sigurimin e perimetrit të rrezikut. Gjithashtu, janë kryer vizita në terren për të ofruar informacion dhe mbështetje për qytetarët.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër menaxhimin e situatës, policia është koordinuar ngushtë me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, shërbimet zjarrfikëse, ekipet e urgjencës mjekësore dhe autoritetet komunale. Përpjekjet e përbashkëta kanë synuar frenimin e përhapjes së zjarreve dhe minimizimin e dëmeve.
Sipas policisë, disa zjarre janë shkaktuar nga kushtet klimatike ose për arsye aksidentale, ndërsa në disa raste po hetohet mundësia e zjarrvënies së qëllimshme.
“Disa persona janë identifikuar dhe rastet ndaj tyre po trajtohen me kujdes nga autoritetet”, thuhet në njoftim.
Policia i ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë, të respektojnë udhëzimet e sigurisë dhe të raportojnë menjëherë çdo aktivitet të dyshimtë që mund të çojë në zjarr. Gjithashtu, është apeluar për shmangien e çdo veprimi që mund të rrezikojë mjedisin dhe sigurinë publike.