Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shtufi: Mosha e mesme po e pengon edhe gjeneratën e re të integrohet

Pal Shtufi

Pedagogu Pal Shtufi ka vlerësuar se mosha e mesme po e pengon edhe gjeneratën e re të integrohet. 

Ai ka vlerësuar se të rinjtë janë integruar mirë, por kanë kërkesa nga mosha e mesme. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shtufi ka thënë se njerëzit e kësaj moshe, sidomos ata që jetojnë jashtë Kosovës, e ngatërrojnë integrimin me asimilim.

“Gjenerata e re na kanë nxjerrë pak në dritë, janë integruar shumë mirë, por ekziston edhe një pjesë tjetër që ka vështirësi, është mosha e mesme. Ata nuk kanë arritur dhe janë pak edhe të dëmshëm, e pengojnë edhe gjeneratën e re të integrohen. Sepse kanë kërkesa të tyre. E kanë ngatërruar gjithmonë pjesën e integrimit me asimilim. Për ata ka qenë të heqin dorë prej disa adeteve tona që ende i kemi, mendojnë se po heqin dorë prej shqiptarizmit. Është e mundur të jesh shqiptar i kulluar midis Zvicrës”, ka thënë ai të enjten në “Konfront” të KTV-së.


Shala për migrimin: Nuk ka vend për dramatizim të madh

Sociologia Hana Shala ka thënë se nuk ka vend për dramatizim të madh, sa i përket çështjes së emigrimit. 

Shala ka thënë se sot migrimi nuk është më një proces i dhimbshëm në Kosovë, siç ishte në vitet ’90. 

“Vitin e kaluar realizova hulumtimin tim të doktoratës. Pyeta të rinjtë për çfarë arsye duan të emigrojnë. Dhe përveç arsyeve ekonomike, që ishin të rëndësishme në pyetësor, ishte edhe për arsye studimi dhe pune. Sot të rinjtë migrojnë për arsye të ndryshme e jo vetëm për arsye ekonomike. Natyrisht kjo ka impakt në familje, shoqëri, shtet. Emigrimi ndikon edhe në plakje e tkurrje të popullatës. Por, s’ka vend për një dramatazim të madh. Sepse këta emigrantë shumë shpesh kthehen dhe vazhdojnë të investojnë këtu. Ndodh edhe siç njihet ‘kthimi i trurit’, ku personat që shkojnë për të studiuar jashtë kthehen në vendlindje më pas. Por, edhe nëse nuk kthehen s’ka diçka tragjike për me u brengos”, tha Shala.  
 


Shtufi për migrimin: Arsimin në Kosovë e kemi jashtëzakonisht keq

Pedagogu Pal Shtufi ka thënë se arsyeja kryesore e migrimit të të rinjve nga Kosova sot është arsimi, për dallim nga para lufta kur arsye ishin rrethanat politike, siguria dhe ekonomia.

Në “Konfront” të KTV-së, Shtufi ka thënë se nuk i gjykon të rinjtë pse largohen sot nga Kosova.

“Gjenerata e re ka tjera synime. Ata shohin njeriun e Perëndimit duke ekspanduar në zhvillim. E sheh se këtu s’ka perspektivë. Ka tjetër motiv te të rinjtë sot. Nuk mund të presim që ata të thonë se janë të kënaqur me një kerr e me një shtëpi. Ata duan prosperitet. Ai do të zbatojë veten. Të tregojë kush është e çka mund të arrijë. Këtu nuk e ka”, ka thënë fillimisht ai.

Pas kësaj, Shtufi ka vlerësuar se pengesa për të pasur zhvillim është mungesa e shkollave profesionale.

“Të gjithë ia kanë mësyrë të bëhen filozofë, pedagogë, sociologë.... jemi në drejtim të gabuar. Arsimin e kemi brutal keq”, ka thënë ai.


Hoxha: Rreth 40–50 % e të rinjve e konsiderojnë largimin nga Kosova

Brikenë Hoxha

Brikenë Hoxha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet ka deklaruar se rreth 40-50 për qind e të rinjve në Kosovë e konsiderojnë largimin nga vendi.

Të enjten në emisionin “Konfront” në KTV, Hoxha ka thënë se deri në vitin 2015, migrimi është bërë kryesisht për të punuar dhe për t’u kthyer sërish, ndërsa që nga ai vit, migrimi është më i strukturuar dhe më afatgjatë.

Ajo ka shtuar se mundësinë e ikjes të rinjtë e konsiderojnë kryesisht për shkak të mungesës së stabilitetit. 

“Pas vitit 2000, deri në vitin 2015 ka pasur tendencë që punëtorët të shkojnë, të punojnë, të sigurojnë të ardhura për familjen dhe të kthehen, ndërsa nga viti 2015 e këtej migrimi është bërë më i thellë, më i strukturuar dhe më afatgjatë. Nuk shohim më të rinj që nisen të shkojnë dhe kanë plan të kthehen. Nuk mund të themi që sot të rinjtë dhe familjet ikin për shkak të pagës së ulët, mirëpo arsyet që i nxjerrim ne në terren, pra kur i pyesim qytetarët nëse do të qëndronin në Kosovë apo do të iknin, janë rreth 40 apo 50 për qind të të rinjve që përgjigjen se e konsiderojnë mundësinë e ikjes jashtë vendit, kryesisht arsyet janë për shkak të jetës jostabile”, ka thënë Hoxha. 

Ajo ka thënë se kjo shifër e të rinjve që e mendojnë migrimin do të ishte shqetësuese, po që se e shqyrtojnë moskthimin në Kosovë.

“Sidomos nëse ata kanë qëllim të shkojnë dhe të mos kthehen më, nëse është kjo përqindje e të rinjve për të shkuar e për të mos u kthyer më, për mua konsiderohet shqetësuese”, është shprehur ajo.