Kronikë

Personi që u rrah nga policia urdhërohet të shkojë në burg, mbrojtja hedh dyshime

Driton Krasniqi - rrahja nga polici

Driton Krasniqi, personi që si i prangosur u rrah nga policia në oborrin e shtëpisë së tij në Klinë në fund të qershorit, është urdhëruar të vuajë dënim me burgim prej 6 muajsh, në bazë të një aktgjykimi të 16 prillit, ka thënë avokati i tij, Alban Krasniqi në një njoftim për media.

Përderisa Krasniqi ka thënë se nuk ka qenë i njoftuar për këtë aktgjykim dhe në publik nuk dihet se për çka është dënuar ai, avokati i tij ka hedhur dyshime nëse këto raste ndërlidhen mes vete.

“Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të z. Driton Krasniqi, ndjejmë obligim profesional të informojmë opinionin publik për disa zhvillime shqetësuese që lidhen me të drejtat ligjore dhe gjendjen e tij shëndetësore. Më 28.06.2025, z. Krasniqi ishte viktimë e dhunës së dokumentuar policore në oborrin e shtëpisë së tij – një ngjarje që është bërë publike dhe për të cilën tashmë është hapur hetim nga Inspektorati Policor i Kosovës. Dymbëdhjetë ditë më vonë, më 10.07.2025, klienti ynë ka pranuar një urdhëresë për vuajtje dënimi me burg prej 6 muajsh, në bazë të një aktgjykimi të datës 16.04.2025. Z. Krasniqi pretendon se nuk ka qenë i njoftuar për këtë aktgjykim dhe ngritë disa shqetësime lidhur me atë proces”, thuhet në një komunikatë të avokatit Krasniqi. “Duke pasur parasysh përputhshmërinë kohore ndërmjet denoncimit të dhunës policore dhe urdhëresës për burgim, lindin dyshime serioze për ndërlidhje të këtyre rasteve, si dhe për rregullsinë e procedurës penale që ka çuar në këtë aktgjykim dënues”.

Avokati ka thënë se për rastin ka ndërmarrë katër veprime. Ai ka parashtruar kërkesë që klientit të tij t’i shtyhet ekzekutimi i dënimit “bazuar në gjendjen e rënduar shëndetësore dhe psikologjike të z. Krasniqi si pasojë e dhunës policore; dhe dyshimet për mungesë njoftimi dhe përfaqësimi adekuat ligjor në procedurën që ka rezultuar me dënim penal”. Avokati ka thënë se ka kërkuar qasje në dokumentacionin gjyqësor. Po ashtu ai ka thënë se e ka kontaktuar Prokurorinë për çështjen e intervistimit të Krasniqit për dhunën policore dhe e ka njoftuar Avokatin e Popullit.

“Për shkak të këtyre zhvillimeve, gjendja emocionale dhe shëndetësore e klientit tonë është rënduar dukshëm. Ne do të vazhdojmë të ndjekim të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e z. Krasniqi dhe për të siguruar një proces të drejtë dhe të ligjshëm”, ka shtuar ai.

Më 2 korrik, Gjykata Themelore në Pejë, dega në Klinë, ia caktoi një muaj paraburgim policit që e rrahu Krasniqin dhe arrest shtëpiak dy të tjerëve që e mbanin, sipas pamjeve të publikuara. Të tre policët, dyshohen për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.