Kronikë

Një vit burgim shoferes që shkaktoi aksidentin ku vdiq këmbësori në Prishtinë

Pamje nga aksidenti më 26 shkurt të vitit të kaluar

Pamje nga aksidenti më 26 shkurt të vitit të kaluar

Foto: KOHA

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Y. B., duke e dënuar me 1 vit burgim dhe dënim plotësues ndalimi i drejtim të automjetit në kohëzgjatje prej dy vitesh, për akuzën se shkaktoi aksident më 26 shkurt të vitit të kaluar, ku mbeti i vdekur një këmbësor.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë të enjten, gjyqtari Driton Berisha.

Gjyqtari Berisha njoftoi se të akuzuarës Berisha në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Sipas aktakuzës së ngritur më 17 korrik 2024 nga Prokuroia Themelore në Prishtinë, e akuzuara më  26 shkurt 2024, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, nga pakujdesia e derisa ishte duke ngasur veturën e saj, ka vepruar në kundërshtim me nenin 53 LRTRR-së, ashtu që duke mos përshtatur shpejtësinë gjatë kthimit gjysmërrethor, duke mos u siguruar se një veprim i tillë mund të paraqes rrezik jo vetëm për veten e vet, por edhe për pjesëmarrësit tjerë në trafik dhe duke mos pasur përqendrimin e duhur rreth drejtimit të automjetit, nuk kishte marrë harkun e nevojshëm për kthim gjysmërrethor në mënyrë të sigurt.

Aktakuza thotë se në kthim e sipër duke parë rrezikun frenon vrullshëm dhe nuk mund të ndalet, vazhdon derisa kalon mbi trotuar dhe mbi shtegun për çiklistë, pastaj vazhdon derisa me pjesën ballore të automjetit e kishte goditur shtyllën e semaforit që është ngjitur me vendkalim të këmbësorëve, me atë rast shtylla e semaforit ishte anuar dhe si pasojë me pjesën e sipërme e kishte goditur në kokë kembësorin- tani të ndjerin Sh.H., i cili në atë moment ishte duke qëndruar në vendkalim të këmbësorëve në afërsi të semaforit, me qëllim që të kalojë rrugën. Si pasojë e aksidentit, këmbësori kishte pësuar lëndime të rënda trupore me pasoja vdekje në vendin e aksidentit.

Për këto veprime, e akuzuara ngarkohej me veprën penale  “Rrezikim i trafikut publik” nga neni 370, par.9 lidhur par 6 dhe par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Pamje nga aksidenti më 26 shkurt të vitit të kaluar /KOHA