Gjykata Themelore në Ferizaj ka nisur me rigjykimin e lëndës ndaj Naser Pajazitajt, i cili është i akuzuar se më 9 nëntor të 2015-s në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore e kishte privuar nga jeta, tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj.
Naser Pajazitaj ishte dënuar me burg të përjetshëm nga Gjykata Themelore e Pejës, ndërkohë Gjykata e Apelit me aktvendim e kishte kthyer për rigjykim në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Ndërkohë, po ashtu edhe Gjykata Themelore e Ferizajt e pati dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn, por Gjykata e Apelit e ka rikthyer sërish në rigjykim, ndërkohë rasti po trajtohet në Ferizaj.
Avokati i te pandehurit, Gëzim Kollqaku, ka kërkuar nga Gjykata që të ndërrohet trupi gjykues gjatë seancës së sotme, por kërkesa e tillë është refuzuar.
"Kemi kërkuar edhe zyrtarisht nga kryetari i Gjykatës që të ndërrohet trupi gjykues, por kërkesa jonë është refuzuar nga kryetari", ka thene Kollqaku.
Kollqaku bëri me dije se është në proces edhe kërkesa në Gjykatën e Apelit, që lënda të bartet në një gjykatë tjetër.