Nëna dhe vajza e mitur që u therën me thikë në Prizren, janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po marrin trajtim në mjekimin intensiv Qendror në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.
Shefi i Emergjencës në këtë spital, Hekuran Veçgishti, tregoi se dy viktimat kanë pasur plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
“Mbrëmë rreth ora 00: 45 në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm Prizren janë pranuar dy të lënduara si pasojë e therjes me thikë. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme, ekzaminimet radiologjike. Të lënduarat kanë pasur plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Pas konsultës me Kirurget kujdestar dy të lënduarat janë hospitalizuar për intervenim kirurgjik. Për momentin pacientet janë duke u trajtuar në mjekimin Intensiv Qendror te Spitalit”, tha Veçgishti.
Mbrëmjen e kaluar Policia e Kosovës ka pranuar informatën për një rast të dhunës në familje dhe me të shkuar në vendin e ngjarjes Policia e Kosovës ka hasur në një grua (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me thikë.
Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore.
Ndërsa, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Sipas Prokurorisë Themelore të Prizrenit, gjatë intervenimit të Policisë së Kosovës në hyrje të banesës ku ka ndodhur rasti është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme.
Më pas, prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /KosovaPress/
