Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Ndërpritet paraburgimi për njërin nga të dyshuarit për dallavere në Byronë e Sigurimeve

Seanca e te arrestuarve në BKS

Gjykata Supreme e ka ndërprerë paraburgimin për njërin nga katër dyshuarit për dallavere në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Siç ka njoftuar Supremja, paraburgimi është ndërprerë për F.S. dhe i është caktuar masa e arrestit shtëpiak e cila do të vlejë deri më 8 prill.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjykata Supreme ka theksuar se masa e paraburgimit duhet të përdoret vetëm kur masat më të lehta nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë. Në këtë rast, Gjykata ka vlerësuar se nuk ekzistojnë rrethana konkrete që justifikojnë vazhdimin e paraburgimit, si rreziku i arratisjes, ndikimi në prova apo përsëritja e veprës penale.

“Çështja penale ka të bëjë me disa të pandehur, përfshirë S.M., V.B. dhe të tjerë, të akuzuar për vepra penale si: keqpërdorimi i besimit, keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike, falsifikimi i dokumenteve dhe vepra të tjera penale, të kryera në bashkëkryerje dhe në forma të ndryshme të ndihmës”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Tre të dyshuarit e tjerë, përfshirë ish-drejtorin e BKS-së, Sami Mazreku dhe ish-drejtorin e Financave, Valon Berisha, vazhdojnë të jenë në paraburgim që nga 10 janari.

Mazreku e Berisha dyshohen se për më shumë se një vit kanë bërë qindra transaksione te llogaritë e ndryshme me pretendimin kinse në emër të pagesës së dëmeve. Sipas Prokurorisë, ata kishin keqpërdorur detyrën duke shkaktuar dëme mijëra euroshe. Ata dyshohen se kanë miratuar transaksione nga llogaria e BKS-së te llogaritë e personave të tjerë që janë paraqitur kinse si të autorizuar të palës tjetër për kompensim të dëmit material nga aksidentet e trafikut. E këta individë sipas dosjes veçse ishin kompensuar paraprakisht për aksidentet në fjalë.  Shuma më e vogël e transaksionit ka qenë 6 mijë e 800 euro, ndërsa transaksioni më i lartë 68 mijë euro.

Aty po ashtu është përmendur edhe dyshimi që ata kanë përfituar shuma të mëdha parash dhe se kjo ua mundëson ikjen e “sidomos duke marrë parasysh kushtet me liberalizimin e vizave”.

Që të dy dyshohen se në kundërshtim me rregullat e brendshme të këtij institucioni kanë keqpërdorur autorizimet nga BKS-ja dhe ia kanë mundësuar vetes fitime të mëdha, ndërsa Byrosë i kanë shkaktuar dëm prej më shumë se 1 milion eurosh.

Shumica e të tjerëve dyshohen për ndihmë në falsifikim të dokumenteve.

Më 8 janar Prokuroria e Prizrenit dhe Policia patën zhvilluar një prej aksioneve më të mëdha në të cilin përfshiheshin shtatë komuna. Gjatë aksionit ishin arrestuar 39 persona nën dyshimin se kanë përfituar nëpërmjet dallavereve në Byronë e Sigurimeve. Vetëm katër prej tyre kishin përfunduar në paraburgim.