Gjykata e Apelit e ka kthyer sërish në rigjykim rastin e vrasjes së N.S., në qendër të Prishtinës në nëntor të vitit 2017, ku të akuzuar janë Arlind Ahmeti dhe Agron Vllasaliu.
“Me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe sipas detyrë zyrtare, anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda,…, të datës, 25.10.2024, dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në vendimin e Apelit të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykimin e dytë më 11 tetor 2024 i kishte dënuar me nga 16 vite burgim të akuzuarit Ahmeti dhe Vllasaliu, për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Ndërkaq, në Gjykatën e Apelit më 28 shkurt 2025 ishte mbajtur seancë dëgjimore për elaborim të pretendimeve ankimore të palëve në procedurë.
Kundër vendimit të Themelores, ankesë brenda afatit ligjor ka parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke propozuar që vendimi i Themelores të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokati Asdren Hoxha ka parashtuar ankesë sa i përket lartësisë së dënimit, duke kërkuar dënim më të butë ndaj Ahmetit.
Ndërkaq, mbrojtësi i Vllasaliut, avokati Florent Latifaj ka parashtruar ankesë duke kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim për shkak të shkeljeve të Ligjit Penal.
Kurse, Prokuroria e Apelit ka përmes parashtresës i ka propozuar Gjykatës së Apelit që ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të aprovohet, ndërkaq ankesat e mbrojtjes të refuzohen si të pabazuara.
Gjetjet e Gjykatës së Apelit:
Sipas Apelit, shkalla e parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme, të qarta dhe bindëse që lidhen me përgjegjësinë penale të të akuzuarve për veprat për të cilat janë shpallur fajtorë.
Apeli gjen se Themelorja nuk ka vlerësuar në mënyrë të veçantë saktësinë e provave dhe se ka kontradikta të konsiderueshme mes asaj që paraqitet në arsyetim të aktgjykimit, me përmbajtjen e provave të administruara në shqyrtim gjyqësor.
Shkalla e dytë ka vlerësuar se shkalla e parë nuk ka analizuar në mënyrë të plotë dhe të hollësishme veprimet e ndërmarra nga të akuzuarit dhe përfundimet eventuale që do të dilnin nga mënyra e veprimit të të akuzuarve që lidhen me pasojën.
Apeli ka specifikuar se kur Themelorja ka vërtetuar ekzistimin e dashjes për kryerjen e veprave penale nga të akuzuarit dhe faktin e dashjes që t’i përfundojnë ato, sipas Apelit, ky konstatim bie ndesh me pjesën tjetër të arsyetimit që lidhet me dashjen si element kyç.
“Ky arsyetimi i dhënë nga gjykata e shkallës së parë sa i përket dashjes si element kyç, është krejtësisht kontradiktor me pjesën tjetër të arsyetimit”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Apelit.
Po ashtu, Apeli ka theksuar se nuk janë vlerësuar deklaratat e palëve të dëmtuara dhe dëshmitarëve, të cilat kanë pasur rol kyç për përcaktimin e qëllimi të të akuzuarve dhe se qëllimin, Themelorja është mjaftuar duke e përcaktuar vetëm nga provat materiale.
Aty thuhet se nga arsyetimi i Themelores, del se ka krijuar bindjen nga konstatimi i ekspertit të balistikës lidhur me atë se predha e gjetur te viktima ka qenë e rikoshetuar, e që sipas Apelit, jo domosdoshmërisht predha e rikoshetuar përjashton qëllimin e të akuzuarve.
Rekomandimet e Apelit:
Gjykata e Apelit ka kërkuar që shkalla e parë gjatë rigjykimit të administrojë secilën provë veç e veç dhe në lidhmëri me njëra-tjetrën, duke shqyrtuar në veçanti relevancën e faktit që pretendohet të vërtetohet dhe ndikimin e të njëjtit në vërtetimin e plotë dhe të saktë të gjendjes faktike.
Sipas Apelit, Themelorja pas administrimit të provave të nxjerra, qëllimin e të akuzuarve në rastin konkret varësisht nga konkluzionet që do të dalin pas përfundimi të rastit, krejt në fund të marrë vendimin përkatës.
Historiku i rastit:
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 prill 2019, pasi që kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, të akuzuarin Arlind Ahmeti e kishte shpallur fajtor për shtytje në vrasje të rëndë, duke shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim. Kurse, Vllasaliu gjendej në arrati.
Por, Gjykata e Apelit, në nëntor të vitit 2019, kishte vendosur që ky rast të gjykohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi i 16 prillit 2019, është në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Kurse, më 13 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë sërish e kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Agron Vllasaliu dhe Arlind Ahmeti, duke i dënuar me nga 21 vjet burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje të tani të ndjerit N.S, në vitin 2017 në Prishtinë.
Ndërsa, Gjykata e Apelit më 23 mars 2023, me rastin e ankesave të përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, avokatit Nexhmedin Sejdiu, mbrojtësve të të akuzuarit Arlind Ahmeti, avokatit Asdren Hoxha dhe avokatit Fitim Malokaj, si dhe mbrojtësit të të akuzuarit Agron Vllasaliu, avokatit Florent Latifaj, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen ia ka kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.
Më pas, Themelorja më 11 tetor 2024 pasi ua ricilësoi veprën penale në “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, Ahmetin dhe Vllasaliun i dënoi me nga 16 vjet burgim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 korrik 2021, Agron Vllasaliu akuzohet se më 24 nëntor 2017, në bazë të marrëveshjes paraprake me të pandehurin Arlind Ahmeti, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin N.S dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.