Prokuroria Themelore në Gjakovë të martën ka njoftuar se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka kërkuar nga Gjykata të caktojë 30 ditë paraburgim për XH.P. dhe A.M., dy personat përgjegjës të dy kompanive që po merreshin me ndërtimin e një banese ku dy punëtorë vdiqën pasi ranë nga 9 metra në lartësi nga toka të hënën (dje).
Të dy dyshohen se kanë vepruar në kundërshtim me rregullat mbi masat për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës. Prokuroria i akuzon për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Xh.P. dhe A.M., persona përgjegjës të personave juridikë - NTSH “Sh....” Sh.P.K. dhe NTSH “Sh.....” më datë 21.07.2025 rreth orës 08:16 min, në Gjakovë, në rrugën “Bardhyl Qaushi”, saktësisht në vendpunishten e përkohshme të subjektit afarist “NTSH Sh......” në cilësi të punëdhënësit –investitorit i cili është përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme dhe duke mos vepruar në pajtim me rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës nga pakujdesia shkakton vdekjen e punëtoreve këtu të viktimave H.J., dhe D.B.”..
“...në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë nuk i zbaton masat parandaluese për shmangien e rreziqeve ngase viktimat derisa ishin duke punuar në ndërtimin e objektit banesor përkatësisht kishin qenë në shkelësen e dërrasës së montuar jashtë kushteve teknike duke bërë demolimin e dërrasave të jashtme të betonit për një moment dërrasa shkelëse thyhet dhe të njëjtit bien nga kati i tretë, në lartësinë nga toka prej nëntë (9)metra, të cilët gjatë punës nuk kishin jelek dhe helmeta mbrojtëse e as nuk kishte të vendosur litarin për siguri, si dhe vendi nga ku kanë rënë viktimat nuk kishte skele të vendosura e as parmak mbrojtës që nuk do të lejonte që punëtorët të bie në tokë, me ç’ rast si pasojë e rrëzimit në vendin e punës dhe lëndimeve të marra të dy kanë humbur jetën të konstatuar sikurse në raportin mjekësor të lëshuar nga Spitali Rajonal në Gjakovë të datës 21.07.2025”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.
Arrest shtëpiak për dy të dyshuar pas vdekjes së dy punëtorëve në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për një muaj ndaj të pandehurve Xh. P. dhe A. M., të dy shtetas së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Ngjarja tragjike ka ndodhur më 21 korrik në një vendpunishte në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, ku dy punëtorë, H. J. dhe D. B., humbën jetën pasi ranë nga kati i tretë i një objekti në ndërtim. Sipas Prokurorisë, aksidenti fatal ka ndodhur si pasojë e mungesës së pajisjeve mbrojtëse dhe moszbatimit të rregullave të sigurisë në punë.
Të dyshuarit Xh. P., si përfaqësues i “NTSH Sh....” Sh.P.K, dhe A. M., si përfaqësues i “M. G.” Sh.P.K, janë identifikuar si persona përgjegjës në cilësinë e investitorit dhe punëkryesit. Ata dyshohen se nuk kanë siguruar pajisjet mbrojtëse të nevojshme për punëtorët, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, ka vlerësuar se arresti shtëpiak është masë e mjaftueshme në këtë fazë të hetimeve.
Arresti shtëpiak do të zgjasë deri më 20 gusht.