Kronikë

Katër vjet e gjysmë burgim për vrasjen në tentativë për shkak të një prone në Gjakovë

paraburgim

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë, e ka dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim të pandehurit P.B., i cili akuzohej për vrasje të mbetur në tentativë dhe mbajtje në pronësi, kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve.

“Trupi gjykues, i kryesuar nga kryetari Drilon Haraçia, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, shpalli aktgjykimin me të cilin i pandehuri u shpall fajtor dhe ndaj tij u shqiptua dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj”, thuhet në njoftim.

I pandehuri  thuhet se akuzohej se më datë 20 dhjetor 2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Diaspora” në Brekoc – Gjakovë, pas një mosmarrëveshjeje pronësore të vazhdueshme, ka tentuar me dashje ta privojë nga jeta të dëmtuarin Gj.B.. 

“Gjatë një bisede pranë rrethojës së oborrit, pas një fjalosjeje, i pandehuri ka nxjerrë pistoletën dhe ndërsa i dëmtuari po largohej me vrap, ka shtënë nga një distancë rreth 3 metrash, duke e goditur në pjesën e poshtme të shpinës. Si pasojë, i dëmtuari ka pësuar lëndime të rënda dhe të rrezikshme për jetën, për të cilat ka qenë i nevojshëm operimi”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktgjykimi, thuhet se palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.