Kronikë

Kapet armatim në Zveçan, Sveçla thotë se u kap në objektin e politikanit serb

Armatim

Foto: Policia e Kosovës

Policia e Kosovës njoftoi se ka sekuestruar sasi të madhe armatimi në fshatin Vallaq të Zveçanit, pas një bastisjeje mes njësive policore, KFOR-it dhe EULEX-it.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i tha KOHËS se janë gjetur armë, municione, granata dore dhe zolla në një stallë kuajsh.

Gjatë dy bastisjeve të tjera, një në Mitrovicë të Veriut e një në Zveçan, Elshani tha se kanë hasur në jelekë antiplumb, fishekë dhe 14 kartela grafike.

“Pas pranimit të informacionit se në një lokacion të caktuar ka mundësi që të ketë armë, Policia e Kosovës ka reaguar dhe gjatë bastisjes në fshatin Vallaq, Komuna Zveçan, në një shtallë të kuajve kemi hasur  në një sasi të madhe armatimi. Armët, municioni, granatat e dorës dhe Zollat janë gjetur në dy gypa të plastikës të vendosur nën tokë. Gjatë bastisjes prezent ishin përpos njësive adekuate policore edhe US-KFOR dhe njësi monitoruese nga EULEX”, thuhet në njoftimin e Elshanit.

Sipas Elshanit, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit.

“Në lidhje me këtë rast nuk kemi persona të arrestuar por e kemi një person me interes për intervistim. Me rastin është duke u marrur Prokuroria Themelore në Mitrovicë”, thuhet tutje në njoftim.

Për këtë aksion policor ka shkruar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që tha se armatimi i kapur është “arsenal i mjaftueshëm për një njësit terrorist”.

Sipas Sveçlës, armatimi i rëndë është gjetur në një objekt që i përket politikanit serb, Aleksandar Arsenijeviq.

“Krimi nuk mund të fshihet kurrë, pavarësisht petkut që vesh. Veçanërisht përballë institucioneve tejet vigjilente e profesionale që po punojnë pa u ndalur në ofrimin e sigurisë e sundimit të rendit e ligjit në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. Nuk do të ndalemi derisa në çrrënjosjen e plotë të mbetjeve kriminale e terroriste të Serbisë nga vendi ynë”, thuhet në njoftimin e tij në Facebook.