Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar pas vrasjes së trefishtë që ndodhi të dielën në këtë qytet.
Hyseni ka thënë se do të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit dhe drejtësisë që autori të sillet para drejtësisë sa më shpejt. Ai ka thënë se nuk do të lejohet që dhuna të marrë vend në “jetën tonë të përditshme”.
“Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Gjilanit, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uroj shërim sa më të shpejtë për të plagosurit. Zemrat tona sot janë me ju. Ky akt i dhunshëm dhe i papranueshëm është një plagë e rëndë për komunitetin tonë. Ju siguroj se do të bashkëpunojmë ngushtë me organet e rendit dhe drejtësisë, që autori i këtij krimi të sillet para drejtësisë sa më shpejt. Gjilani është qytet i paqes dhe bashkëjetesës, dhe ne nuk do të lejojmë që dhuna të marrë vend në jetën tonë të përditshme. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të qëndrojmë të bashkuar si komunitet”, ka shkruar Hyseni në Facebook.
Për vrasjen e trefishtë ka reaguar edhe kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri.
“Është e dhimbshme që prej epitetit qytet i paqes e i respektit dhe qytetit pa asnjë vrasje, në vitet e fundit Gjilani është shndërruar në qytet të dhimbjes së madhe e kronikës së zezë. Kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme”, ka shkruar Haziri.
