Kronikë

Tre të vrarë në Gjilan, i dyshuari shpallet në kërkim

Vrasja - Gjilan

Pamje nga vendi i ngjarjes

Artikulli është përditësuar - Tre persona janë vrarë e disa janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Gjilan të dielën në mesditë, kanë konfirmuar autoritetet.

Fillimisht Policia e Kosovës njoftoi se vdekja e dy personave është konstatuar në vendin e ngjarjes, në rrugën “Ibrahim Rugova”. U tha po ashtu se dy të plagosurve u është ofruar ndihma në qendrën emergjente në Gjilan. Nuk qe njoftuar për gjendjen e tyre. E më pas, në spitalin e Gjilanit kanë thënë se në vend të ngjarjes është konstatuar një rast i vdekjes, e dy të tjerë janë dërguar në Emergjencë pa shenja jete.

“Një rast tjetër është transferuar për në QKUK dhe një tjetër është pranuar në Ortopedi. Gjendjen nuk mund ta përshkruajmë, por do të shohim nëse ndryshon diçka në ndonjë moment të caktuar”, ka thënë Kudret Rexhepi nga zyra për media në Spitalin e Gjilanit.

Në vendin e ngjarjes janë njësitet relevante dhe prokurori i shtetit.

I dyshuar për vrasjet është Mefail Shkodra. Policia e ka shpallur në kërkim për vrasjet, teksa ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tij. Nuk janë bërë të ditura të dhëna të tjera për të, pos që është publikuar një fotografi.

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim të lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, lëshon këtë kërkesë për bashkëpunim me qytetarë dhe mediat”, thuhet në njoftim. "Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale Gjilan kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit në foton e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë’’, E-mail: [email protected] dhe numrat kujdestarë:192; 03850807001. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë".

Policia ka thirrur konferencë për media lidhur me rastin. Konferenca mbahet nga ora 18:00. 

Krasniqi për vrasjen e trefishtë në Gjilan: Alarm për pasigurinë e kriminalitetin që po rriten

16 min. më parë / 10 gus 2025 16:34
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar për vrasjen e trefishtë në Gjilan që ndodhi të dielën. 

Krasniqi ka thënë se ky është një alarm tjetër për pasigurinë, kriminalitetin dhe fenomenet negative që po rriten vitet e fundit në Kosovë. Ai u ka bërë thirrje institucioneve të veprojnë shpejtë. 

“Ngjarja tragjike e sotme në Gjilan, ku u vranë tre persona, është një dhembje e madhe për të gjithë. Ky është një tjetër alarm për pasigurinë, kriminalitetin dhe fenomenet negative që po rriten vitet e fundit në Kosovë.  Institucionet duhet të veprojnë shpejt për t’i sjell akterët para drejtësisë, por edhe për të rikthyer sigurinë dhe besimin e qytetarëve. Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave!” – ka shkruar Krasniqi në Facebook.