Dy punëtorë kanë vdekur pasi kanë rënë nga lartësia e një objekti në ndërtim në Gjakovë.
Rastin e ka konfirmuar nga Policia e Kosovës zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës Sheremet Elezaj.
“Sot rreth orës 08:15, jemi njoftuar se dy persona (meshkuj të moshës madhore) janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Gjakovë, dyshohet si pasojë e lëndimeve të pësuar në vendin e punës, në rrugën 'Bardhyl Qaushi' në Gjakovë. Më pas është konfirmuar edhe vdekja e tyre”, ka deklaruar Elezaj.
Ai ka thënë se njësitet relevante të Policisë kanë dalë në menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprime hetimore më qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.
Dy të arrestuar pas vdekjes së dy punëtorëve në Gjakovë
Dy persona janë arrestuar pas vdekjes së dy punëtorëve në vendin e punës në Gjakovë.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ata janë ndaluar për veprat penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse” dhe “Rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
“Brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të njëjtëve do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftim.
Trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.