Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, e ka dënuar me një vit e katër muaj burgim mësuesin F.K. për veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “ngacmim seksual”.
F.K. kishte ngacmuar seksualisht nxënëset e klasës së gjashtë dhe ishte arrestuar në vitin 2023.
“Gjykata Themelore në Mitrovicë - Dega në Vushtrri, ka bërë shpalljen e aktgjykimit ndaj të pandehurit F.K., duke i shqiptuar dënim unik për burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 4 muaj, për kryerjen e veprave penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike dhe ngacmim seksual”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës së Mitrovicës, Hateme Haxhaj.
Avokatja Laura Tahiri, përfaqësuese ligjore e njërës prej viktimave të mitur, ka thënë për KosovaPress se ky është një vendim që bart mesazh të rëndësishëm për rastet e ngjashme.
“Vendimi është dënues. Arsimtari është shpallur fajtor për dy veprat e kryera – keqtrajtim dhe ngacmim seksual, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Mua si mbrojtëse, përtej barrës ligjore që e kam pasur në këtë proces penal, shumë e rëndësishme ka qenë mesazhi që japim pas përfundimit të tij”, ka thënë Tahiri.
Ajo theksoi se ky rast dëshmon seriozitetin me të cilin duhet të trajtohen veprat penale ndaj të miturve, sidomos brenda institucioneve arsimore.
“Në rastin konkret, ky dënim tregon seriozitetin e veprës penale. Raste të tilla dhe kjo dukuri nuk duhet të mbeten të izoluara brenda institucioneve shkollore, por duhet të raportohen në institucionet kompetente, të trajtohen në gjykata dhe të merren vendime ndëshkuese”, përfundoi ajo.