Një burrë në Prizren ka therur për vdekje vajzën e tij 15-vjeçare ndërsa ka lënduar rëndë të bijën tjetër, ka njoftuar Policia e Kosovës. Siç bëhet e ditur, lëndime ka pësuar edhe gruaja 35-vjeçare.
I dyshuari është arrestuar.
Në njoftimin e Policisë sqarohet se emergjenca mjekësore nuk ka arritur t’i japë ndihmë në vendin e ngjarjes viktimës, për shkak se aty ndodhej i dyshuari me thikë në dorë. Pas kësaj janë nisur katër patrulla policore. Kjo ka ndodhur para orës 6 të mëngjesit të së martës.
“Në vendngjarje është kuptuar se një i dyshuar, M.G., viti i lindjes 1981, mashkull ka therur me thikë dy vajzat e tij, njëra 15 vjeçare e cila ka mbetur e vdekur në vend ngjarjes dhe tjetra e lënduar rëndë, e cila për momentin në gjendje të rëndë ndodhet në QKUK në Prishtinë. I dyshuari ka lënduar veten gjithashtu dhe gjendet në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Lëndime ka pësuar edhe e shoqja e tij 35 vjeçare”, thuhet në njoftim të Policisë rajonale.
Të gjithë këta janë shtetas turq me banim të përkohshëm në Prizren.
Prokuroria Themelore në Prizren tha se rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë”.
Vajza 15-vjeçare ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, derisa 10-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore dhe po trajtohet në QKUK. Ajo është jashtë rrezikut për jetë.
“E njëjta është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë mjekësor. Po, ashtu lëndime trupore ka pësuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit (nëna e vajzave). I dyshuari gjithashtu është vetlënduar, por është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe kryeprokurori i Themelores në Prizren, Petrit Kryeziu.
“Nga pranimi i informatës në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e ngjarjes ndodhet Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ku pritet që me njësitet relevante policore, së bashku me krim tekniken dhe zyrtarët e IML-së, të përfundojnë procedurat hetimore në vendin e ngjarjes. Prokuroria Themelore në Prizren, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik”, thuhet në njoftim.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se vrasja e së martës në Prizren është akt i tmerrshëm i dhunës në familje dhe përbën krim që duhet të dënohet maksimalisht.
Ajo ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë rastin me prioritet të lartë.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në Prizren, ku një shtetas turk me banim të përkohshëm në Republikën e Kosovës vrau vajzën e tij të mitur dhe plagosi rëndë vajzën tjetër 11-vjeçare. Ky akt i tmerrshëm i dhunës në familje është i papranueshëm dhe përbën një krim që duhet të dënohet maksimalisht”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.