Një person i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan më 29 maj 2023 është arrestuar sot.
Sipas njoftimit, Lj.M është raportuar se ka hyrë në territorin e Kosovës nga Serbia.
“Lidhur me rastin është informuar Prokuroria Speciale dhe në koordinim me Prokurorinë Speciale, duke konsideruar peshën e veprave të kryera dhe rrezikun potencial për arratisje pasi që i dyshuari punon dhe qëndron në Serbi, si dhe mundësinë për manipulimin apo zhdukjen e provave, Policia e Kosovës ka ndërmarr veprime për ndalimi i tij si dhe sigurimin e prezencës së tij në procedurën penale që zhvillohet ndaj tij, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë”, thuhet në njoftim.
I dyshuari Lj.M, është ndaluar nga Policia e Kosovës në Komunën e Zveçanit dhe me qëllim të sigurimit të provave dhe dëshmive, është realizuar kontrolli në shtëpinë e tij.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: një telefon, uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB, dhe një ‘maicë’ me mbishkrim nacionalist të cilën dyshohet se e ka pasur të veshur ditën kritike.
I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit dhe të përkthyesit dhe me vendim të prokurorit të është dërguar në mbajtje për 48 orë. Poashtu me vendim të prokurorit është inicuar rasti për veprat penale : ‘Bashkim për veprimtari kundër kushtetuese, me qellim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës se Kosovës’., ‘Rrezikim i personave nen mbrojtje ndërkombëtare’, ‘Sulm ndaj personit zyrtarë’ dhe ‘Pjesëmarrja në turmë që krye vepra penale dhe huliganizëm’.