Kronikë

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në Malishevë

malisheve-vrasje

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se është arrestuar A.I. i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve që ndodhi të enjten në fshatin Golluboc të Malishevës. 

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës, thuhet se në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

“Brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të dyshuarit A.I., do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.

Për arrestimin e tij detaje ka dhënë edhe Policia e Kosovës. 

Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari është arrestuar në fshatin Pllaqicë dhe ka pasur plagë që dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit. 

“Sot, më datë 07.11.2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë, është arritur të arrestohet personi i dyshuar A. I. (1983), mashkull kosovar. Pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor, pasi i njëjti ka pasur plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të vazhduar mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë. 

I arrestuari që dyshohet se vrau dy vëllezërit, njëri 32 e tjetri 45 vjeç, është dhëndri i tyre.

Të afërm të viktimave treguan se i dyshuari ka ardhur ta marrë bashkëshorten, motrën e dy viktimave, e cila po qëndronte te familja pasi disa ditë më parë i vdiq babai.

Ndaj dorasit ka aktakuzë aktive për dhunë në familje, të kryer në mars.