Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka arrestuar një person në Prishtinë, nën dyshimin për një sërë veprash penale, përfshirë falsifikim dokumentesh, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, i arrestuari dyshohet se në periudhën 2021–2024, ka qenë i përfshirë në një skemë të ndërlikuar të falsifikimit të dokumenteve që lidhen me prona të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Në bashkëpunim me persona të tjerë, ai dyshohet se ka falsifikuar dokumente për t’i bartur pronat nga statusi shtetëror në pronësi private, e më pas i ka shitur ato, duke mashtruar blerësit dhe përfituar shuma të mëdha parash.
Gjatë operacionit policor, janë bastisur një shtëpi, tri banesa dhe dy garazha, ku janë gjetur dhe konfiskuar dokumente të shumta që lidhen me falsifikime, si dhe pajisje që dyshohet se janë përdorur për prodhimin e dokumenteve të rreme.
Policia ka sekuestruar gjithashtu një pistoletë me 103 fishekë, një telefon celular, një orë dore “Rolex” dhe një zingjir dore “Rolex”.
I dyshuari është dërguar në mbajtje.