Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj mjekut A.V. nga Vushtrria, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi.
Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se në periudhën nga 20 korriku deri më 28 tetor 2025, gjatë punës së tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri, me dashje në cilësinë e specialistit të mjekësisë familjare, ka keqpërdorur pozitën zyrtare me qëllim përfitimi pasuror.
Prokuroria pretendon se mjeku ka lëshuar raporte mjekësore sipas kërkesës së pacientëve, ndonëse ishte në dijeni se ata nuk vuanin nga sëmundjet e shënuara në dokumente. Sipas njoftimit, i pandehuri dyshohet se i ka pyetur pacientët se çfarë diagnoze dëshironin t’u përshkruhej, në mënyrë që këto raporte të përdoreshin për hapjen e pushimeve mjekësore në kundërshtim me Ligjin e Punës.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se i pandehuri ka përshkruar barna sipas rekomandimeve të agjentëve farmaceutikë, ndërsa pas lëshimit të raporteve mjekësore dyshohet se ka pranuar shuma parash që varionin nga pesë deri në pesëdhjetë euro.
“Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka propozuar gjykatës që mjeku të shpallet fajtor për veprën penale që i vihet në barrë dhe ndaj tij të shqiptohet sanksioni penal i paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.