Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurve, K.K., Sh.G., V.S. dhe L.G., të cilët ndodhen në paraburgim nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të grabitjes.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, K.K. dhe Sh.G. akuzohen edhe për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 3 shkurt 2026, rrethores 01:05, në afërsi të Tregut të Gjelbër në Prizren. Prokuroria pretendon se të pandehurit, pas një marrëveshjeje paraprake, kanë vepruar në bashkëkryerje me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme të të dëmtuarës L.R., duke përdorur kanosje serioze me armë dhe thikë.
Të maskuar dhe të armatosur, ata i janë afruar automjetit ku ndodheshin të dëmtuarit L.R. dhe H.S. dhe, nën kërcënimin e armës dhe thikës, kanë kërkuar para. Sipas aktakuzës, nga e dëmtuara janë marrë para në dorë, ndërsa nga automjeti është marrë edhe një send me vlerë të vogël.
Pas kryerjes së grabitjes, të pandehurit dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin me të cilin kishin ardhur, në drejtim të panjohur. Të dëmtuarit kanë njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës.
Gjatë hetimeve dhe kontrolleve të realizuara nga policia, janë gjetur dhe konfiskuar dy armë zjarri: një pistoletë e tipit “Zoraki” kalibër 9 milimetra me një karikator dhe një fishek, si dhe një pistoletë e tipit “EKOL” kalibër 9 milimetra me karikatorin përkatës.
Po ashtu, është konfiskuar edhe një automjet i markës “Golf VII”, i cili sipas Prokurorisë dyshohet se është përdorur për kryerjen e veprës penale.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.