Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

AP: Trumpi miraton marrëveshjen bërthamore që mund t'i lejojë Arabisë Saudite të pasurojë uranium

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka miratuar një marrëveshje me Arabinë Saudite, e cila mund t'i japë mbretërisë aftësinë për pasurimin e uraniumit në kuadër të programit të saj civil bërthamor, sipas dy personave të njohur me çështjen.

Burimet të cilat kanë folur në kushte anonomiteti për Associated Press për vendimin që ende nuk është shpallur zyrtarisht, kanë thënë se marrëveshja pritet të bëhet publike të mërkurën.

Marrëveshja pritet të ketë një afat prej 30 vjetësh dhe gjithashtu parashikon përfshirjen e kompanive amerikane në zhvillimin e programit bërthamor. Ajo mund të lejojë ndërtimin e një impianti për pasurimin e uraniumit në Arabinë Saudite, pas një studimi të përbashkët amerikano-saudit.

Megjithatë, marrëveshja, e cila pritet t'i paraqitet Kongresit amerikan për shqyrtim, mund të përballet me kundërshtime nga ligjvënësit që druhen se ndihma për Arabinë Saudite në realizimin e dëshirës së saj afatgjatë për të pasuruar uraniumin mund të nxisë një valë të re të përhapjes së armëve bërthamore dhe konkurrencës në këtë fushë.

Arabia Saudite është shtet anëtar i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), me seli në Vjenë, e cila promovon përdorimin paqësor të energjisë bërthamore, por njëkohësisht kryen inspektime për të siguruar që vendet nuk zhvillojnë fshehurazi programe për armë bërthamore.

Edhe Trumpi i lidh “Marrëveshjet e Abrahamit” me marrëveshjen me Iranin Botë 1 muaj më parë Trumpi i lidh “Marrëveshjet e Abrahamit” me marrëveshjen me Iranin

Megjithatë, sipas njërit prej burimeve, marrëveshja nuk pritet të përfshijë Protokollin Shtesë të IAEA-së, i cili do të mundësonte monitorim, inspektime dhe verifikime më të gjera.

Njoftimi i pritshëm vjen në kulmin e luftës së nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit, e cila synon, ndër të tjera, të shkatërrojë aftësinë e Teheranit për të zhvilluar armë bërthamore. Irani ka këmbëngulur vazhdimisht se programi i tij i pasurimit të uraniumit ka qëllime vetëm paqësore.

Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarët sauditë në Riad nuk u janë përgjigjur menjëherë kërkesave për koment lidhur me vendimin, i cili u raportua fillimisht nga The Wall Street Journal.

Si Trumpi, ashtu edhe ish-presidenti Joe Biden, janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje bërthamore me Arabinë Saudite për të ndarë teknologjinë amerikane.

Megjithatë, ekspertët e mospërhapjes së armëve bërthamore paralajmërojnë se funksionimi i centrifugave për pasurimin e uraniumit në Arabinë Saudite mund të hapë rrugën për një program të mundshëm armësh bërthamore për mbretërinë. Kjo është një mundësi që udhëheqësi de facto i vendit, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, ka lënë të kuptohet se mund ta ndjekë nëse Teherani siguron një bombë atomike.

Edhe Trump: Irani do të ndalojë pasurimin e uraniumit Botë 2 muaj më parë Trump: Irani do të ndalojë pasurimin e uraniumit

Arabia Saudite dhe Pakistani, që zotërojnë armë bërthamore, kanë nënshkruar tashmë një pakt të mbrojtjes së ndërsjellë, pasi Izraeli kreu një sulm ndaj Katarit që kishte në shënjestër zyrtarë të Hamasit. 

Më pas, ministri i Mbrojtjes së Pakistanit ka deklaruar se programi bërthamor i vendit të tij "do t'i vihet në dispozicion" Arabisë Saudite nëse do të jetë e nevojshme; një lëvizje kjo që shihet si paralajmërim për Izraelin, i cili prej kohësh konsiderohet si i vetmi shtet në Lindjen e Mesme që zotëron armë bërthamore.