Kronikë

Aktakuzë ndaj 7 personave që dyshohen për mijëra euro dëm ndaj buxhetit të Komunës së Suharekës

Komunës së Suharekës

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, të enjten ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë ndërtimit të shkollës fillore “Vaso Pashë Shkodrani” në fshatin Tërnje të Suharekës.

Të pandehurit B.K. (menaxher i projektit), A.R., V.K. (mbikëqyrës të brendshëm komunalë, Z.T. (mbikëqyrës i jashtëm i kontraktuar), A.E., H.B., dhe A.T. (anëtarë të komisionit për kontrollimin e punëve në këtë projekt) akuzohen se, në periudhën mes tetorit 2018 dhe dhjetorit 2019, duke vepruar në cilësi të ndryshme si menaxher projekti, mbikëqyrës komunal e të jashtëm, si dhe anëtarë të komisionit për kontrollimin e punimeve, kanë shkelur procedurat dhe detyrimet zyrtare, duke mundësuar përfitime të padrejta për Operatorin Ekonomik të kontraktuar.

Sipas aktakuzës, projekti për ndërtimin e shkollës, në vlerë mbi 294 mijë euro, është ndryshuar në mënyrë të paligjshme, ndërsa janë pranuar punë të pakryera si të përfunduara. Ndër to përfshihet edhe mosrealizimi i një pjese të podrumit me sipërfaqe prej 175 m², i zëvendësuar me vetëm 16 m² të një aneksi, duke sjellë dëme në buxhetin komunal.

Për më tepër, është lidhur edhe një kontratë për punë shtesë në vlerë prej 29,202 euro, duke e thelluar dëmin financiar.

Të pandehurit po përballen me akuzën për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.