Njësiti antidrogë e Policisë së Kosovës ka zhvilluar një operacion në rajonin e Prishtinës, me qëllim të luftimit të shpërndarjes së drogës në nivel rrugor.
Në operacionin e koduar “Banakieri” janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në aktivitete të shpërndarjes së substancave narkotike. Arrestimet janë kryer në lagje të ndryshime, pas një pune hetimore disa mujore.
Policia ka bërë të ditur se janë konfiskuar 626 gramë marihuanë dhe para të gatshme, pajisje për matje dhe paketim të drogës.
“Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në aktivitetet e shpërndarjes së substancave narkotike. Arrestimet janë kryer në lagje të ndryshme të Kryeqytetit pas një pune hetimore disamujore. Gjatë kontrollit trupor dhe në lokacione të dyshuara janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Në total janë konfiskuar rreth 626 gram marihuanë, një cigare e mbushur me të njëjtën substancë, para të gatshme dhe pajisje për matje dhe paketim. Vlera e tregut e substancës së konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 3,000 euro. Njësia e Forenzikës Rajonale ka dalë në vendin e ngjarjes për të dokumentuar dhe konfiskuar provat materiale”, ka njoftuar Policia.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e shpërndarjes së narkotikëve, në veçanti atë në nivel rruge. Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, ka njoftuar Policia.