(E përditësuar) Ka vdekur 26-vjeçari i cili ishte në gjendje kritike pas aksidentit të ndodhur në Leposaviq.
Policia njoftoi se në aksidentin të ndodhur në magjistralen Mitrovicë – Leposaviq, kanë qenë te përfshira dy automjete civile, një me targa vendore dhe një me targa të huaja.
Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se njëra nga veturat ka kaluar në shiritin e kundërt, duke u përplasur me automjetin që po vinte në kahje të kundërt.
Si pasojë e aksidentit, pesë persona kanë pësuar lëndime: dy shoferët dhe tre pasagjerë.
V.M. me vit të lindjes 1999 ka vdekur në spitalin rajonal të Mitrovicës Veri.
Aksident në Leposaviq, një person në gjendje të rëndë
Pesë persona janë lënduar në një aksident trafiku mes dy veturave që ka ndodhur në hyrje të Leposaviqit.
Erduan Baliqi, shef i planifikimit në Operativën Rajonale Mitrovicë–Veri të Policisë së Kosovës, tha se njëri nga të lënduarit është në gjendje të rëndë.
“Po, ka ndodhur një aksident trafiku në hyrje të Leposaviqit. Kemi pesë të lënduar, ku katër prej tyre janë me lëndime të lehta, ndërsa një është në gjendje kritike”, deklaroi Baliqi.
Sipas tij, i lënduari rëndë është dërguar në repartin intensiv të spitalit të Mitrovicës së Veriut./ KP