Me 23 vjet e 9 muaj burgim janë dënuar 13 ish-zyrtarë policorë të veriut, që u shpallën fajtorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishin të angazhuar në veri. Në mungesë provash, 6 të tjerë u liruan nga akuza. Në seancën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, njëri nga policët shqiptar dhe mbrojtja e njërit nga policët e komunitetit serb e kualifikuan aktgjykimin si të pabazuar e politik
Fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare në bashkëkryerje e kontrabandim të mallrave nga territori i Serbisë për në Kosovë gjatë periudhës 2017-2019 janë shpallur të premten 13 ish-zyrtarë policorë të angazhuar në veri.
Në shpalljen e aktgjykimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kryetari i trupit gjykues, Mentor Bajraktari, ka thënë se ata janë dënuar me gjithsej 23 vjet e 9 muaj burgim, përderisa gjashtë të tjerë, në mungesë provash, janë liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Të dënuarve iu ndalua edhe angazhimi në funksione publike prej dy vjetësh, pas mbajtjes së dënimit me burgim.
“Ndaj të akuzuarve shqiptohet edhe dënimi plotësues ashtu që të akuzuarve Zvezdan Spasojeviq, Bilana Nedelkoviq, Millija Millunoviq, Albert Maxhuni, Abdurrahim Haxhiq, Ramadan Mustafiq, Jasna Durlleviq, Zenel Bahtiri, Ali Pllana, Reshat Kuçi, Vukadin Tomasheviq, Burim Merovci dhe Bllagoje Llazoviq iu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose shërbime publike secilit veç e veç me kohëzgjatje 2 vjet, pas mbajtjes së dënimeve me burgim, të shqiptuara sipas këtij aktgjykimi”, ka thënë Bajraktari.
Trembëdhjetë të dënuarit nga Gjykata janë: Zvezdan Spasojeviq – me 3 vjet burgim, Biljana Nedeljkoviq – me 2 vjet e 3 muaj, Miljan milenkoviq – me 1 vjet e 10 muaj burg, Albert Maxhuni -2 vjet burgim, Abdurrahim Haxhiq- 2 vjet burgim, Ramadan Mustafiq -2 vjet burgim, Jasna durleviq -1 vit e 10 muaj burgim, Zenel Bahtiri -1 vit e 8 muaj burgim, Ali Pllana me dënim – 1 vit e 8 muaj burgim, Reshat Kuçi – 2 vjet burgim, Vukadin Tomasheviq – 1 vit e 6 muaj burgim, Burim Merovci – 6 muaj burgim, dhe Blagoje lazoviq -1 vit e 6 muaj burgim.
Pas shpalljes së aktgjykimit, Albert Maxhuni, që u dënua me dy vjet burgim, e quajti vendimin si të pabazuar dhe politik.
“Sot janë katër vjet e 5 muaj, 1 muaj pa përfunduar kjo, prokurori heq dorë prej marrjes së ryshfetit. Çka kam bë unë, pra? A jam vonu me shku në punë? A çka paskam bërë unë? Keqpërdorim i detyrës zyrtare. Unë nuk paskam marrë ryshfet. Për ryshfet jam akuzuar më së pari. Tash nuk paskam marrë ryshfet, por e paskam keqpërdorë detyrën. Nuk po e di as çka e kom keqpërdor detyrën. Çka kom ba unë?... Këta na kanë gjykuar pa asnjë provë materiale, asnjë provë nuk ka pasur hiç”, ka thënë Maxhuni.
Predrag Milkoviq, avokat i të akuzuarit Bllagoje Llazoviq, të dënuar me një vit e 6 muaj burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka thënë se do të paraqesë ankesë në shkallën e dytë.
“Nuk jemi të kënaqur me vendimin e Gjykatës, mendoj që siç Gjykata i ka liruar disa prej të akuzuarve të tjerë, ka ekzistuar mundësia e njëjtë me i liru edhe disa persona të tjerë në mungesë të provave. Prokuroria gjatë shqyrtimit nuk ka provuar që kanë kryer veprën penale - keqpërdorim i pozitës zyrtare. Për këtë arsye ne do të bëjmë ankesë në afat ligjor në Gjykatën e Apelit”, ka thënë Milkoviq.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën më 18 maj të 2020-s ndaj 33 personave të dyshuar se kanë kryer veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje ryshfeti”, “Kontrabandë me mallra”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Më 20 tetor të këtij viti, prokurori special, Burim Çerkini, i ka bërë ndryshim aktakuzës, duke u tërhequr nga vepra penale “Marrje e ryshfetit”.