Kronikë

120 euro u ble një votë në zgjedhjet lokale, u ngrihet aktakuzë dy personave

zgjedhjet

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve Y.Rr., dhe B.K., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje në lidhje me votimin”.

Sipas aktakuzës, më 12 tetor në fshatin Budakovë Y.Rr., ka ofruar 120 euro për B.K., me qëllim që ky i fundit të votojë në favor të kandidates për asamble komunale, dhe për verifikimin e votimit Y.Rr., ka kërkuar të shohë telefonin e B.K., pas së cilës i ka dorëzuar shpërblimin. 

Ndërkaq, B.K., akuzohet se ka pranuar këto para, me qëllim të ndikimit në votimin e tij.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.