Ndonëse në NATO dhe BE përsërisin se duhet të vihen para drejtësisë përgjegjësit kryesorë për sulmin terrorist në Banjskë, as njëra e as tjetra organizatë nuk kanë bërë sa duhet që kjo të ndodhë. Madje fitohet përshtypja se disa vende anëtare sikur qëllimisht duan t’i ndihmojnë Serbisë që ajo si shtet të mos ketë pasoja për Banjskën. BE-ja tashmë nuk po e përmend edhe Banjskën ndër kushtet për Serbinë
Në një skandal të dyshimtë për spiunazh, në të cilin dyshohet se ishin përfshirë një ushtar kroat i KFOR-it dhe një e dyshuar për bashkëpunim me shërbimet e zbulimit të Serbisë, në mesin e mesazheve të shkëmbyera ishte edhe një rreth konfliktit të serbëve me ushtarët e KFOR-it. Mes tjerash thuhej se “duhet ta hekurosin si të dinë këtë”. Në gjuhën serbe “moraju peglati” (duhet ta hekurosin) ka domethënie që duhet të përmirësojnë gabimin, që të mos ketë pasoja. Dhe që nga sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe ndaj mediave në maj të vitit 2023 në veri të Kosovës dhe sulmit në Banjskë në shtator të po të njëjtit vit, jo vetëm Serbia, por edhe disa qarqe ndërkombëtare kanë bërë veprime për të “hekurosur” Banjskën.
Edhe pse edhe NATO-ja, edhe BE-ja, sikur edhe shtetet kryesore anëtare, kanë kërkuar vazhdimisht që Beogradi të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për Banjskën dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it, para drejtësisë kanë dalë vetëm ata që janë arrestuar nga autoritetet e Kosovës. Ndërsa Serbia i ka injoruar thirrjet për të nxjerrë para drejtësisë kryesit e këtij sulmi, të cilin edhe vetë përfaqësuesi i lartë i BE-së në atë kohë, Josep Borrell, e kishte quajtur sulm terrorist. Nga Beogradi, përpos se nuk ndërmarrin vetë asnjë veprim, në një mënyrë mundohen edhe ta arsyetojnë këtë sulm.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoEdhe pas verdiktit të fundit në Prishtinë kundër të akuzuarve për pjesëmarrje në këtë sulm, faji për këtë “incident” iu hodh Kosovës dhe atë që e quajtën “presioni i Kurtit ndaj serbëve”. Në asnjë rast nga Beogradi nuk ka sinjale se përgjegjësit kryesorë për këtë sulm - për të cilët ekzistojnë dëshmi të qarta - do të vihen para drejtësisë. As për Banjskën e as për sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it.
Ndonëse në NATO dhe BE përsërisin se duhet të vihen para drejtësisë përgjegjësit kryesorë për sulmin terrorist në Banjskë, as njëra e as tjetra organizatë nuk kanë bërë sa duhet që kjo të ndodhë.
Madje fitohet përshtypja se disa vende anëtare sikur qëllimisht duan t’i ndihmojnë Serbisë që ajo si shtet të mos ketë pasoja për Banjskën. BE-ja tashmë nuk po e përmend edhe Banjskën ndër kushtet për Serbinë. Komisioni Evropian ka njoftuar se nuk do të kryejë pagesat për Serbinë nga disa fonde të BE-së, por si kusht i ka përmendur Ligjin për gjyqtarët dhe përbërjen e Komisionit për Media. NATO-ja, nga ana tjetër, edhe përmes sekretarit të përgjithshëm, Mark Rutte, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka premtuar se duhet të vihen para drejtësisë përgjegjësit dhe se ai pret që kjo të ndodhë. Por në vend të presionit ndaj Serbisë edhe NATO-ja paralajmëron se me Serbinë do të zhvillojnë disa stërvitje të përbashkëta që reflekton një lloj mirëbesimi mes tyre.
Jo vetëm se nuk është mirë për stabilitetin në Kosovë dhe të rajonit, por është në dëm edhe të vetë ushtarëve të vendeve të NATO-s që të mos insistohet deri në fund për përgjegjësinë e atyre që i sulmuan. Dhe Banjska, në anën tjetër, ka qenë edhe dështim i misionit të KFOR-it, i cili nuk ka qenë në gjendje që të parandalojë hyrjen në territorin e Kosovës të sasisë së tillë të armatimit, dhe që është edhe më e rëndë, disa sulmues kanë pasur edhe uniforma ushtarake me shenja të KFOR-it.
BE-ja po ashtu sikur ka luajtur një lojë të dyfishtë. Në njërën anë me terme shumë të ashpra ka folur për sulmin, duke e quajtur “terrorist”, e në anën tjetër kanë bërë çmos që në dokumentet e BE-së kjo ngjarje të paraqitet si “operacion i madh i trafikimit të armëve”. Po ashtu në BE kanë përfillur narrativin e Serbisë së sulmuesit ishin “serbë të Kosovës” për të lënë përshtypje se fjala ishte për një kryengritje lokale si shenjë e pakënaqësisë e jo një sulm i përgatitur dhe ekzekutuar nga territori i Serbisë drejt Kosovës.
Nëse BE-ja dhe NATO-ja vërtet duan të sigurojnë që kryesit e sulmeve gjatë trazirave të muajit maj dhe sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023 të dalin para drejtësisë, atëherë e kanë më se të qartë se kush janë fajtorë, ku ndodhen ata dhe nën mbrojtjen e kujt janë. Pa një presion të qartë ndaj Serbisë, pa rezerva dhe pa ambiguitet, Beogradi nuk do të ndërmarrë asgjë. Dhe ikja e organizatorëve dhe kryesve kryesorë nga drejtësia do të dëmtojë më shumë edhe kredibilitetin e BE-së dhe NATO-s, si dhe do të pengojë procesin e normalizimit jo vetëm të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe stabilitetin në rajon. Nuk duhet të lejohet që “të hekuroset” Banjska. Thirrjet përmes deklaratave nga Brukseli nuk do të mjaftojnë në këtë drejtim. Nëse Beogradi nuk do të ketë gatishmëri për t’i dënuar kryesit, nëse nuk dëshiron të bashkëpunojë me Kosovën, BE-ja dhe NATO-ja atëherë duhet të mendojnë për një zgjidhje tjetër, ndoshta edhe përmes krijimit të një gjykate speciale, e cila do të merrej me këtë rast.