Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Politikanët e kanë shndërruar Kosovën në viktimë të procedurave

Në Kosovë, partitë politike sillen sikur për ta procedurat të jenë më të rëndësishme sesa rezultati. Vështirë të gjesh ndonjë vend tjetër ku për aq shumë dilema i shtrohen pyetje Gjykatës Kushtetuese. Dhe në këtë mënyrë, duke pretenduar se i respektojnë procedurat, e kanë sjellë Kosovën në një krizë permanente politike nga e cila, me këtë qasje, nuk do të dalë shpejt

Moto e punës për mbi 40 mijë nëpunës në Komisionin Evropian është se “procedurat janë më të rëndësishme sesa rezultati”. Natyrisht se këtë nuk ua thonë kur i rekrutojnë nëpunësit, e as që është e shkruar diku. Por këtë thënie e përdorim shumë shpesh kritikët për të komentuar mungesën e rezultateve në punën e institucioneve të BE-së. Sepse për rezultatet mund të diskutohen, mund të ketë vlerësime të ndryshme, por për ata që nuk kanë arritur rezultate nuk ka pasoja. E për shkeljen e procedurave ka edhe pasoja. Nëse duam mund ta marrim si shembull edhe dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. BE-ja beson se në këtë proces është arritur rezultati i duhur. Por kritikët mund të pohojnë se rezultatet kanë munguar. BE-ja mund të pohojë se sot kosovarët mund të udhëtojnë nëpër Serbi, Kosova ka një prefiks ndërkombëtar të telefonisë dhe është pjesë e CEFTA-s. Por kritikët mund të thonë se raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më shumë buzë shpërthimit të një konflikti sesa afër normalizimit.

Pra mund të diskutohet për rezultatin, por për BE-në është më pak i rëndësishëm sesa procedura, rregullat. Gjatë gjithë kësaj kohe, në BE thonë se “lehtësuesit i janë përmbajtur mandatit që kanë marrë nga vendet anëtare”. Dhe në këtë mënyrë, duke respektuar procedurat dhe mandatin, lehtësuesit e BE-së e kanë normalizuar mosnjohjen e Kosovës, sepse BE-ja ka qëndrim neutral ndaj statusit. BE-ja për secilin dështim, fajin u ka lënë palëve sepse, fundi i fundit sipas procedurës së dakorduar ky është dialog mes palëve, ndërsa BE-ja vetëm e lehtëson atë, pra nuk mban asnjë përgjegjësi as për dështim e as për rezultatin. Me apo pa rezultate askujt në BE nuk i bëhet vonë a do të ketë apo jo normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Disa me ironi edhe thonë se sa më shumë zgjat kjo më shumë do të ketë punë, mirë të paguar, për ata nëpunës në BE që merren me këtë temë. Vetëm duhet t’i respektojnë procedurat. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ka ekzistuar një thënie e vjetër, mbase e saktë, se “procedurat e kanë shpëtuar Romën”. Por kjo ka qenë në kuptimin e parandalimit të vendimeve të nxituara, autoritative dhe të pamatura. E në fund as Roma nuk shpëtoi.

Në sistemin politik procedurat janë të nevojshme për të krijuar një kornizë në të cilën do të funksionojë sistemi. Por ai sistem vepron sipas rregullave politike të cilat, ndonëse duhet t’i respektojnë procedurat, nuk mund t’i marrin ato si arsyetim për dështimet e tyre dhe për krijimin e krizave.

Procedurat nuk mund t’i zgjidhin krizat politike nëse për tejkalimin e atyre krizave nuk ka vullnet politik.
Për më shumë se një vit Kosova po e ndien se si krijohet dhe vazhdohet kriza politike duke pretenduar respektimin e procedurave.

Në Kosovë partitë politike sillen sikur për ta procedurat të jenë më të rëndësishme sesa rezultati. Vështirë të gjesh ndonjë vend tjetër ku për aq shumë dilema i shtrohen pyetje Gjykatës Kushtetuese. Dhe në këtë mënyrë, duke pretenduar se i respektojnë procedurat, e kanë sjellë Kosovën në një krizë permanente politike nga e cila, me këtë qasje, nuk do të dalë shpejtë.

Tash presim që Gjykata Kushtetuese të sqarojë se kush e ka shkelur Kushtetutën, procedurat apo ligjin. Mbase do të japë një përgjigje se a ka pasur të drejtë presidentja të shpërndajë Kuvendin apo jo. Dhe ndoshta do ta dimë se a ka apo nuk ka në këtë moment Kosova Kuvend funksional.
Kjo situatë është krijuar për shkak të një papërgjegjësie politike. Për shkak se partitë politike si kompromis e konsiderojnë pranimin e ofertës së tyre e jo kërkesat ndaj tyre. Kur thonë “ne kemi ofruar kompromis” mendojnë në propozimin që të zgjidhet kandidati i tyre. Kur VV-ja si fituese e zgjedhjeve i fton partitë e tjera që të dalin me kandidatin e tyre e bën këtë për t’ia legjitimuar fitoren kandidatit të vet. Kur nga opozita thonë se janë të gatshëm të dalin me kandidat, mendojnë që si humbës të zgjedhjeve të marrin së paku postin e presidentit. Ata që deri dje vazhdimisht pohonin se “s’kemi vota për Vjosa Osmanin” tash gati sa vajtojnë pse “Kurti e fundosi Osmanin”.

Ndërsa po presim të dimë se a ka skaduar apo jo afati për zgjedhjen e presidentit, a kanë mbetur edhe 30 apo 60 ditë, a do të shkojmë në zgjedhje dhe nëse shkojmë kur do të shkojmë, Kosovës po i kanoset edhe një stagnim i ri, të cilin nuk e kanë dashur qytetarët.

Nëse tash kur VV-ja e ka shumicën komode në Kuvend vendi shkon në zgjedhje kush mund të jetë i sigurt se pas zgjedhjeve të reja situata do të jetë ndryshe. Dhe pas atyre zgjedhjeve mund të vijnë dështimet e reja jo vetëm për të zgjedhur presidentin, por edhe për të konstituuar Kuvendin dhe zgjedhur qeverinë.

E gjithë kjo krizë e re politike po ndodh në kohët më dramatike në botë. Dhe po ndodh në një moment kur u besua se Kosovës po i hapet një mundësi për të rikuperuar humbjet që i pati në tre vjetët e fundit për shkak të masave ndëshkuese të BE-së dhe për shkak të mungesës së institucioneve funksionale. Tash masat janë hequr duke ia liruar Kosovës afro 500 milionë euro. Në anën tjetër Kuvendi ratifikoi marrëveshjet përkatëse me BE-në duke hapur rrugë për përdorimin e deri 820 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Krahas këtyre mjeteve janë edhe kredi tjera ndërkombëtare dhe fonde për investime. Mbi 1.5 miliard euro Kosova mund t’i ketë në dispozicion në dy vjetët e ardhshëm. Dhe shfrytëzimi i atyre mjeteve rrezikohet nëse do të vazhdojë kriza politike. Sepse edhe në rrethana normale nuk është lehtë ato të përdoren, pasi duhet të respektohen rregullat strikte të BE-së, ndërkohë që duhet kompensuar kohën e humbur.

Kosova do të ketë edhe pasoja politike. Pothuajse është harruar se Kosova ishte në prag të anëtarësimit në Këshillin e Evropës në pranverë të vitit 2024. Por vitin e kaluar jo që nuk ishte më as në rend dite, por nuk arriti më të marrë pjesë në takimet e disa komisioneve as si mysafire. Në rrethanat e një krize politike, Kosova rrezikon që as këtë vit të mos jetë në rend dite për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Takimet e tilla në të cilat Kosova mund të pranohet si vend anëtar zhvillohen vetëm një herë në vit. Pra nëse Kosova e huq këtë afat, më së shpejti mund të llogarisë në vitin 2027 diku në verë. Dhe madje as nuk e dimë a vlen apo jo oferta për anëtarësim në BE që ishte në tavolinë në maj të vitit 2024. Mospërparimi i Kosovës në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar do të jetë vetëm një prej pasojave të krizës politike, ndërsa pasojat më të mëdha do t’i ndiejnë vetë qytetarët e Kosovës. E për ta pak ka rëndësi se kush ka faj e kush jo, kush i ka respektuar procedurat e kush jo.