Për ata që kanë pasur punë në të kaluarën me Miroslav Lajçakun nuk ka pasur nevojë për zbulimet nga dosja Epstein për të kuptuar se sa i pabesueshëm dhe manipulator ka qenë ai. Por për shumë njerëz që e kanë njohur është shokuese se sa larg paska qenë ai në gjendje të shkojë për përfitime personale dhe karrieriste. Çështjet morale dhe ligjore të tij janë temë me të cilën duhet të merren autoritete në Sllovaki dhe në BE. Për Kosovën është me rëndësi të shihet se sa pasoja ka lënë angazhimi i tij si njeri që ka diktuar qasjen e BE-së ndaj Kosovës. Nuk është dashur të pritej që të dalin dëshmitë për dashurinë e tij ndaj Rusisë, Moskës dhe Lavrovit, për të kuptuar se ai edhe si përfaqësues i BE-së, qëndrimet i ka përshtatur më shumë me Rusinë sesa me shumicën e vendeve të BE-së
Para pesë vjetësh Miroslav Lajçak, deri në atë moment ministër i Jashtëm i Sllovakisë, ishte emëruar si i Dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës deh Serbisë dhe “për çështje tjera në Ballkanin Perëndimor“. Për pak njerëz që e njihnin mirë modusin e veprimit të tij, lidhjet dhe ndikimin që kishte në strukturat e BE-së, ishte e qartë se ai postë ishte krijuar për Lajçakun. Kushdo që u paraqit si kandidat për atë postë nuk pati shanse. Sepse po, edhe në BE postet e tilla kurdisen. Por shumica e madhe të Ministrave në BE besuan se Lajçaku ishte personi i duhur, dhe më i miri, për të përmbyllur një proces që pa sukses ishte zhvilluar deri në atë moment për gati dhjetë vite. Me përvojën e tij nga Mali i Zi, nga Bosnjë-Hercegovina, nga posti i drejtorit menaxhues në shërbimin e jashtëm të BE-së, ai i ministrit të Jashtëm, Lajçak i bindi të gjithë se ajo është një aset i jashtëzakonshëm për BE-në. Kështu ia dhanë mandatin për një detyrë tejet të rëndësishme, të ndjeshme por për BE-në të pakëndshme sepse nuk arrinte të përmbyll me sukses atë dialog.
Lajçaku nisi mandatin me detyrën që “brenda disa muajsh e jo vitesh“ të ndërmjetësonte arritjen e një Marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, mes Kosovës dhe Serbisë me të cilën do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura.
Lajçak nuk ishte dashur kurrë ta merrte atë post. Për disa arsye. Ai vinte nga një shtet i cili nuk e njihte pavarësinë e Kosovës. Shefi i tij Josep Borrell, vinte po ashtu nga një shtet që kundërshtonte pavarësinë e Kosovës. Zëvendësja e Lajçakut ishte po ashtu nga vendi që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës sikur se ishte edhe zëdhënësi i BE së që kishte mandat për komunikimin publik për këtë temë.
Qysh atëherë kishte diplomatë të cilët privatisht e konsideronin si jo të përshtatshëm një fakt se në emër të BE-së me Kosovën po merren kryesisht ata që kanë kundërshtuar pavarësinë e saj. Dhe kjo nuk reflektonte realitetin se shumica e madhe, 22 nga 27, e vendeve anëtare e kishin njohur Kosovën. Ndërsa politika e BE-së ndaj Kosovës po u përshtatej atyre që nuk e kanë njohur, por edhe Serbisë dhe Rusisë.
Dhe në punën e tij pesëvjeçare Lajçaku dëshmoi se nuk është i paanshëm. Në raportimet e tij para vendeve anëtare kryesisht fajësonte Kosovën për mungesë të progresit, shefin e tij Borrell, e përgatiste të thotë të njëjtën gjë dhe Serbia publikisht i falënderonte ata se tashmë nuk po fajësojnë të dyja palët, por “faktorin e vërtetë e ai është Prishtina“.
Si karrierist i paskrupullt, student i Moskës nga koha e komunizmit, Lajçak ishte shumë i shkathët t’i bindë bashkëbiseduesit se ai mendon pikërisht ashtu siç ata kanë dëshirë të dëgjojnë. Diplomatëve nga vendet që e kanë njohur Kosovën u thoshte se “nuk kam problem me pavarësinë e Kosovës“, ndërsa atyre nga Serbia, Rusia dhe vendet që nuk e kanë njohur u thoshte se “njohja e pavarësisë nuk është qëllimi i dialogut“ se “Pavarësia ka qenë gabim dhe tash duhet të gjejmë dalje nga ky problem“.
Lajçak mendonte se është mbi Ahtisaarin, se mund të arrijë atë që nuk ka arritur as Ahtisaari. Thoshte se Ahtisaari ka gabuar, mes tjerash edhe pse në punën e tij ka pasur “afate artificiale“ dhe se ai tash duhet “të përmirësojë gabimet“ .
Rezultatet e “Eksperimentit Lajçak“ janë negative për procesin. Jo që nuk arriti marrëveshje “brenda muajve e jo viteve“ por për 5 vjet i shpenzoi BE-së dhjetëra miliona për të krijuar përshtypjen sikur është arritur një Marrëveshje. Në terren raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më pak normale sesa që ishin para se Lajçak të merrte detyrën për normalizimin e tyre. Në Kosovë pati edhe tentim për nisjen e luftës në Banjskë. Për tërë këtë situatë vetëm Kosova pati masa ndëshkuese. Iu mohuan rreth 500 milionë euro Kosovës, ndërsa Serbia vazhdonte të merrte asistencë të madhe financiare nga BE-ja.
Për shumë njerëz që kanë pasur punë në të kaluarën me Miroslav Lajçakun nuk ka pasur nevojë për zbulimet nga dosja Epstein për të kuptuar se sa i pabesueshëm dhe manipulator ka qenë ai. Por për shumë njerëz që e kanë njohur është shokuese se sa larg paska qenë ai në gjendje të shkoj për përfitime personale dhe karrieriste, duke zhvilluar raporte shumë intime dhe miqësore me një pedofil të dënuar dhe duke u ofruar për kontakte në nivelin më të lartë në hierarkinë ruse.
Çështjet morale dhe ligjore të tij janë temë me të cilën duhet të merren autoritete në Sllovaki dhe në BE. Për Kosovën është me rëndësi të shihet se sa pasoja ka lënë angazhimi i tij si njeri që ka diktuar qasjen e BE-së ndaj Kosovës. Nuk është dashur të pritej që të dalin dëshmitë për dashurinë e tij ndaj Rusisë, Moskës dhe Lavrovit për të kuptuar se ai edhe si përfaqësues i BE-së qëndrimet i ka përshtatur më shumë me Rusinë sesa me shumicën e vendeve të BE-së.
Lajçaku më së shumti i kishte irrituar kolegët në disa vende në BE kur nën udhëheqjen e tij Sllovakia kishte dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë argumentet duke pohuar se shpallja e pavarësisë ishte shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Disa diplomatë thonë se ai madje kishte premtuar se nuk do ta bëj një gjë të tillë dhe e kishte bërë. Pastaj edhe pse në atë argumentim Sllovakia shprehej se, kur të del mendimi i GJND-së do ta marrë parasysh atë në qëndrimet e saja rreth statutit të Kosovës, nuk e bëri këtë. Lajçak, dhe atëherë zëdhënësi i tij në Ministrinë e Jashtme Peter Stano, pas GJND-së dolën me deklarata se “Sllovakia nuk do ta ndryshojë qëndrimin rreth Kosovës“ dhe madje edhe se kjo çështje “duhet të kthehet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së“. Nuk ka nevojë për dëshmi më të mira për përshtatjen e qëndrimeve të Lajçakut me Rusinë sesa jo. E Lajçaku u arsyetohej kolegëve se “ky ka qenë qëndrim i qeverisë e jo i tij“.
Kur Lajçak mori postin e lehtësuesit të dialogut në BE me të madhe thuhej se “njohja e ndërsjellë“ duhet të jetë epilogu i dialogut. Madje edhe Parlamenti Evropian me një Rezolutë për Serbinë e shprehi këtë si qëllim. Lajçak bëri çmos që BE zyrtarisht, përmes zëdhënësit, të shprehet se njohja nuk është qëllimi i dialogut. Dhe kështu mbeti deri në fund.
Kur u tha se u arrit “marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve“ Serbia refuzoi së pari ta nënshkruajë e pastaj edhe ta zbatojë. E Lajçak arriti të sigurojë që Serbia të mos ketë pasoja nga kjo. Dhe asnjëherë Lajçaku nuk e tha atë që u desh ta thoshte, se ”Serbia po refuzon nënshkrimin e marrëveshjes“. Por doli duke thënë se “nuk ka nevojë të nënshkruhet sepse mjafton të zbatohet“. Madje Lajçak me dinakërinë e tij i bindi shumë vende të BE-së se fajin kryesor për dështime në implementim e ka Kosova. “Serbia refuzon vetëm nënshkrimin ndërsa Kosova refuzon gjithçka tjetër“, thoshte ai. Ose “Serbia nuk dëshiron ta nënshkruajë marrëveshjen, por është e gatshme ta zbatoj“ ndërsa “Kosova pohon se do ta nënshkruajë, por nuk dëshiron ta zbatojë“. Kështu u krijua përshtypja se Kosova mban përgjegjësinë për mungesë të përparimit.
Edhe kur Serbia përmes një letre të Kryeministres së atëhershme njoftoi BE-në se nuk e konsideron marrëveshjen si ligjërisht obliguese dhe nuk do të zbatojë pjesët që për Kosovën janë kryesore, Lajçaku gënjeu duke thënë se “Serbia e ka tërhequr atë letër“. Ai këtë të pavërtetë e tha edhe publikisht në Prishtinë duke shokuar edhe disa bashkëpunëtorë të tij.
Qeveria e Kosovës gjatë procesit të dialogut e ka akuzuar lehtësuesin e BE-së së nuk është i pa anshëm në punën e tij. Këto akuza nga ana e Kosovës kishin hasur në kritika të mëdha nga BE-ja që i doli fuqishëm në mbrojtje Lajçakut. Gjatë mandatit të tij Lajçak shumë shpesh në raportime te vendet anëtare e ka kritikuar më shumë Kosovës sesa Serbinë për mungesë të progresit në procesin e normalizimit të raporteve.
Është i gjatë vargu i manipulimeve që ka bërë Lajçak si lehtësues në dialog. Por është e habitshme se sa gjatë i kanë besuar atij në BE. Lajçak nuk ka qenë vetëm një “zbatues i qëndrimeve të BE-së“, por krijues i tyre. Ai është pyetur për gjithçka, atij i është besuar, ai ka shkuar edhe në takime në nivelin më të lartë të BE-së me Kosovën në të cilat nuk ka qenë në protokoll. Lajçak ka qenë autoriteti numër 1 i BE-së për Ballkanin.
Tash kur ai ka rënë, kur dalin korrespondencat shokuese me Epstein, shumë diplomatë rikujtojnë se “kanë pasur dyshime ndaj tij edhe më parë“. Për shembull për lidhjet e tij me Ruinë, një diplomatë i një vendi të BE-së këto ditë thoshte “Kemi pasur dyshime për lidhjet e tij me Rusinë por mbështetja e Gjermanisë për Lajçakun ka qenë aq e madhe saqë nuk kemi pasur mundësi ta parandalojmë që ai të marrë detyrën për Kosovën dhe Serbinë“.
Lidhjet e tija me Rusinë, sipas disa mediave Sllovake, kanë qenë kombinim i nostalgjisë komuniste dhe kohës së studimeve në Institutin e Moskës për marrëdhënie ndërkombëtare (Universitet elitar për rininë e merituar komuniste sovjetike dhe të Evropës lindore) dhe sigurimin e mbështetjes së Rusisë për ndonjë post të lartë ndërkombëtarë. Madje një medium në Sllovaki ka shkruar se Lajçak gati u bë sekretar i përgjithshëm i OKB-së, mori edhe votat e Rusisë dhe Kinës, por ishte bllokuar nga Britania e Madhe.
Eksperimenti Lajçak në rastin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është dështim. Por BE nuk ka mundësi të del nga ky proces dhe duhet ta vazhdojë. Do të ishte mirë sikur të rishikohet puna e Lajçakut, sidomos raportet e tij ndaj vendeve anëtare. Dhe të nxirren mësime, në mënyrë që BE-së të mos i ndodhë më që për çështje aq të ndjeshme të dërgojë persona të tillë. Për momentin, sipas zëdhënëses së BE-së, zbulimet rreth Lajçakut nuk e kanë komprometuar dialogun.
„Kur është fjala për dialogun ai mbetet i pandikuar si i tillë nga këto zhvillime. Dialogu është një proces i qëndrueshëm që nga viti 2011, i cili është në pronësi të palëve dhe i udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë, dhe po ashtu dialogu është në vazhdimësi nën mbikëqyrje të vendeve anëtare“, ka thënë kjo zëdhënëse.
Pas zbulimit të qindra mesazheve, Lajçak vazhdon të pohojë se “ndërgjegjja e tij është e pastër“.
Përveç shkëmbimit të mesazheve rreth femrave mes Lajçakut dhe Epstein, për të cilat Lajçak së pari ka thënë se “nuk ka pasur kurrë shkëmbime ku përmenden femrat“ e më pas është penduar duke e quajtur përfshirjen e tij si “naivitet i shtyrë nga egoizmi mashkullor“, ish-Lehtësuesi i dialogut në disa mesazhe ofrohet edhe për të rregulluar takime me zyrtarë të lartë të Rusisë përfshirë edhe ministrin e Jashtëm Lavrov. “Unë e dua Lavrovin“, është shprehur Lajçak.
Në qarqet diplomatike dhe në BE tashmë po shprehet dyshimi nëse kjo sjellje e Lajçakut e ka komprometuar punën në të cilën është përfshirë, duke pasur parasysh se një prej shqetësimeve kryesore të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor ka qenë parandalimi i ndikimit të Rusisë. Edhe ky eksperiment do të duhej të analizohej në strukturat e BE-së kur të kërkojnë arsye pse kredibiliteti i saj është në rënie.