Humbja e thellë e Orbanit në zgjedhje do të mund të shënojë fillimin e rënies së të djathtës ekstreme dhe partive populliste në Evropë. Për liderët autokratë, përfshirë edhe ata në Ballkan, rënia e Orbanit do të duhej të shërbente si mësim se as pushteti i tyre nuk do të jetë i përjetshëm.
Zakonisht zgjedhjet në një vend të BE-së të madhësisë mesatare nuk do të duhej të zgjonin ndonjë interes të madh. Zgjedhjet e tilla janë çështje e brendshme e secilit vend, ndërsa të tjerët ia zgjasin dorën dhe punojnë me qeveritë të cilat dalin nga vota e popullit. Kështu janë rregullat e demokracisë. Por, kësaj radhe zgjedhjet në Hungari patën një rëndësi historike jo vetëm për atë vend, por për tërë Evropën dhe më gjerë. Nën udhëheqjen 16-vjeçare të Viktor Orbanit, Hungaria ishte imponuar si një vend jashtëzakonisht me ndikim në BE. Jo për të mirë. Por, për shkak se Budapesti mori epitetin e “kalit të Trojës së Rusisë“ brenda Bashkimit Evropian ndërsa Viktor Orban u pa si lider i së djathtës ekstreme në Evropë, si lider i cili udhëheq luftën kundër liberalëve dhe që mbron “vlerat familjare“. Me qasjen e tillë ai fitoi mbështetje të gjerë në mesin e popullistëve në Evropë dhe jashtë saj. Pati mbështetje edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, ndërsa fitoren e tij e dëshironte edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Por, edhe Putini edhe Trumpi sot nuk janë të pëlqyer nga shumica e madhe e qytetarëve në Evropë dhe mbështetja e tyre vetëm sa i dëmton ata që e marrin një mbështetje nga ta dhe nuk u ndihmon fare. Njerëzit në Hungari dëshmuan se për ta më pak ka rëndësi ideologjia, thirrja në vlerat e rrejshme dhe parullat demagogjike sesa standardi i jetës dhe vlerat e vërteta demokratike. Këto vlera janë rrezikuar në Hungari dhe po të ishte ajo sot kandidat për anëtarësim në BE, nuk do të bëhej fare anëtare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoViktor Orban, në kohën kur frikësonte qytetarët me luftë, kur paraqitej si “mbrojtës i interesave kombëtarë nga rreziku i burokratëve të Brukselit“, e lëvizte vendin e tij drejt fundit në listën e vendeve më të varfra të Evropës. Në vitet e fundit të sundimit të Orbanit, Hungarinë e kanë kaluar për nga bruto-prodhimi vendor për kokë banori, sipas fuqisë blerëse, vendet si Kroacia, Rumania dhe Lituania, që deri vonë ishin prapa. Për shkak të konfliktit me Brukselin dhe shkeljes së parimit të sundimit të ligjit, Hungarisë BE-ja ia kishte ndaluar dhjetëra miliarda euro nga fondet e BE-së. Madje ishte nisur edhe procedura për heqjen e së drejtës së votës për Hungarinë për këtë shkak.
Humbja e thellë e Orbanit në zgjedhje do të mund të shënojë fillimin e rënies së të djathtës ekstreme dhe partive populliste në Evropë. Për liderët autokratë, përfshirë edhe ata në Ballkan, rënia e Orbanit do të duhej të shërbente si mësim se as pushteti i tyre nuk do të jetë i përjetshëm. Është po ashtu edhe shembull se nganjëherë vërtet vlen thënia se “pushteti i prish njerëzit“. Orban në fillim ishte një lider vërtet demokratik. Në fillim të mandatit të tij, Hungaria pati rritje të konsiderueshme ekonomike, ndërsa në Bruksel shihej si shembull i mirë i përparimit të një vendi të ri anëtar. Por gradualisht përqafoi një politikë populliste, anti-imigracionit dhe nacionaliste. Nisi t’ua kthente shpinën partnerëve në Evropë dhe të lidhej me diktatorët nëpër botë. Në Hungari mori kontrollin ndaj mediave, krijoi një rreth të ngushtë të ndërmarrësve të privilegjuar dhe mori kontrollin edhe ndaj gjyqësorit.
Partia e tij Fidesz u largua nga Grupi i Partive Popullore Evropiane (EPP), që është grupi më i madh politik, i cili dominon në institucionet e Bashkimit Evropian. Orban u bë lider i ekstremit të djathtë dhe madje formoi dhe grupin e posaçëm në Parlamentin Evropian me emrin “Patriotët për Evropën“. Suksesi i tij në Hungari u pa si udhërrëfyes për popullistë nëpër vendet e tjera. Dhe tash, me të drejtë, shumë njerëz presin që humbja kaq e thellë e tij të shënojë një kthim të trajektores dhe nisje të rënies së mbështetjes për të djathtën ekstreme në Evropë. Ndoshta ekstremi i djathtë tash do të lusë presidentin amerikan, Donald Trump, që të mos u ndihmojë, sepse ndihma e tij sot në Evropë sjell më shumë dëm sesa dobi.
Humbja e Orbanit është gjithsesi një lajm i mirë për BE-në, e cila do ta ketë një lider problematik më pak. Por pas Orbanit kanë mbetur akoma liderë në BE që mund të “prishin punë“, duke punuar për interesa të Rusisë, siç është kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico.
BE-ja ka arsye kësaj radhe t’i gëzohet humbjes së një lideri politik i cili për aq shumë vjet u imponua si njëra prej figurave kryesore politike në Evropë. Dhe në Bruksel nuk e fshehin gëzimin për këtë. Por duhet ulur pak entuziazmin se me humbjen e Orbanit do të fundoset e djathta ekstreme në Evropë. Sepse kjo është një lëvizje e cila ka mbështetjen edhe nga jashtë Evropa, nga Rusia e deri në Amerikë. Të përbashkët këto lëvizje e kanë dobësimin e BE-së dhe nuk do t’i ndalin përpjekjet në këtë drejtim.