Prindërit në Zvicër nuk guxojnë t’i shtyjnë fëmijët të bojkotojnë mësimin e notit në shkollë për arsye fetare. Një vendim i qëlluar kundër fanatikëve fetarë
Kisha palmariano-katolike është një sekt i ekstremit të djathtë. Nuk e pranon Papën. Emëron një papë të vetin. Është akuzuar se e ka shpallur të shenjtë Adolf Hitlerin, për shkak se ai ka qenë antikomunist (ndërkohë kisha palmariano-katolike e mohon se e ka glorifikuar Hitlerin).
Një familje zvicerane, anëtare e këtij sekti, prej vitesh lufton nëpër instanca gjyqësore kundër autoriteteve shkollore. Familja thotë se djali i tyre, i lindur më 2016, nuk duhet të marrë pjesë në mësimin e notit në shkollë, sepse të shohësh trupa lakuriqë është “mëkat i madh”. Sipas mediave zvicerane, anëtarëve të këtij sekti u është e ndaluar të shikojnë televizionin, të shkojnë në kinema dhe të lexojnë gazeta jo-palmariano-katolike. Gratë duhet të bartin fustane të gjata dhe shami, burrat këmisha e kravata.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoJavën që shkoi, Gjykata Federale (instanca më e lartë juridike e Zvicrës) mori vendim: gjykatësit thanë se nuk mund të ketë përjashtim nga vijimi i lëndëve të caktuara për arsye fetare. Rrjedhimisht, djali i familjes radikale katolike nga Zvicra qendrore duhet të ndjekë mësimin e notit. Familja kishte argumentuar se në një rast të tillë, djali i tyre do të përjashtohej nga kisha.
Në të kaluarën, beteja juridike me shkollat zvicerane kanë zhvilluar familjet myslimane me banim në Zvicër. Një prind boshnjak (dhe mysliman radikal) u dënua me 4 muaj burg me kusht, për shkak se me kryeneçësi refuzoi që vajza e tij të mësonte not në shkollë.
Edhe familje të tjera nuk kanë përtuar të luftojnë me mjete juridike për të imponuar tabiatet e tyre të prapambetura. Gjykata Federale e Zvicrës nuk lëshoi pe: askush nuk mund të lirohet nga mësimi i notit apo ndonjë lëndë tjetër për arsye fetare. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e mbrojti këtë praktikë në vitin 2017: ndërhyrja në lirinë e fesë u cilësua si e justifikuar. Në këto vendime bëhet fjalë gjithashtu për integrimin e fëmijëve në shoqëri dhe barazinë.
Një dramë e madhe juridike u zhvillua pasi dy djem sirianë refuzuan t’ia jepnin dorën për përshëndetje mësueses së tyre në një shkollë në Zvicrën veriore.
Ndonëse nuk është fenomen shumë i përhapur, fatkeqësisht, edhe te disa familje shqiptare ka gra që nuk pranojnë t’i përshëndesin burrat me shtrëngim dore. Ky fenomen primitiv është i pranishëm si në mërgatë, ashtu edhe në viset shqiptare në Ballkan (Kosovë, Maqedoni e Veriut e Luginë e Preshevës).
Në hapësirat publike në Kosovë, viteve të fundit bien në sy edhe gra të maskuara me burka, ku vetëm një prerje e hollë (shlic) u mundëson atyre që të shohin botën dhe të mos zënë në thua e të thyejnë hundët kur ecin në rrugë. Çuditërisht, autoritetet e Kosovës vazhdojnë të durojnë në hapësira publike gra të maskuara me burka, të cilave nuk u shihet fytyra, nuk dihet kush janë, nga vijnë, a veprojnë nga bindjet e tyre kuazifetare apo janë të shtyra nga burrat fanatikë apo nga ndonjë organizatë e huaj apo shërbim sekret armiqësor?
Në Zvicër burka është ndaluar dhe ligji ka hyrë në fuqi vitin që shkoi. Personi i parë që u gjobit për shkelje të ligjit ishte një grua kosovare. Ajo u gjobit vitin që shkoi në Bern, për shkak se kishte bartur burkën në një qendër tregtare. Ka po ashtu xhami në diasporë që prezantohen si “shqiptare” dhe ku vajzat e moshës jomadhore bartin shami, pasi këto janë pritjet që kanë ndaj tyre prindërit apo prijësit konservatorë fetarë. Në këtë mënyrë vajzat, ende të papjekura, reduktohen në rolin e krijesave që duhet të jenë të dëgjueshme për atë që kërkojnë burrat prej tyre.
Vendimi i fundit i Gjykatës Federale të Zvicrës në lidhje me familjen radikale katolike tregon se shteti është konsekuent në mbrojtjen e rregullave dhe ligjit, pa marrë parasysh se për çfarë feje bëhet fjalë.
Dhjetorin e kaluar, Parlamenti austriak miratoi ndalimin e bartjes së shamisë në shkolla për personat nën moshën 14-vjeçare. Projektligji u miratua me votat e partive qeveritare ÖVP (konservatorë), SPÖ (socialdemokratë) dhe Neos (liberalë), si dhe të partisë populiste të djathtë FPÖ. Ministrja e Integrimit, Claudia Plakolm (ÖVP), argumentoi se shamia nuk është një copë pëlhure e padëmshme, por simbol i shtypjes së gruas. Ligji pritet të hyjë në fuqi gjatë verës së ardhshme, me fillimin e vitit shkollor 2026/27. Prindërit, fëmijët e të cilëve paraqiten në mësim me shami pavarësisht ndalimit, rrezikojnë një gjobë deri në 800 euro.
Në këtë drejtim, shteti i Kosovës deri më tani ka qëndruar: më 2014 është ndaluar bartja e shamisë në shkolla me udhëzim administrativ të Ministrisë së Arsimit. Më 2025, Gjykata Supreme e Kosovës e konfirmoi si legjitim këtë vendim. Vitin e kaluar në Zvicër u zhvillua një debat i gjerë nëse një arsimtare mund të japë mësim e mbuluar me shami. Një shkollë në Zvicrën lindore e punësoi një mësuese të tillë, por pas protestave të prindërve ajo nuk u lejua të jepte mësim.