Dikush merret me “kultivimin” e raketave e politikanët tanë merren me kultivimin e shkencës së “marrëveshjes”, “kompromisit”, “konsensusit”, inatit, pingpongut, papërgjegjësisë, talljes dhe përçmimit të një shteti, me arsyetimin se “s’munden” ta zgjedhin kryetarin/en. Po të mund t’i çonim në hânë – në atë anën e errët, natyrisht
Një prej ligjeve ma pa lidhje që i ka Kosova është ai i festave zyrtare. E para, ngase si shtet laik i feston gjashtë festa fetare, e më pas për shkak se nëse festa bie në fundjavë, atëherë festa do të festohet ditën e radhës së punës.
Kështu, javën e nisëm me një ditë pushimi për shkak të Pashkëve katolike, që përherë bien të dielën. Më pas të enjten u shënua, se nuk u kremtua, dita e dokumentit të bërë shoshë në këta 18 vjet – Kushtetutës, të cilën gjithkush e interpreton si ia ka ënda dhe e cila rregullisht pëson ndryshime sa herë që Kushtetuesja vendos ta shkruajë një normë të re.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor dje, që nuk qe ditë feste, u vërejt qarkullim më i vogël veturash në Prishtinë. Pa dyshim, për shkak se shkollat janë në pushim pranveror, por edhe për shkak se shumëkush vendosi që edhe të premten ta bëjë ditë pushimi, posaçërisht duke pasur parasysh se të dielën janë Pashkët ortodokse, dhe për pasojë, pushohet të hënën. Pra, pesë ditë pushimi në kohën kur më së shumti na duhet punë produktive. Edhe pse, moti kemi harruar se çka është produktiviteti.
Nejse, në maj i kemi edhe tri ditë pushimi – një nga to, krejtësisht e kotë, Dita e Evropës, që do të bjerë të shtunën e do të kremtohet të hënën. Kjo, sa për ta vërtetuar edhe më, nëse ka hapësirë, absurditetin e këtij ligji.
* * *
Po të ishte vetëm ky ligj absurdi i vetëm në Kosovë lehtë do të mbijetonim.
As pas tri palë zgjedhjeve nuk jemi në gjendje t’i stabilizojmë institucionet shtetërore. Rrëfimi i paralajmëruar që nga tetori i vjetëm se dështimi për ta zgjedhur kryetarin e shtetit mund të na i sjellë zgjedhjet e reja në maj, është nisur rrugës për t’u bërë realitet.
Mbas vendimit të Kushtetueses, ku u caktua njëfarë afati brenda të cilit duhet të zgjidhet kryetari/rja i/e ri/re duket si të jetë diku nga fundi i vitit e jo më pak se tri javë larg. U mbajtën disa takime konsultative mes liderësh, nga i cili cikël ka mbetur jashtë Ramush Haradinaj (dhe nuk po e kuptoj pse, meqë është kryetar i një partie parlamentare).
Ajo që po kuptohet deri tash është si vijon: PDK-ja e kërkon postin, dhe paraprakisht kërkon marrëveshje me shkrim me Kurtin që më pas të dalë me emrin e kandidatit. Përfundimisht, kjo është një “zgjidhje kompromisi” shumë sui generis. Pra, po kërkohet zotimi me shkrim i Kurtit se do ta pranojë cilindo kandidat që t’ia marrë mendja PDK-së ta propozojë. Kjo mund të quhet si të duash, veç konsensus jo.
Më pas vjen LDK-ja, e cila refuzon kategorikisht që VV-ja të bëhet edhe me postin e tretë shtetëror, duke insistuar se kështu do të thyhej monopoli. Porse, do të duhej kujtuar LDK-së, se më 2021, ishte VV-ja ajo e cila u bë me të tria postet shtetërore – sepse pavarësisht se Vjosa Osmani nuk ishte anëtare e VV-së, megjithatë luajti rolin e bartëses së listës së VV-së në zgjedhje, në kushtet kur Kurtit iu ndalua kandidimi për shkak të një dënimi gjyqësor.
Gjithashtu duhet kujtuar që ishte pikërisht LDK-ja e cila e siguroi zgjedhjen e Osmanit, me gjithë kundërshtimin e së paku katër deputetëve të saj që nuk deshën të bëheshin pjesë e procesit të hidhëruar me Osmanin e edhe me Abdixhikun.
AAK-ja do ta donte Ramush Haradinajn për kryetar, porse as ky, e besoj, nuk do të ishte kandidat konsensual – por do të ishte puro partiak. Ngase edhe pse e paralajmëroi tërheqjen nga partia, megjithatë u kthye që në çastin kur rasti u kthye nga Kushtetuesja. Po të mbeste jashtë partisë, bile formalisht do të mund të thuhej se Haradinaj është njeri jopartiak (natyrisht, me kusht që do të tërhiqej edhe nga anëtarësia e partisë të cilën vetë e themeloi).
Partitë e komuniteteve joshumicë do të vendosin sipas marrëveshjeve politike që mund t’i kenë me partitë e mëdha, e hë për hë, duket se shumica e komuniteteve joshumicë dhe joserbe, janë aktualisht me partinë në pushtet.
* * *
Pas gabimit të madh profesional e edhe politik, kur e nënshkroi dekretin me të cilin uzurponte kompetencat e legjislativit, Osmanit i skadoi mandati sot një javë.
Në një ceremoni të thjeshtë, në zyrën e kryetarit, ia dorëzoi mandatin Albulena Haxhiut, që do ta ushtrojë detyrën për më së shumti gjashtë muaj.
Dhe disa ditë më vonë e dha një intervistë në të cilën u paraqit si viktimë: “Unë e kam mbrojtur kryeministrin Kurti kur të gjithë donin ta rrëzonin, por ai më rrëzoi mua kur të gjithë më kërkonin si presidente. E kam mbrojtur edhe në momente të rënda si marsi 2020, edhe sfida të shumta gjatë këtyre 5 vjetëve. Kur të gjithë donin ta rrëzonin unë dilja ta mbroja, kur populli më kërkonte, ai e bëri të kundërtën. Bashkëpunimi ynë ka qenë garanci e një mandati tjetër të Qeverisë, ata nuk e duan, ju uroj suksese ta zgjedhin presidentin e ri”.
Deklarata e këtij lloji shpërfaq më shumë ambicien e interesin sesa parimin. Osmani, që sipas Kushtetutës është dashur ta kishte rolin unifikues, me këtë deklaratë vetë e thotë se nuk ka qenë e tillë dhe se në fakt ka mbajtur anë, për pasojë edhe nuk ka mundur të ishte kandidatja e preferuar për të gjithë, siç e thotë.
“Të gjithë me deshën” apo “populli më kërkoi” shpërfaqin tipare megalomanie që kundërargumentohen shumë lehtë me faktin se asnjëra parti parlamentare nuk e deshi për kandidate të veten – se po të ishte e kundërta, do të mblidheshin të gjithë e do të merreshin vesh që Osmani të ishte kandidatja konsensuale, që do të punonte në formë neutrale dhe për të mirën e Kosovës, në rend të parë.
Sa i përket popullit, dëshira e tij për Osmanin kryetare do të mund të vërtetohej eventualisht në një palë zgjedhje: ku do të mund të garonte vetëm pa strukturë partie në terren, e ku e besoj se pa ndonjë problem do ta siguronte një mandat si deputete e pavarur; ku do të garonte si pjesë e ndonjë partie, e do të duhej të kënaqej me një pozitë sekondare pas shefit të partisë; apo edhe të garonte me ndonjë grupacion politik të vetin në koalicion me ndonjë parti politike, që do të mund t’ia jepte një fuqi pak më të madhe brenda atij grupi parlamentar e ndonjëherë edhe brenda Kuvendit.
Megjithatë, nuk e besoj se do të mund t’i mblidhte votat që i pati fituar kur kishte garuar me VV-në 2021-tën.
Mbase edhe do të ketë pasur ndonjë porosi nga dikush që flet në emër të popullit, porse po ky popull ka ditur diçka kur e ka thënë atë të famshmen: “Kur thonë se ka shumë dredhëza, merre shportën e vogël”.
* * *
Edhe 18 ditë do të merremi me temën e kryetarit. E bën vaki edhe shkojmë në zgjedhje. Edhe pse më së paku na nevojiten ato tash, në këtë situatë.
Dje doli shënimi zyrtar se në mars inflacioni ka qenë 6.7 për qind. Dhe esenca e kësaj matjeje është se i merr vetëm ditët e mesme të muajit. Pra, ky shënim nuk e përfshiu shtrenjtimin e naftës dhe efektin domino që ai e ka shkaktuar këto dy javë.
Ka muaj e muaj që gurmazi na është shqyer duke folur për inflacionin dhe krizën ekonomike në të cilën jemi, e përgjigjja që po e marrim është “kurrë më mirë nuk i kemi pasur punët”.
Kjo mbase vlen për politikanët dhe administratën e shtrenjtë të Kosovës – por kur të shkelin në tokë e të dalin të shohin se çka po ndodh në treg në të vërtetë, do ta shohin të vërtetën nga e cila janë izoluar.
Ndërkohë, Kuvendi duke i shmangur procedurat i kalon nja dhjetë ligje (në parim). Ngjashëm me siç kishte ndodhur me ligjet e Pakos së Ahtisaarit – kur nja 40 u kaluan për nja një javë a dhjetë ditë – kush s’i shikoi, s’i kontestoi – thjesht u kaluan e hajt. Ndër ta është edhe ai i famshmi Ligj për festat zyrtare nga fillimi i tekstit.
Sipas pushtetit, janë ligje jetike që sigurojnë mirëqenien e qytetarit – sipas opozitës janë përgatitje për zgjedhje të reja, sikurse është edhe deklarata e djeshme e ZRRE-së se nuk do të propozojnë rritje të energjisë më 2026, por do ta bëjnë njëfarë fizkulture të na “shpëtojnë” sivjet, e më pas të na ngufasin vitin që vjen... kur të kryhen zgjedhjet... edhe pse te ne nuk dihet: Kosova rich country mund të organizojë zgjedhje çdo gjashtë muaj dhe ta vazhdojë krizën politike e ekonomike derisa nuk thahemi krejt.
* * *
Është kornizë e zezë, kurse ekrani më shumë i ngjet rrumbullakut sesa katërkëndëshit me skaje të lëmuara. Fotografinë, që ia përçojnë mbi një duzinë llambash turli madhësish, e ka bardhezi. Prindërit na thërrasin ta shohim një moment historik: një njeri po shkel në hânë.
Në atë moshë nuk e kuptoj peshën e momentit. Nuk e di as përse ka shkuar në hânë, e as çfarë domethënie ka fakti se ka shkelur në një planet tjetër.
Jam gjashtë vjeç dhe nuk e di se çfarë është shkenca.
Pesëdhjetë e shtatë vjet më vonë, një tjetër projekt shkencor mbërrin sërish në hânë, dhe i shkon prapa duke dalë nga ana e errët. Vijnë fotografitë prej atje – mbresëlënëse, ani pse konsipracionistët mbesin pa i parë yjet... nejse, herën tjetër.
Dikush merret me “kultivimin” e raketave e politikanët tanë merren me kultivimin e shkencës së “marrëveshjes”, “kompromisit”, “konsensusit”, inatit, pingpongut, papërgjegjësisë, talljes dhe përçmimit të një shteti, me arsyetimin se “s’munden” ta zgjedhin kryetarin/en.
Po të mund t’i çonim në hânë – në atë anën e errët, natyrisht.