Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Kosova si Izraeli

Sot kemi një shumicë e cila pretendon se opozita nuk pranon vullnetin e qytetarëve dhe ka sjellje anti-institucionale, dhe një opozitë e cila pretendon se Kurti është autokrat i cili synon kapjen e plotë të shtetit. Kjo situatë ku e gjejmë veten sot mund të jetë diçka e re për ne, por shtetet e tjera kanë përjetuar kësi lloj situatash para nesh. Së fundmi ekzakt në një situatë të këtillë e kanë gjetur veten qytetarët e Izraelit

Fiks një muaj nga sot do të jetë e diela e parë e muajit qershor dhe njëkohësisht dita e zgjedhjeve të parakohshme. Këto do të jenë zgjedhjet e treta në pak a shumë një vit. Vendi po mbahet në suspancë nga një shumicë e cila pretendon se opozita nuk pranon vullnetin e qytetarëve dhe ka sjellje anti-institucionale, ndërsa opozita pretendon se Kurti është autokrat i cili synon kapjen e plotë të shtetit. Kjo situatë ku e gjejmë veten sot mund të jetë diçka e re për ne, por shtetet e tjera kanë përjetuar kësi lloj situatash para nesh. Së fundi ekzakt në një situatë të këtillë e kanë gjetur veten qytetarët e Izraelit. 

Në Izrael brenda tre vjetësh u organizuan pesë palë zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e gjashta do të mbahen këtë vit. Arsyeja e këtij zinxhiri të pafund të zgjedhjeve ishte pak a shumë sikur në Kosovë. I gjithë spektri politik ishte ndarë në dysh: për dhe kundër Benjamin Netanyahut. Netanyahu në vazhdimësi fitonte zgjedhjet, por refuzimi nga opozita nënkuptonte në vazhdimësi zgjedhje të reja. Secila palë u barrikadua në pozicionet e veta duke fajësuar palën tjetër për situatën e krijuar. Thënë ndryshe – sikur në Kosovë – dy palë kishin shpjegime krejtësisht të ndryshme për situatën e krijuar. Thënë ndryshe – ishte betejë narracionesh. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Narracioni i Netanyahut ishte se ai është mbrojtës i vullnetit të qytetarëve. Netanyahu ishte fitues i çdo palë zgjedhjesh. Sipas tij, shumica e qytetarëve izraelitë kishin folur qartë – ata e dëshironin Netanyahun për lider të tyre. Refuzimin e opozitës për ta pranuar këtë fakt, zgjedhje pas zgjedhjesh, Netanyahu e portretizonte si refuzim për të pranuar vullnetin e qytetarëve. Ai portretizonte opozitën në luftë me qytetarët, ndërsa veten si mbrojtës të vullnetit të qytetarëve. Në fjalët e vetë Netanyahut “Tirania e pakicës asnjëherë nuk do të triumfojë mbi vullnetin e shumicës”. Njëkohësisht, ai në vazhdimësi ushqente teori konspirative sipas të cilave elitat e caktuara në sistem të drejtësisë, media dhe biznese janë duke organizuar grusht shteti kundër vullnetit të popullit. Po ashtu, ai akuzonte opozitën për sjellje anti-shtetërore dhe anti-institucionale. Opozita “po mundohet të vjedhë zgjedhjet nga qytetarët izraelitë të cilët i kanë dhënë partisë sime fitore absolute”, thoshte Netanyahu.
Nga ana tjetër, narracioni i opozitës ishte se ata janë mbrojtës të demokracisë dhe shtetit Izraelit të cilët janë në betejë me një autokrat të rrezikshëm. Për opozitën nuk ka asgjë më të rëndësishme se ruajtja e karakterit demokratik të shtetit izraelit nga përpjekjet e Netanyahut për kapjen e shtetit. Bllokimi i jetës politike dhe institucionale të Izraelit është çmim që duhet paguar për ta ndalur një autokrat. Thënë ndryshe Netanyahu ishte vija e kuqe që nuk mund të kalohet. Për ata ekzistonte vetëm një opsion: Netanyahu duhet të ndalet dhe demokracia izraelite duhet të shpëtohet. Lideri i opozitës Yair Lapid e akuzonte Netanyahun për asgjë më pak se “shkatërrimin e unitetit të popullit” dhe “demokracisë, ekonomisë dhe sigurisë izraelite”. Ndërsa Ehud Barak ka paralajmëruar se Netanyahu po e kthen Izraelin në “vend diktatorial”. 

E gjithë kjo tingëllon tejet e njohur për ne sot. Kurti, sikur Neytanahu, e sheh veten si mbrojtës i vullnetit të qytetarëve ndaj një opozite anti-institucionale e cila refuzon ta pranojë rezultatin zgjedhor. Nga ana tjetër opozita jonë, sikur ajo në Izrael, e sheh veten si gardiane të demokracisë ndaj një autokrati i cili synon ta shndërrojë shtetin në oborrin e tij privat. 

Ajo çfarë mësojmë nga përvoja izraelite është se asgjë e mirë nuk mund të dalë nga kësi lloj mjedisi toksik. Ndonëse partitë politike në Izrael çdo herë kanë premtuar se zgjedhjet e ardhshme janë referendum final i cili më në fund do t’i japë zgjidhje situatës së krijuar, fatkeqësisht çdo palë zgjedhjesh kanë prodhuar po të njëjtën status-quo. 

Askush nuk e di çfarë do të ndodhë më 7 qershor, por nga shembulli izraelit ne mësojmë se polarizimet toksike ndërmjet pozitës dhe opozitës mund ta mbyllin Kosovën në një rreth vicioz nga i cili do ta ketë tejet të vështirë të dalë. Në mjedise të këtilla toksike ku shumica e sheh veten si mbrojtëse e “vullnetit të qytetarëve”, ndërsa opozita e sheh veten si “shpëtimtare e demokracisë” zgjedhjet e humbin kuptimin. Në këso rrethana ekstreme zgjedhjet më nuk janë mjet demokratik për gjetjen e zgjidhjeve politike, ato shndërrohen në fushëbetejë për mbrojtjen e kauzave sublime. Fushëbetejë në të cilën viktimat e vetme janë qytetarët.