Spanja dhe Argjentina luajnë sonte në finalen e Kupës së Botës në futboll. Më pyesin me kë jam. Me asnjërën. Për mua ka vetëm një kampion: Kosova, me djemtë që djersitin fanellën e saj – heronjtë e mi
Kur Adi kishte arritur moshën e shkollës, nëna e tij do të merrte vendimin e madh.
Ishin boshnjakë etnikë, me origjinë nga zonat e Malit të Zi. Jetonin në Prishtinë dhe në shtëpi flisnin atë që atëbotë quhej gjuha serbokroate e që tash zyrtarisht quhet gjuha boshnjake. Mirëpo, nëna e Adit do ta regjistronte të birin në shkollë në një klasë në gjuhën shqipe. Nuk donte që ai një ditë të bëhej serb a të martohej me ndonjë serbe. Ishte viti 1980.
Në shkollë u bë shok imi i ngushtë. E donin edhe vajzat shqiptare edhe ato serbe. Është ende i pashëm dhe gra të etnive të ndryshme nuk do ta diskriminonin. Në moshën 17-vjeçare, duke ikur nga thirrja për ushtri, shkoi në Gjenevë dhe aty, ndërkohë, u martua me një marokene.
Çka je ti? Çfarë e ndien veten se je? – e pyeta vjet në makinën e tij tek po shkonim nga Gjeneva në Basel.
Kishte të veshur fanellën „Dardanët“ dhe rreth qafës mbante shallin „Kosova“. Po shkonim ta shihnim ndeshjen Zvicra – Kosova.
Edhe
Mësuesi përballë nxënësit në finale
Jam kosovar. Nuk mund të asgjë tjetër përveç kosovar, - më tha dhe preku shallin „Kosova“, tek po i jepte makinës në autostradë.
Njëmbëdhjetë vjetët e shkollimit në gjuhën shqipe – vitin e fundit të gjimnazit e kishte përfunduar në Gjenevë – ia kanë mësuar shqipen sa të mos dallohet se nuk e ka gjuhë amtare, ndonëse ende i vërehen defekte të vogla të përdorimit të nyjave apo të rimarrjes së kundrinës.
Para ndeshjes në Basel, marshuam tok me „Dardanët“ drejt stadiumit. Vumë kapelat dhe shallet rreth gojës, siç bënim si tifozë të Prishtinës, kur ishim nxënës të shkollës së mesme. Patrulla e policisë na u afrua dhe në gjuhën angleze na pyetën se çfarë po shkruante në shalle. Si në sinkron, i shpalosëm shallet dhe nisëm të brohorisnin: Ko-so-va, Ko-so-va.
Kushedi si u jemi dukur policëve, unë me flokë të rënë e ai me flokë fare të thinjura, por vetëm buzëqeshën, tundën kokat dhe u larguan.
Nuk e kishim sefte me policë.
Kur Adi e unë ishim ende 15-vjeçarë, e patëm provuar për herë të parë dajakun e policisë. Po shkonim nga Kurrizi shkallëve për të hipur te platoja para postës dhe nga hapësirat boshe që tani janë të gjitha dyqane, na dolën befas policët e nisën të na godisnin. Nuk e mbaj mend dhimbjen. Veç inatin.
Nga ajo ditë nuk kishim më frikë. E nga ajo ditë e tutje në zënkat me policë më pas, unë e Adi u bëmë vëllezër kosovarë. Një shqiptar dhe një boshnjak po i bënte bashkë i njëjti vend dhe i njëjti ideal.
Para stadiumit në Basel kishte tashmë një festival shqiptarie. Gjithku mund të shihje ngjyrat kuqezi, njerëz që bënin selfie me shqiponjë, ndërsa dëgjoje muzikë shqipe “për t’i prerë venat”. Pjesa më e madhe ishin shqiptarë e shqiptare nga Kosova që jetojnë në Zvicër.
E tërë ajo paradë shqiptarie e patriotizmi u tret në hyrje në stadiumit. Zviceranët po falnin kapela me flamurin e Zvicrës dhe shqipet, pasardhës trima e krenarë të Skënderbeut, të Isë Boletinit e të Adem Jasharit, po shtyheshin cili do ta marrë më shpejt kapelën e Zvicrës – pa pare.
Brenda stadiumit, në sektorin e „Dardanëve“, shumë nga patriotët, kishin vënë në kokë kapelat me flamurin e Zvicrës dhe ishin ulur si pa të keq, duke u mahnitur pas Xhakës.
A bën veç pak qatë kapuç? - i thashë patriotit në ulësen ngjitur, ndërsa po vëreja se brenda meje shpërfaqej tifozi i kohës, kur me Adin shkonim të shihnim ndeshje si të rinj.
Patrioti ma dha kapuçin. Nuk po tregoj se çfarë bëra me atë kapuç, por mund të them se ajo që bëra e acaroi patriotin, i cili, kur më pa të vogël e të dobët, mori të më sulmonte. Adi, me fanellën e „Dardanëve“ u ngrit këmbë, siç ngrihej rëndom, kur do të më mbronte nga kapadainjtë, kur ishim fëmijë. Si gjithnjë unë e bëja sherrin dhe ai ngrihej këmbë të më mbronte. Patrioti u zbyth. Adi, një ish-basketbollist, afër dy metra i gjatë, me nja 130 kilogramë – nejse pjesa më e madhe tule e cullë, por që nuk dalloheshin të tilla – dhe me fytyrë të vrenjtur se ia kishin trembur dostin, u duk tepër i frikshëm për patriotin që trrusi bythën dhe vazhdoi ta shihte lojën pa kapuç. Dhe pa brohoritur për Xhakën.
Zvicra në bëri lesh. 4:0.
Xhaka na bëri lesh.
Xhaka është zviceran, shfryu dikush nga turma.
Xhaka e ka mposhtur Serbinë dy herë dhe e ka bërë shqiponjën. Gëzimin që na ka dhënë ai, nuk e ndërroj me asgjë, ia ktheu dikush tjetër.
Identiteti është, pak a shumë, zgjedhja jonë individuale se cilët jemi. Dhe është si lakra: plot shtresa e pa bërthamë. Kur Përfaqësuesja e Kosovës u themelua më 2016, lojtarë si Xhaka e Shaqiri do të mund të kishin luajtur për Kosovën, sikur të mos shfaqeshin në Kampionatin Evropian 2016. Po të zgjidhnin të ishin kosovarë e jo zviceranë, nuk do ta kishim pasur gëzimin e fitores kundër Serbisë më 2018, por ndoshta do të kishim pasur gëzime të tjera. Shumë lojtarë që zgjodhën Shqipërinë, ndoshta do të kishin zgjedhur të luanin për Kosovën, sikur Shqipëria të mos na falte gëzimin e kualifikimit të Euro 2016.
Kam qenë në Décines-Charpieu, afër Lyonit, në stadiumin madhështor, ku Shqipëria e mposhti Rumaninë 1:0 në Euro 2016, e në pushim të lojës po thyhej thuajse rekordi i decibelëve, ndërsa po këndohej kënga: Kuqezi. Po thërrisnim: Shqipëri, Shqipëri. Thuaja të gjithë shqiptarë e shqiptare nga Kosova.
Edhe Këshilla bijës sime në ditën e votimeveNëntë vjet e sa më pas, në Basel, unë e Adi po brohorisnim: Ko-so-va, Ko-so-va edhe rrugës për në makinë, pavarësisht disfatës 4:0.
Po thërrisnim emrin e shtetit, në emër të dajakëve që i kishim marrë për të në rini dhe në emër të gjirit, me të cilin na pati mëkuar e rritur.
Identiteti është zgjedhje dhe është konstrukt. Mund të ndërrojë, siç i ndërrojnë zgjedhjet futbollistët sipas hesapeve të tyre personale, varësisht a po u ofron dikush kontratë në Rusi, a gjetiu.
Në stadium në Basel nuk i kisha as “Plisat” e mi. Ata bëjnë tifozëri për Shqipërinë, nuk e pranojnë Kosovën. Nuk ishin asnjë nga grupet e organizuara të tifozërive të klubeve kosovare. Zemra më qau.
Kam qenë në tribunat e Lindjes ndeshje pas ndeshjes, kur po formoheshin. Ishte maj i vitit 1990, Prishtina kishte një formë të mirë dhe po dukej se mund të kthehej në Ligën e Parë të Jugosllavisë me brezin e Koznikut, të Kollarit e të Keçit. Ishte kohë, e represionit të Milosheviqit. Forca të armatosura policore serbe po rrinin skaj fushe si një kërcënim për tifozët. Ne brohorisnim. Do të luanim kundër Zemunit, me sa mbaj mend.
Dy djem kaluan rrethojat dhe u futën në fushë me një flamur kuqezi. Policët me pajisje të plotë lufte po i ndiqnin nëpër bar. Djemtë, pasi bënë një alamet vrapi, ia lanë në dorë flamurin dikujt nga lojtarët shqiptarë të Prishtinës dhe u hodhën në tribunë. Dikush u dha një xhaketë e dikush një kapelë, sa të mos dalloheshin, kur policia të vinte për të hetuar. Ishte një valë frymëzimi për lojtarët në fushë dhe për ne në tribuna.
Kënga që nisëm ta këndonim qe një himn i asaj kohe i tifozërisë: Oj Kosovë, ooo, nana ime…
Zemunin e mposhtëm 4:0.
A.H. është një ish-ushtar i UÇK-së dhe fytyrë jo pa rëndësi në Kosovën e sotme. E kam shokun më të ngushtë në këta 20 vjetët e fundit.
- A e mban mend njëherë në stadium, kur dy vetë patën hyrë të rinj në fushë me flamurin kuqezi? Eh, unë kam qenë njëri prej tyre, - më pati thënë njëherë.
Flamuri kuqezi atëherë ka qenë flamur i Kosovës, krahinë në Jugosllavi. E A.H. kishte luftuar për statusin e saj. Qe gëzuar, si kurrë në jetë, kur ishte shpallur shteti i Kosovës.
Shumëkush nuk e pranon shtetin e Kosovës. Shtetet e Spanjës dhe të Argjentinës, dy finalistet e Kupës së Botës 2026, janë mes atyre që nuk e kanë pranuar. Mirëpo, askush nuk e mohon më fort shtetin e Kosovës se Serbia dhe disa shqiptarë.
Sado që u gëzohem fitoreve të Xhakës, apo golit të Manajt kundër Serbisë, më shumë më gëzojnë fitoret e Kosovës. Për mua Leon Avdullahu, Albion Hajdari e Fisnik Asllani janë kosovarët. Kosovarë janë të gjithë të gjithë ata që kanë zgjedhur të jenë të tillë. Nuk dua ta gjykoj asnjë që nuk ka zgjedhur të jetë kosovar. As Djokovićin, as Dakun, as Brrutin a Adrian Bajramin, as këdo tjetër që zgjedh çkado tjetër përveç Kosovës. Nuk i gjykoj. Është zgjedhje e tyre. Po nuk bëj tifo për ta. Bëj tifo vetëm për heronjtë e mi: djemtë e Kosovës.
Pas disfatës në Basel, djemtë e Kosovës, u shtrënguan. Kosovarët Avdullahu, Hajdari, Asllani, Rrahmani, Zhegrova, Muriqi, Hodža, Murić, Rexhbeçaj, Vojvoda e të tjerët arritën një fitore larg për t’u kualifikuar në Kupën e Botës. Secili prej tyre ka mundur të shitej gjetiu dhe të puthte tjetër stemë e tjetër flamur. Zgjodhën të ishin kosovarë. Ta duronin edhe mohimin dhe shpërfilljen nga një pjesë e bashkëvendësve të tyre. Sërish, në Kosovë pati plot që identitetin e tyre kosovar e shkelën, për një foto me kundërshtarët turq, në emër të fesë a të kushedi çfarë gjëje tjetër. Nuk u zhgënjeva pas disfatës. Isha krenar me ata djem. Isha krenar me Kosovën që i kishte lindur. Për mua ata janë kampionët e botës.
Pak para finales së Kupës së Botës e thirra Adin ta pyesja se me kë ishte: Spanjën apo Argjentinën.
Ma hapi kamerën. Kishte të veshur fanellën e Kosovës.
Qysh me kon jam? Nuk m‘intereson kush osht në finale. Jam me Kosovën deri në vdekje!
Edhe
Historia tregon se finalja do të ofrojë shumë gola
Deri në vdekje.
Me fjalë të tjera: Ko-so-va, Ko-so-va