Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Egoistët

Sa më shumë që po i mendoj arsyet që i sollën zgjedhjet e reja, aq më shumë po bindem se këtë partitë dhe shefat partiakë e kanë bërë për t’i pastruar listat e deputetëve. Kur po i shoh lëvizjet e deputetëve “parimorë” që i kanë ndërruar katër parti në më pak se dhjetë vjet, aq më shumë po bindem se më të fuqishmit politikisht po e kuptojnë se në listat zgjedhore po e fusin bash këdo, pa ndonjë kriter

Se do të ketë zgjedhje të reja në Kosovë, ajo nuk është kurrfarë lajmi. Siç nuk do të ketë as pas gjashtë muajsh kur, parashikoj, se nuk do të dalim nga kriza politike por do të futemi në një tjetër.

Lajm për mua, pa dyshim, i keq, qe rikthimi i fruthit dhe hospitalizimi i madje shtatë fëmijëve të moshës 12-18 muajsh, e prej të cilëve një përfundoi në repartin intensiv. KOHA pati informuar para pak kohe, se vjet rreth 3 mijë fëmijë nuk e kishin marrë MMR-në me kohë, sepse prindërit nuk i kishin çuar për vaksinim nën pretekstin “se u janë frikësuar pasojave që mund t’i shkaktojë vaksina”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sa herë dëgjoj për lajme të këtij lloji – për dyshimet se vaksinat shkaktojnë autizëm apo se edhe i sterilizojnë djemtë, etj., etj., më kujtohet fushata e vaksinimit kundër poliomielitit më 1996 dhe epidemia e përhapur pak para nisjes së fushatës. Nuk do ta harroj përjetë një vajzë të vogël, sykaltër e me flokë ngjyrë ari që për shkak të polios, kishte humbur lëvizshmërinë në duar e këmbë njëkohësisht. Nuk kishte qenë e vaksinuar

Ashtu siç nuk do ta harroj edhe vaksinimin që e organizuam në gjendje anormale dyndjeje të popullsisë mes plumbash, në Isniq të Deçanit më 1998... ishte aq e madhe tollovia e krijuar, saqë u detyruam që të porsalindurit që vaksinoheshin me BCG, t’i merrnim nëpërmjet dritareve dhe pas vaksinimit ashtu t’ua kthenim nënave...

Do të thotë, ka pasur vetëdije shumë më të madhe për rëndësinë e vaksinimin para 30 vjetësh sesa që ka tash.

Atëherë ka qenë çështje mbijetese.

Tash është çështje injorance.

* * *

E shkrova një status në FB, bash për ta shprehur habinë se si në kiamet, në luftë, fëmijët vaksinoheshin, kurse tash në liri, prindërit zgjedhin të mos i vaksinojnë fëmijët të cytur nga konspiracionistët.

Më reagoi një antivakser. Me arrogancën dhe përçmimin që e ka dikush që mendon që i di absolutisht të gjitha dhe që krejt ne që besojmë në shkencë e kemi humbur rrugën. E pyeta po qe se prindërit e tij e kishin çuar në vaksinim, dhe nuk m’u përgjigj. Konstatova se po, dhe se për këtë arsye e kishte mbërritur moshën që ka.

Arsyet pas ngurrimit për t’i vaksinuar duhet gjetur tek arsimimi, mungesa e leximit e bile të një libri dhe te rrjetet sociale që bëhen përherë e më helmuese me morinë e dezinformatave që shpërndahen nëpërmjet tyre.

Njerëzit që mjaftohen të lexojnë tituj të shtrembëruar e që ushqejnë intelektin me komentet analfabete që i dominojnë rrjetet, për shkak se nuk e zhvillojnë shkathtësinë për ta bërë dallimin mes të logjikshmes dhe konspiracionit, zor e ndërrojnë mendjen. Derisa nuk u ndodh intensivja.

Vaksinimi i fëmijëve në Kosovë është i detyrueshëm sipas ligjit. Prindërit që e shkelin atë, mund të gjobiten me një shumë simbolike për secilën vonesë. Që është mjet që nuk mund ta detyrojë askënd ta kuptojë se vaksina është mjet parandalues i sëmundjeve ngjitëse. Ashtu siç nuk mund t’i mohohet fëmijës shkollimi i detyrueshëm fillor ani që vaksinimi është kusht për regjistrim. Pos me vendim gjyqësor, që nuk e besoj të jetë miratuar ndonjëherë në praktikën gjyqësore të Kosovës.

Ajo që mungon është fushata vetëdijesuese, e cila duhet të jetë e përhershme, dhe ku shteti do të duhej të investonte. Moti e ka thënë dikush i mençur: më mirë është të parandalosh sesa të shërosh.

* * *

Por parandalimi nuk është diçka që ky pushtet edhe kjo opozitë, krejt në detyrë tash, e kanë për qejfi.

Ama bash pa fije nevoje vendosën me e luajtë lojën “kush o’ ma kokëforti”, meçi i cili mbaroi me barazim dhe me zgjedhje të reja.

Ato u caktuan, në marrëveshje me të gjithë, për datën 7 qershor, dhe, në letër, me 10 ditë fushatë zyrtare. Po ky dhjetëditëshi, sikur ai tridhjetëditëshi i vjetëm, janë veç formalisht kërkesa ligjore që absolutisht askush nuk i respekton. Sidomos meqë nuk ka ndalesë për fushatë në rrjete sociale (për shkak se nuk ka ligj, po edhe po të kishte e dyshoj se e kishin përfillur) – pra ajo ia nisi që nga dita kur Kuvendi vendosi ta shpërndajë veten.

Sa më shumë që po i mendoj arsyet që i sollën zgjedhjet e reja, aq më shumë po bindem se këtë partitë dhe shefat partiakë e kanë bërë për t’i pastruar listat e deputetëve. Kur po i shoh lëvizjet e deputetëve “parimorë” që i kanë ndërruar katër parti në më pak se dhjetë vjet, aq më shumë po bindem se më të fuqishmit politikisht po e kuptojnë se në listat zgjedhore po e fusin këdo pa ndonjë kriter; dikë që dikush e rekomandon se “është djalë a çikë e mirë” apo thjesht ndonjë emër që u duhet për ta mbushur listën e për t’u bërë 100, a 110 a sa u duhen për t’i plotësuar ato... se në esencë, atë që e shohim më pas në Kuvend është që nja 20% edhe punojnë diçka, kurse të tjerët veç marrin rroga.

Ani kur po thonë “këshilli i përgjithshëm vendosi për listën e kandidatëve”, më shkon buza gaz. Kështu vendosej edhe në sistemin e kaluar – listën e bën shefi, të tjerët bëjnë amin.

* * *

Atë që po shohim ditëve të fundit është intensifikimi i aktivitetit të Vjosa Osmanit dhe tërheqja e njerëzve të caktuar afër saj me një deklaratë: “filani a filania bashkohet me Osmanin”.

Ku, shtrohet pyetja.

Lista Guxo më nuk është e saj. Do të mund ta formonte Listën Vjosa dhe njësoj si Gërvalla në VV, ta fuste veten dhe kandidatët “e saj” në listën e LDK-së.

Kalkulimin që e bën edhe ajo, por edhe LDK-ja është se ajo vetë dhe njerëzit që i mbledh rreth vetes, do të mund t’ia marrim votat të cilat dikur i kishin mbërritur kur kishin garuar me listën e VV-së.

Dhe që në start, e besoj, e bëjnë kalkulimin e gabuar. Për shkak se kur Osmani kishte garuar me VV-në, kishte qenë e dyta në listën së cilës i mungonte numri 1, Kurti, i cili nuk mund të garonte se ishte i sanksionuar.

Votat e atëhershme për të, ishin votat e partisë për zëvendësuesen e të parit. Nuk ishin votat e “saj”.

LDK-ja kalkulon se Osmani do të mund t’i sjellë qindra mijëra vota, por është vështirë e besueshme që numri të jetë ai i 2021-s, sepse LDK-ja nuk është VV dhe nuk e ka bazën e votuesve siç e kishte pasur në kohën e Rugovës.

PDK-ja nga ana tjetër do të ketë kalkuluar se nga fundi i muajit do të merrej vendimi në Hagë, dhe se të akuzuarit do të liroheshin, që me automatizëm do t’i jepte një shtysë të fuqishme kësaj partie. Por, Dhomat e Specializuara vendosën që marrjen e vendimit ta shtynin edhe për dy muaj – mbase edhe me qëllim që të mos ndikonin në rezultatet e këtyre zgjedhjeve, sepse cilido të jetë verdikti, lirues a dënues, efekti i tij do të reflektonte fuqishëm këtu.

AAK-ja rri kryesisht heshtur, por sjell kandidat të ri për kryeministër – për herë të parë, Ardian Gjini, i cili është zgjedhur të jetë trashëgimtari i Haradinajt në këtë parti, do të jetë bartës liste i një partie që herën e shkuar mezi e kaloi pragun. Mbase mu ndryshimi i liderit do të jetë edhe dështimi i kësaj partie për ta kaluar atë.

E VV-ja – nga sjellja e liderit të saj dhe deklaratave që po i thotë për çdo ditë, krijohet përshtypja se sondazhet i japin përparësi të dukshme krahasuar me të tjerët në këtë çast. E shumë zor se fushata mund të ndryshojë gjë – sepse nuk e di se cilat premtime të reja mund të na i thonë që të gjithë, e që nuk i kemi dëgjuar para katër muajsh.

Taksirat yni që duhet ta përballojmë edhe një fushatë me shijen e hidhur se po na ikën koha derisa egoistët e politikës luajnë me paratë, nervat dhe të ardhmen tonë.

[email protected]