Për vite, Sllovenia ka qenë një prej shteteve më të qeta dhe më të suksesshme të BE-së dhe NATO-s. E kursyer edhe nga kultura politike ballkanike e përçarjeve permanente, por edhe nga ajo e Evropës Qendrore ku partitë populliste kanë futur përçarje në shoqëri duke i shkelur parimet e BE-së. Tash edhe Sllovenia po jep shenja se “po kthehet në Ballkan”. Bartja e konfliktit politik të brendshëm nacional në Bruksel, me akuza të rënda për spiunazh dhe tradhti, më shumë u ngjan vendeve të Ballkanit Perëndimor sesa një vendi i cili me parullën “Evropa zdaj” para më shumë se 35 vjet e para doli nga ky rajon i trazuar për t’u qetësuar në begatinë dhe qetësinë e BE-së.
Shefi i qeverisë kritikon opozitën për tradhti kombëtare dhe pjesëmarrje në tentimet për ndërhyrjen nga jashtë në proceset e brendshme. Lideri i opozitës kritikon qeverinë për korrupsion masiv, rrezikim të identitetit kombëtar. Qeveria akuzon opozitën se ka angazhuar një kompani private të spiunazhit për të shantazhuar politikanët e afërt me pushtetit, ndërsa opozita ia kthen se në Bruksel qeveria në Komision Evropian ka dërguar një ish-bashkëpunëtore të UDB-së, ish-shërbimit famëkeq sekret komunist të ish-Jugosllavisë. Njëra palë thirret në mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump. Pala tjetër në atë të presidentit të Francës Emmanuel Macron. Njëra palë thotë se po rrezikohen vlerat evropiane, e tjetra se po të humbin ata, do të zhduket identiteti kombëtar. Kjo situatë do të ishte e zakonshme për ndonjë vend të Ballkanit Perëndimor, një zorrë qorre në barkun e Evropës që ka mbetur si enklavë e rrethuar nga BE-ja, por që nuk po arrin të dalë as nga e kaluara e hidhur e as nga konflikti permanent politik ku asnjë akuzë e rëndë nuk mbetet pa u thënë për kundërshtarët politikë. Por, kësaj radhe, fjala është për Slloveninë, e cila të dielën zhvilloi zgjedhjet më dramatike qëkur është shtet i pavarur.
Sllovenia shumë rrallë zë vend në kryetitujt e lajmeve jashtë saj. Edhe kur ndodh që përmendet Sllovenia, zakonisht kjo bëhet për shkak të çiklistit të famshëm Tadej Pogaçar apo zonjës së parë amerikane, Melania Trump, e cila është shtetase e Sllovenisë, emigrante në SHBA e martuar me presidentin aktual. Por, që skena e brendshme politike e Sllovenisë të marrë vëmendje kaq të madhe në Evropë dhe të ketë aq kureshtje për zgjedhjet në Slloveni, kjo deri më tash nuk ka ndodhur në këtë mënyrë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër vite Sllovenia ka qenë një prej shteteve më të qeta dhe më të suksesshme të BE-së dhe NATO-s. E kursyer edhe nga kultura politike ballkanike e përçarjeve permanente, por edhe nga ajo e Evropës Qendrore ku partitë populliste kanë futur përçarje në shoqëri duke i shkelur parimet e BE-së. Tash edhe Sllovenia po jep shenja se “po kthehet në Ballkan”. Bartja e konfliktit politik të brendshëm nacional në Bruksel, me akuza të rënda për spiunazh dhe tradhti, më shumë u ngjan vendeve të Ballkanit Perëndimor sesa një vendi i cili me parullën “Evropa zdaj”, para më shumë se 35 vjetëve, e para doli nga ky rajon i trazuar për t’u qetësuar në begatinë dhe qetësinë e BE-së.
Zakonisht politikanët sllovenë hesapet mes tyre i kanë mbajtur për në shtëpi dhe nuk i kanë bartur jashtë. Kësaj radhe ishte ndryshe. Disa herë ish-kryeministri Janez Jansha, akoma anëtar i Partisë Popullore Evropiane (EPP), ka ndjekur një fushatë që më shumë i ngjan Fidezit hungarez të Viktor Orbanit. Por, për dallim nga Orbani që është larguar nga EPP, Jansha ka mbetur akoma anëtar. Për më tepër, kjo parti i ka shprehur mbështetje, që është legjitime, sepse këtë e bëjnë të gjitha partitë evropiane për anëtarët e tyre nëpër vendet anëtare, e madje në momentin e fundit është përfshirë edhe në aktivitetin e partisë së Janshës, SDS (Partia Demokratike Sllovene) për ta detyruar komisioneren e BE-së për zgjerim, Marta Kos, që të përgjigjet para deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me dyshimet se ka qenë bashkëpunëtore e UDB-së. Këtë kërkesë e ka mbështetur edhe Manfred Weber, kryetar i EPP-së, qartë me qëllim që t’i ndihmojë Janshës. Jo rastësisht vetëm disa ditë para zgjedhjeve në Slloveni u botua një libër, dhe u promovua edhe në Parlament Evropian, e cila pretendon se përmban dëshmi të qarta se Kos ka qenë bashkëpunëtore e UDB-së. Dhe tash për hir të kredibilitetit të Komisionit Evropian kërkohet që ajo të sqarojë këto pohime. Mbetet pikëpyetje se sa do të jenë tash aktivë deputetët e qendrës së djathtë, partisë më të madhe evropiane, pasi zgjedhjet në Slloveni kanë përfunduar.
Në anën tjetër, gjatë qëndrimit në samitin e fundit të BE-së, kryeministri i Sllovenisë, Robert Gollob, më shumë sesa për temat e këtij samiti, siç janë lufta në Gjirin Persik, sulmi ndaj Ukrainës, ka folur për aktivitetet ilegale të një kompanie nga Izraeli e cila ka bërë përpjekje për ndërhyrje në procesin zgjedhor në dobi të opozitës.
Rezultatet e zgjedhjeve dëshmuan se sa e polarizuar është shoqëria në Slloveni sot, më shumë se kurdoherë më parë. Ndërsa Evropa mbështet favoritët e vet bazuar në përkatësinë ideologjike. Dallimi shumë i vogël mes partisë në pushtet, liberalëve të Gollobit dhe partisë kryesore opozitare të Janshës, nuk ka dhënë përgjigje të qartë se kush do të qeverisë me Slloveninë. Tash gjithçka do të varet nga shkathtësitë për ndërtimin e koalicioneve. Dhe kësaj radhe Sllovenia ka rëndësi edhe për Evropën, sepse edhe këto zgjedhje u panë si një test pranveror në Evropën Qendrore ku tashmë në tri shtete (Hungari, Çeki dhe Sllovaki) janë në pushtet popullistët. Jansha shihet si popullist i cili ka dhënë shenja se do të ndjekë trendin nëpër vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe kjo ka mundësi t’i ketë hequr vota më shumë sesa t’i ketë ndihmuar. Me gjithë ironinë për “Ballkanizimin e Sllovenisë“ ky shtet është me dekada përpara dhe vendet e Ballkanit akoma mund ta marrin si shembull. Por edhe Sllovenia po dëshmon se as në Evropë sot gjërat nuk janë siç jemi mësuar t’i shohim deri më tash.